1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës zhvillon tryezë të rrumbullakët për Çeçeninë

Christiane Hoffman20 Mars 2005

Presidenti rus Vladimir Putin është i kënaqur për vdekjen e ish- presidentit çeçen Asllan Machadov, ndërsa politikanët evropianë janë të një mendjeje me gazetarët kritikë rusë se vrasja e Machadovit u shërben vetëm nxitësve të luftës nga të dyja palët. Këshilli i Evropës dëshiron të gjejë në këtë mes një rrugë drejt paqes. Për këtë arsye sot (21.03) mblidhen për një tryezë të rrumbullakët në Strasburg përfaqësues të Këshillit të Evropës te qeverive të Rusisë dhe të Çeçenisë si dhe OJQ ruse për të biseduar për gjetjen e rrugëdaljeve nga konflikti. Por në këtë tryezë nuk marrin pjesë përfaqësues të rebelëve çeçen, pikërisht të atyre që zhvillojnë luftime.

https://p.dw.com/p/ArQ5
Pamje nga Grosni
Pamje nga GrosniFotografi: AP

Shoku për vrasjen e ish-presidentit Asllan Machadow, e cila e tronditi thellë Çeçeninë hedh hijen e tij edhe në tryezën e rrumbullakët që zhvillohet për konfliktin e Çeçenisë në Strasburg. Eshtë hera e parë që një takim i tillë zhvillohet me praninë ndërkombëtare dhe ai pritet të sjellë jo vetëm afrimin mes palëve të konfliktit por edhe fillimin e një procesi politik jashtë dhunës. Në këtë rajon vazhdon gjendja e luftës dhe mijra njerëz janë refugjatë. Lidia Jusukova nga OJQ-ja "Memorial" në Grosni thotë se mënyra se si veprohet me të vdekurit është një fyerje për popullin çeçen dhe të gjithë jetojnë me frikën se ajo që i ndodhi Machadowit mund t'i ndodhë kujtdo. Deputeti gjerman Rudolf Biending, anëtar i Këshillit të Europës thotë se vrasja e Machadoëit do t'u japë krahë atyre që duan luftën dhe do t`u presë hovin atyre që kërkojnë rrugën e bisedimeve. Sipas tij edhe tryeza e rrubmullakët në të cilën do të takohen 60 përfaqësues të palës ruse, të palës çeçene si dhe të Organizatave joqeveritare mund të konsiderohet si sukses. Gjithsesi Biending është i mendimit se ky takim ka edhe një mangësi të madhe:

"Rusët ngulën këmbë që në takim të mos marrin pjesë njerëz të tillë të cilët sipas tyre përdorin dhunë të paligjshme. Ky takim nuk do të mund të realizohej në qoftëse do të kishim ngulur këmbë që në të të merrnin pjesë pa kushte të gjitha palët. Unë për vete jam i prirur të mendoj se është e domosdoshme që në të tilla takime të marrin pjesë edhe përfaqësues të forcave nacionaliste çeçene. Por për këtë raund të parë kjo gjë ishte e pamundur. Ndoshta mund të gjehet një zgjidhje për takimet e tjera që t'i ftojmë persona të caktuar për të biseduar për çështje të caktuara, por për këtë duhet të bisedojmë një herë." - thotë Biending.

Gjithsesi shkaqet për të qenë skeptik janë të shumta. Pala ruse i lidh rebelët çeçenë me terrorizmin ndërkombëtar dhe zyrtarisht Rusia e konsideron konfliktin prej kohësh si të mbyllur.

Pala ruse thotë se me zgjedhjen e Alu Alhanovit vendi ka një president të ri edhe pse ai u zgjodh me mbështetjen e Putinit, pasi Ahmet Kadirovi, gjithashtu besnik i rusëve, gjeti vdekjen në vitin 2004 prej një atentati. Rusia mendon se problemet e Çeçenisë janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe sociale. Biending mendon se ky këndvështrim do të pengojë në një farë mënyre arritjen e rezultateve në këtë tryezë të rrumbullakët.

"Për këtë arsye nuk duhet të varim shpresa të mëdha në këtë tryezë të rrumbullakët por pjesëmarrja ndërkombëtare i jep asaj një formë tjetër sepse mund të shohim se ku duhet zënë filli në çështjen çeçene dhe se si mund të zhvillohen më tej intrumentë të efektshëm për të ndikuar për problemet e rajonit qoftë edhe vetëm për t`i zbutur ato. E rëndësishme është që në Çeçeni të mos kemi vazhdimisht shkelje të të drejtave të njeriut, qofshin këto nga terroristët qofshin prej forcave ruse të sigurisë." - mendon Biending.

Edhe përfaqësuesit e OJQ-ve ruse mendojnë se ky takim nuk do të sjellë shumë ndryshime, sepse deri tani ka pasur shumë rezoluta të Parlamentit të Bashkimit Europian dhe organeve të tjera që nuk janë zbatuar. Pra sipas shumicës së rusëve ky takim mund t`i shërbejë vetëm dikujt që ka ndër mend të përmirësojë imazhin e vet.