1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kam nevojë për gruan për një fillim të ri"

Richard Fuchs
31 Janar 2018

Që kur mori arratinë, Ghassani pret përditë lajmin e lejimit të gruas që të vijë tek ai në Gjermani. Më shumë se 30 muaj kanë kaluar që kur çifti jeton i ndarë. Është në dorën e politikanëve gjermanë që kjo të ndryshojë.

https://p.dw.com/p/2rnN6
Geflüchteter Ghassan in der Berliner Caritaseinrichtung Zum Guten Hirten
Fotografi: DW/R. Fuchs

Dhoma 206 në strehimin e përbashkët të Caritasit "Te çobani i mirë" në Berlin është aktualisht bota e Ghassanit. Një tavolinë, një karrige, dy krevatë në më pak se 20 metra katrorë: këtu siriani 37 vjeçar pret së bashku me një refugjat tjetër si do të vendoset për të ardhmen e tij. "Gjermania është për mua një shans për fillim të ri", thotë burri me vetulla të zeza dhe me buzëqeshje të ndrojtur. Në korrik 2015 ai u arratis, si shumë të tjerë përmes itinerarit ballkanik. Qyteti i tij, Abu Kamal ishte ndër të parët ku Assadi shtypi me dhunë në vitin 2011 demonstratat. Më vonë aty erdhi Shteti Islamik, deri sa Assadi e rimori territorin në nëntor 2017.

Komunikimi midis Gjermanisë dhe Libanit vetëm përmes WhatsApp-it

Geflüchteter Ghassan in der Berliner Caritaseinrichtung Zum Guten Hirten
Fotografi: DW/R. Fuchs

Gruaja 34 vjeçare e Ghassanit vazhdon të jetojë në një kamp refugjatësh në Liban. Më pak se nëntë vjet kishte kaluar që kur qenë martuar, kur të dy u arratisën në vitin 2013 në vendin fqinj. Dy vjet i kaluan atje në kampe, dhe në vitin 2015 Ghassani u nis për në Evropë, i vendosur që të tërheqë më vonë edhe gruan. Komunikimi me WhatsApp që kur janë ndarë, 30 muaj më parë, teknikisht funksionon, por emocionalisht situata bëhet gjithnjë e më e vështirë, që kur është bërë e qartë që gruaja e tij ka ngecur në Liban, kurse ai në Gjermani."Kam nevojë për gruan time për këtë fillim të ri", thotë Ghassani.

Përpara se të merrte arratinë, Ghassani punonte si mekanik te një tregtar makinash. E shoqja qe infermiere, deri sa e ndërpreu punën, për t'u kujdesur për të ëmën të sëmurë rëndë. Ai thotë se e shoqja jeton krejt e izoluar në kamp. Nga frika ai nuk e publikon emrin e saj.

"Politikanët gjermanë nuk e kuptojnë sa e vështirë është që të jetosh pa familje"

Geflüchteter Ghassan in der Berliner Caritaseinrichtung Zum Guten Hirten
Fotografi: DW/R. Fuchs

Dëshira më e madhe e Ghassanit është që e shoqja të ketë mundësi të vijë. Fëmijë çifti nuk ka. Lutja e tij ndodhet në Zyrën Federale për Migrimin dhe Refugjatët në Nürnberg. Që prej vitit 2016 bashkimi familjar për këtë grup refugjatët me qëndrim të kufizuar është ndërprerë krejtësisht, nga frika e politikanëve se mund të pasonin valë të mëdha të tjera migrimi.  Këtë të martë, partitë unioniste, CDU-CSU dhe SPD ranë dakord që të miratojnë lejimin e një kontigjenti të caktuar për bashkim familjar dhe për rregulla për raste të vështira. Mbi krevatin e Ghassanit, në mur rri varur një tabelë e vjetër shkolle. "Megjithëse jeta është e vështirë. Jetoje", shkruhet në të me shkumës të bardhë dhe me një shkrim të pasigurtë nxënësi.

Së fundi, pasiguria për fatin e së shoqes dhe ndjenjat e fajit e lënë pa gjumë. Gjithnjë e më shumë për të fjetur ai merr medikamente, na tregon. Megjithë mirënjohjen për pranimin e tij, politikanët gjermanë ai i akuzon se harrojnë një gjë: "Ata nuk e kuptojnë sa e vështirë është që të jetosh pa familje."