1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kabineti i Malikit merr shumicën e nevojshme në Irak

Johannes Duchrow20 Maj 2006

Iraki ka "qeveri të unitetit kombëtar"

https://p.dw.com/p/ArLS
Nuri al-Maliki duke prezantuar qeverine e tij
Nuri al-Maliki duke prezantuar qeverine e tijFotografi: AP

Iraku ka përsëri një qeveri të zgjedhur me votë të lirë dhe konform kushtetutës. Shumica e parlamentit në Bagdad miratoi sot kabinetin e kryeministrit Nuri al Maliki. Megjithatë ministria e brendshme dhe ajo e mbrojtjes do të drejtohen provizorisht nga kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Maliki paralajmëroi formimin e një „qeverie të unitetit kombëtar“, e cila do të punojë për pajtimin e grupeve etnike dhe fetare në armiqësi. Marrja e detyrës u shoqërua nga një valë e re dhune.

Mbledhja e parlamentit filloi me mbi dy orë vonesë. Deri në fund u negociua në prapaskenë për atë se kush do të merrte cilin post në qeverinë e re të unitetit kombëtar. Si rezultat do të ketë 37 ministri. Kryeministri Nuri al Maliki i prezantoi ato një nga një para mbledhjes në fillim të mbledhjes.

Ministritë janë ndarë mes kurdëve, shiitëve, sunitëve dhe politikanëve jo të lidhur me bashkësitë fetare apo me prejardhjen. Dy postet më të rëndësishme nuk do të zihen: Ministria e brendshme do të drejtohet provizorisht për një javë nga kryeministri al Maliki, ministria e mbrojtjes nga zëvendësi i Malikit, Zobaï.

Bahaa al Araji, deputet dhe zëdhënës i fraksionit shiit të shumicës spjegoi para mbledhjes se përse al Maliki donte që të votohej për kabinetin edhe pa dy ministrat e sigurisë:

“Siç e dini, gjendja e sigurisë është më kryesorja tani, prandaj kryeministri dhe gjithë palët e përfshira vendosën se është shpenzuar mjaft kohë me negociata.”

Në deklaratën e tij qeveritare kryeministri Nuri al Maliki bëri të qartë se lufta kundër atentateve dhe ekzekutimeve me armë zjarri ka përparësi absolite:

“Ne do të luftojmë çdo formë dhune dhe terrorizmi. Do të nxjerrim ligje për luftimin e dhunës dhe do ti organizojmë institucionet e shtetit në mënyrë të tillë që të krijohen kushtet e duhura për një bashkëjetesë të të gjithë irakianëve. Këtu do të respektohen të gjitha standartet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.“

Dita e sotme në Irak nisi e përgjakshme, si të gjitha ditët e tjera në këtë kohë. Në një pikë grumbullimi për punëtorë me mëditje në lagjen e varfër të Bagdatit Sadr City shpërtheu një bombë – pati shumë viktima, sipas ministrisë së brendshme të paktën 19 të vrarë dhe 60 të plagosur.

Në kufirin me Sirinë një atentator vetëvrasës hodhi veten në erë – pesë policë u vranë, edhe këtu pati shumë të plagosur. Në jug të kryeqytetit Bagdat u gjetën 15 kufoma – të gjitha kishin shenja torturash.

Nga këndvështrimi i popullsisë kjo dhunë duhet të marrë fund, por fakti që pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare mbeten të pazëna postet e dy ministrive kyçe hidhëron shumë irakianë.