1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kakavija - Porta që lidh Shqipërinë me Greqinë

16 Janar 2010

Pikëkalimi kufitar i Kakavijes është porta kryesore që lidh Shqipërinë me Greqinë. Çdo ditë aty qarkullojnë mesatarisht 800 deri 1500 shtetas, ndërsa në ditë festash e pragsezonesh nga 4 deri në 10 mijë persona.

https://p.dw.com/p/LXUl

Pikëkalimi kufitar i Kakavijes prej dy vitesh është modernizuar me infrastrukturë bashkëkohore, teknologji informacioni e logjistikë sipas standarteve të Bashkimit Europian. Tregtari Javer Bebej, thotë se tani procedurat janë thjeshtuar e fitohet kohë : "Ne kemi lehtësi në dalje e në hyrje, funksionojnë mirë kompjuterat, nuk ka ndërprerje, sateliti punon pa ndërprerje, date-base është në rregull", thotë ai.

Ndërsa drejtori i Qarkut Gjirokastër për kufirin dhe emigracionin Eduard Caka, pohon se pikëkalimet u janë nënshtruar monitorimeve të ekspertëve të Bashkimit Europian dhe rezultatet kanë qënë optimale. "Në këto kushte ne i kemi marrë masat për standartet e Shengenit në pikat e kalimit kufitar duke zbatuar parimin sipas Shengenit, nje ndalesë një kontroll në bashkëpunim dhe me shërbimin doganor".

Aplikimi teknologjisë bashkëkohore dhe trajnimi efektivave ka bërë të mundur që në këto pikëkalime të rritet cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve. Skenat e keqtrajtimeve dhe të mungesës së mbrojtjes së shtetit ndaj viktimave tashmë janë tepër të rralla.

Qytetarja Qefsere Zeneli që po udhëton drejt shtetit grek thotë se : "Në këto momente këtu në Kakavije është rritur kontrolli. Ne ndjehemi më të sigurtë".

Në Kakavije është ngritur dhe një qëndër pritjeje e akomodimi për viktimat e trafikut të qënieve njerëzore e drogës, si dhe të deportuarve nga shteti grek. Kjo qendër synon rehabilitimin e viktimave dhe sistemimin e tyre pranë familjeve. Komandanti kësaj qendre Vait Tena, pohon se Qendra ka asistencë profesionale nga disa donatorë dhe ekspertë të Bashkimit europian që e monitorojnë në vijimësi : "Diskutuar rreth procedurave që ndiqen me shtetasit e kthyer e sidomos me viktimat e mundshme të trafikimit, sidomos për femrat e fëmijët nën 18 vjeç. Ata kanë ardhur kanë marrë pjesë në procedurat e intervistimit, kanë vëzhguar nga afër të gjitha veprimet e punonjësve të policisë e kemi diskutuar për të gjitha problemet që kemi".

Shpresa Zefiri thotë se me rregullin e veprimet e policisë ndihet e sigurtë dhe me të njëjtin dinjitet si çdo shtetas tjetër i Bashkimit Europian: "Mirë është për ne shqiptarët. Do ishte mirë që kjo të qe bërë më përpara sepse ne do ndjehemi si qytetarë europianë".

Masat e marra për të implementuar të gjitha standartet kontrolluese e monitoruese sipas kërkesave të Bashkimit Europian, jo vetem kanë përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve por, kanë ulur ndjeshëm edhe trafikun e kalimet e paligjshme të kufirit. Zëdhënësi drejtorisë së policisë Gentian Mullahi pohon se gjatë këtij dymujori : "Rezultatet e arritura kanë qënë 30-35 përqind ulje e të gjithë trafikëve si të trafikantëve ashtu dhe të kalimeve në vijën e gjelbërt të kufirit".

Por pavarësisht pamjes që shfaqet, shërbimet shqiptare në pikëkalimet kufitare kanë mjaft elementë për të përmirësuar, të cilat do të sjellin menazhim të integruar të kufijve, standart europian në dogana dhe qytetari në shërbimet ndaj qytetarëve.

Autor : Odise Kote

Redaktoi : Aida Cama