1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane Angela Merkel priti në Berlin presidentin e Ukrainës Viktor Janukoviç

31 Gusht 2010

Në takim u diskutuan në radhë të parë çështje të ekonomisë dhe të energjetikës.

https://p.dw.com/p/OziH
Angela Merkel, majtas, dhe Viktor Janukoviç
Angela Merkel, majtas, dhe Viktor JanukoviçFotografi: AP

Viktor Janukoviç solli me vete të reja në takim e Berlinit. Parlamenti në Kiev kishte vendosur të hënën ndryshimin e ligjit elektoral. Sipas ligjit të ri në zgjedhet lokale të 31 tetorit do të lejohen të garojnë edhe ato parti që nuk ekzistojnë prej më tepër se një viti. Heqja e këtij kufizimi ishte një kërkesë e rëndësishme e opozitës. Dymetroshi nga Kievi u përpoq pas takimit me kancelaren që t'i zbuste kritikuesit e tij perendimorë: Sa i përket lirisë së medieve ai tha: „Unë jam ai që është më tepër se të gjithë i interesuar që procesi i demokratizimit në Ukrainë të zhvillohet, të mos mbetet në vend, por të zhvillohet me sukses."

Opozita e vendit ishte ankuar së fundi për raprezalje shtetërore ndaj gazetarëve. Madje edhe përfaqësues të fondacioneve gjermane patën kontakte të pakëndshme me përfaqësues të shërbimit sekret vendas. Gjermania është shumë e interesuar për kontakte të mira me Kievin. Këtë e bëri të qartë edhe kancelarja Merkel, e cila tërhoqi vëmendjen për rolin e Ukrainës si vend tranzit për gazin rus. Gjermania do të angazhohet në të ardhmen më me forcë për modernizimin e sistemit të gazsjellësve ukrainas.

Përveç kësaj kancelarja theksoi edhe interesin e ekonomisë gjermane për të marrë pjesë në investitimet që do të bëhen në Ukrainë me rastin e përgatitjeve të kampionatit evropian të futbollit 2012. Merkeli e sheh si pozitiv faktin qe me Janukoviçin dhe qëndrimin e tij dashamirës ndaj Rusisë politika ukrainase do të bëhet më e qendrueshme:

"Nga njëra anë thashë që është mirë që proceset e vendimmarrjes në Ukrainë tani mund të zhvillohen mbi një bazë më solide, nga ana tjetër bëra të qartë se ne kemi disa pyetje sidomos në lidhje me lirinë e shtypit dhe të mendimit. Për këto çështje diskutuam hapur me njëri-tjetrin."

Janukoviçi e sheh perspektivën afatgjatë të vendit të tij në BE dhe mendon se Kievi do të nënshkruajë shumë shpejt marrëveshje asociimi me Brukselin. Kancelarja nuk e përmendi këtë temë. Ajo foli për projektet afatshkurtra dhe të sigurta: p.sh. për organizimin në vjeshtë në Kiev të një forumi gjermano-ukrainas për lëndët e para dhe ristrukturiimin e tregut të energjisë.

Janukoviçi synon në radhë të parë heqjen bilaterale të vizave. Një hap i mëtejshëm në këtë drejtim është marrëveshja që nënshkruan të hënën në Berlin ministrat e Brendshëm të të dy vendeve. Ajo parashikon luftimin e kriminalitetit ndërkufitar dhe masa për luftimin e korrupsionit me vizat.

Autor: Bernd Gräßler / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti