1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelari gjerman Schröder: "Ne duam të ofrojmë ndihmë afatgjate"

Jens Thurau13 Janar 2005

Kancelari gjerman Gerhard Schröder është takuar të mërkurën në mbrëmje në Berlin me përfaqësues të shoqatave të komunave gjermane dhe shefat e qeverive lokale. Në qendër të bisedimeve ishte ndihma e qeverisë gjermane për zonat e prekura nga katastrofa në Azinë Juglindore.

https://p.dw.com/p/AquP
Kancelari gjerman Schröder dhe kryeministri bavarez Edmund Stoiber
Kancelari gjerman Schröder dhe kryeministri bavarez Edmund StoiberFotografi: dpa

Rreth 400 milionë euro kanë donatuar gjermanët deri tani për viktimat e tërmetit nënujor në Oqeanin Indian. Përveç kësaj firma dhe persona privatë kanë ofruar ndihmë për ndërtimin e disa jetimoreve. Kancelari gjerman Gerhard Schröder ka propozuar që komuna të caktuara në Gjermani të krijojnë një binjakëzim me rajonet dhe zonat e prekura nga katastrofa. Pas takimit që zhvilloi të mërkurën me përfaqësues të shoqatave të komunave gjermane dhe shefat e qeverive lokale, Schröder tha:

"Nuk duhet të fokusohemi vetëm tek ndihma e menjëhershme. Ne duam të ofrojmë ndihmë afatgjate, pra të kontribojmë në rindërtimin e këtyre zonave dhe të përmirësojmë kështu kushtet e jetesës për banorët e këtyre zonave."

Pranë ministrisë së jashtme gjermane do të krijohet javën e ardhshme një komision, në të cilin përfaqësuesit e shoqatave të komunave do të bashkëpunojnë me ekspertë të ministrive për të koordinuar projektet. Kryeministri bavarez Edmund Stoiber, i cili përfaqësoi vendet e Unionit, tha se vetëm në Bavari deri tani 100 shkolla kanë ofruar projekte nga më të ndryshmet.

"Nga njëra anë na nevojitet të veprojmë sa më shpejt dhe nga ana tjetër kemi nevojë për seriozitet për punën tonë, në mënyrë që njerëzit që donatojnë ta dinë që paratë e tyre shkojnë aty ku duhet" - tha Stoiber.

Përfaqësuesit e komunave u shprehën ndërkohë se nuk janë në gjendje që të ofrojnë më shumë para nga fondet publike. Sipas tyre institucionet duhet të apelojnë më shumë tek popullsia gjermane dhe dëshira e saj për të ndihmuar. Ndërkohë ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer mendon se ideja e binjakëzimit me rajonet dhe zonat e prekura nga tërmeti është shumë pozitive. Fischer tregoi gjatë takimit të ditës së mërkurë mbi vizitën e tij në Azinë Junglindore. Sipas politikanit të gjelbër, shumë gjermanë janë të prekur nga gadishmëria e popullsisë aty për të ndihmuar, ndonëse ata vetë vuajtën më shumë se të gjithë.

"Mendij se kjo ndjenjë e solidaritetit i ka prekur shumë njerëz të moshave dhe shtresave nga më të ndryshmet. Binjakëzimi me këto rajone është një instrument i mirë për ta ruajtur këtë ndjenjë për të gjithë botën dhe jo vetëm për zonat turistike" - tha Fischer.

Por organizata humanitare për fëmijët "terre des hommes" reagoi në mënyrë kritike. Sipas saj binjakëzime të tilla janë problematike dhe të shtrenjta. Sipas kësaj organizate do të ishte më mirë sikur politikanët të mbështesin organizatat humanitare që ekzistojnë si edhe partnerët lokalë.