1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës vendos ta heqë Turqinë nga lista e monitorimit për deficitet në demokraci

Kerstin Winter7 Mars 2004

Ndërsa Këshilli i Evropës vendosi që duke filluar prej muajit prill ta heqë Turqinë nga lista e vendeve, ku ky institucion vëzhgon intensivisht gjendjen e të drejtave të njeriut, shumë organizata për të drejtat e njeriut janë të mendimit se ky vendim është i gabuar.

https://p.dw.com/p/ArIB
Aksion kundër përdorimit të torturës
Aksion kundër përdorimit të torturësFotografi: AP

Sot qëndron në Ankara trojka e BE-së, për të diskutuar me qeverinë turke për përparimet që ka bërë vendi në drejtim të integrimit evropian. Në dhjetor BE pritet të marrë një vendim nëse me Turqinë do të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE. Një prej kushteteve të BE është respektimi i të drejtave të njeriut. Këshilli i Evropës vendosi që duke filluar prej muajit prill ta heqë Turqinë nga lista e vendeve, ku ky institucion vëzhgon intensivisht gjendjen e të drejtave të njeriut. Shumë organizata për të drejtat e njeriut janë të mendimit se ky vendim është i gabuar.

"Muajin e kaluar një grup fëmijësh i morën dhe i çuan në një burg në Siirt. Aty i mbajtën për 12 orë pa i lënë të lidhen me prindërit apo ndonjë avokat. Fëmijët thanë se i kishin torturuar."

Kështu shprehet Xhonathan Sudgen, i ngarkuar për Turqinë pranë organizatës Human Right Watch, duke shtuar se vetëm në zyrën e tij çdo vit vijnë rreth 1000 njoftime për raste të tilla. Se sa raste të shkeljes së të drejtave të njeriut ka në Turqi, kjo nuk mund të thuhet me saktësi, por megjithatë janë shumë më tepër se sa deklaron Ankaraja zyrtare, - mendon Anke Dietert që punon pranë Amnesty International.

"Deklaratat sipas së cilave Turqia nuk toleron asnjë rast të përdorimit të torturës - janë vetëm fjalë të bukura prej politikani të kryeministrit turk. Po ne na vijnë vazhdimisht njoftime për përdorimin e torturës dhe nga ana tjetër proceset që hapen ndaj policëve, sepse kanë torturuar të arrestuarit, zvarriten së tepërmi." - thotë Anke Dietert.

Po ashtu organizatat për të drejtat e njeriut theksojnës e qeveria turke nuk i mbështet aspak në punën e tyre. Për këtë Xhonatan Sugden kërkon: "që popullsia civile të ketë të drejtë të monitorojë stacionet e policisë. Ne medojmë se organizatat rajonale për të drejtat e njeriut duhet të kenë të drejtë që të shkojnë pa lajmëruar për të parë se ç'ndodh në rajonet e policisë. Por qeveria ka sinjalizuar se nuk ka ndër mend ta miratojë një gjë të tillë."

Që prej vitit 1996 Turqia bën pjesë në të ashtuquajturën "Listë monitorimi për deficitet në demokraci të Këshillit të Evropës". Kjo do të thotë që Këshilli i Evropës kontrollon vazhdimisht nëse Turqia e respekton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo bëhet përmes dy raportuesve specialë që informohen në vend për këto probleme.

Por duke filluar nga muaji prill Këshilli i Evropës do ta heqë Turqinë nga kjo listë dhe do të përqëndrohet vetëm në raportet e organizatave për të drejtat e njeriut. Parlamentarja nga Luksemburgu Madi Delvo-Steres, e cila ishte një prej reportereve speciale të KE-së për Turqinë thotë: "Natyrisht që ne nuk jemi aq mëndjelehtë që të besojmë se në Turqi është gjithçka në rregull. Por vëzhgimi i përgjithshëm mund të konsiderohet i përfunduar. Unë isha skeptike për këtë masë kontrrolli që në fillim, por tani jam e bindur se në vend është e pranishme një dëshirë e madhe për t'u përshtatur."

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mendojnë se me këtë vendim Këshilli i Evropës i dërgon Turqisë një sinjal të gabuar. Pra që "ai është i kënaqur me deklratat dhe premtimet, dhe nuk kujdeset për të parë nëse vihen në jetë këto premtime" - thotë Anke Dietert.

Kurse Xhonathan Sugden përsërit kërkesën e tij, që qeveria Turke dëshmon se është vërtet e interesuar të respektojë të drejtat e njeriut, vetëm në rast se u lejon OJQ-ve të mbikqyrin organet e policisë.