1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi pesë milionë të vdekur nga Corona

2 Nëntor 2021

Numri i personave në mbarë botën që kanë ndërruar jetë për shkak të virusit Corona ka kaluar një shifër trishtuese: mbi 5 milionë vetë. Për një pjesë të madhe të të moshuarve rekomandohet vaksinimi përforcues.

https://p.dw.com/p/42QYx
Iran Coronavirus l Gesundheitswesen überlastet
Fotografi: MIZAN

Që nga fillimi i pandemisë Corona kanë vdekur në mbarë botën më shumë se pesë milionë njerëz, si pasojë e infektimit me këtë virus apo nga sëmundjet që ndërlidhen me te. Kjo bazohet në të dhënat e fundit nga Universiteti Amerikan John Hopkins (JHU) në Baltimore. Brenda katër muajve të fundit nga ky virus kanë vdekur një milion njerëz.

Sipas JHU, numri i infeksioneve të regjistruara SARS-CoV-2 ka kaluar shifrën prej 247 milionë. Por ekspertët thonë se numri i të infektuarve është shumë më i madh, sepse shumë raste nuk janë raportuar. Faqja e internetit e universitetit përditësohet rregullisht, ndaj të dhënat e këtij Universtiteti janë gjithmonë pak më të larta se ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Spahn mbështetet në vaksinat përforcuese

Iran Coronavirus l Gesundheitswesen überlastet
Fotografi: ISNA

Në Gjermani janë regjistruar  deri tani 95.752 raste të vdekjeve nga Corona, njoftoi Instituti Robert Koch (RKI) të hënën në mëngjes. Incidenca shtatëditore, sipas RKI, është 154.8 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Vetëm një javë më parë incidenca ishte rreth 110. Në Gjermani deri tani janë lajmëruar 4.6 milionë teste pozitive ndaj virusit Corona, por edhe këtu mendohet se numri i të infektuarve është shumë më i lartë.

Pas rritjeve të shpejta të shifrave të të infektuarve, ministri federal i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn (CDU) ka kërkuar rihapjen e qendrave të vaksinimit në lande. Kjo është e nevojshme "për të arritur sa më shpejt një numër sa më të madh të vaksinave përforcuese (vaksina e treta)", theksoi Spahn. Ai dëshiron të ofrojë të ashtuquajturat vaksina përforcuese për të gjithë qytetarët në Gjermani, gjë që ka shkaktuar kritika të ashpra tek ekspertët e mjekësisë në Gjermani.

Uganda Coronavirus Beerdigung
Fotografi: Sally Hayden/Sopa/Zuma/picture alliance

Kryetari i Shoqatës së Mjekëve në Gjermani, Klaus Reinhardt, iu referua opinionit të Komisionit të Përhershëm të Vaksinimit (Stiko), i cili aktualisht rekomandon vaksinimin e tretë vetëm për personat mbi 70 vjeç. Por edhe ai mbështeti kërkesën e Spahnit për rihapjen e qendrave për vaksinim. "Ne kemi parë në Izrael se vaksinimi përforcues është ndoshta i nevojshëm për një pjesë të madhe të të moshuarve, sepse imuniteti i tyre është më i dobët", tha Reinhardt.

 

 

bc/wa/sti (dpa, afp, rtr)