1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane Merkel në Sofie

12 Tetor 2010

Merkel u nderua me titullin e doktorit të nderit si dhe me urdhërin më të lartë bullgar nga presidenti i Bullgarisë. Në Forumin Ekonomik gjermano-bullgar ajo mbajti një fjalim.

https://p.dw.com/p/PcX2
Kryeministri bullgar, Boiko Borisov, pret kancelaren Merkel në SofieFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel qëndroi dje (11.10.) për një vizitë në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofie. Ajo zhvilloi bisedime me kryeministrin Boiko Borissov. Një temë i mbizotëroi siç pritej bisedimet e kancelares federale në Sofje: planet e Bullgarisë për të hyrë që prej 1 prillit 2011 në Marrëveshjen e Shengenit.

Përgjigjja e kancelares me mirësjellje, por e përmbajtur

"Gjermania i ka mbështetur pjesërisht përpjekjet për të hyrë në Marrëveshjen Shengen. BE do të vendosë për këtë në nëntor dhe ne e dimë se çfarë vendimi i rëndësishëm është në diskutim për Bullgarinë në këtë rast. Dhe Gjermania do të kryejë një verifikim korrekt të kushteve, për të qenë në gjendje që të marrë një vendim në nëntor."

Deutschland Bulgarien Angela Merkel Boiko Borisov Sofia
Para gazetarëve në SofieFotografi: AP

Kryeministri i Bullgarisë, Borko Borissov, i cili kishte shpresuar një mbështjetje më të madhe gjermane në çështjen Shengen, dërgoi një mesazh në drejtim të Bundestagut:

"Dua t'ju garantoj edhe njëherë: në mënyrë që të na mbështetni në nëntor, Bullgaria do të ecë me vendosmëri në rrugën e Shengenit. Ne do t'i dyfishojmë dhe trefishojmë përpjekjet tona. Këtë duhet ta dinë edhe kolegët tuaj të Bundestagut."

Merkel: Bullgaria të ndjekë një politikë solide financiare

Gjendja ekonomike dhe rimëkëmbja e vështirë e ekonomisë bullgare e detyruan kancelaren gjermane të formulojë edhe fjalë të qarta:

"Bullgaria është prekur fort edhe nga kriza ekonomike. Vitin e kaluar patëm një rënie ekonomike të ngjashme si Gjermania, rreth 5% dhe rritja ekonomike po kryhet gradualisht. Unë e marr me mend që kemi të bëjmë me një gjendje të vështirë, edhe për njerëzit në vend, megjithatë unë do të theksoja shprehimisht, që ne e mbështesim shumë që Bullgaria të ndjekë një politikë solide financiare, që politika e stabilitetit, të cilën e ndjekim ne në BE, edhe këtu të ndiqet me forcë të madhe."

Deutschland Bulgarien Angela Merkel Sofia
Kancelarja Merkel (CDU) u nderua me titullin e doktorit të nderit në universitetin Angel Kancev nga rektori Hristo Beloev.Fotografi: AP

Fjalë të qarta përballë vështirësive gjigante financiare të dy fqinjëve ballkanikë të Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë. Pyetjes së Deutsche Welles, nëse zgjerimi i BE dhe veçanërisht kandidatura e Turqisë në BE, një temë që diskutohet nxehtësisht edhe në Bullgari, ishte temë diskutimi në Bullgari, kancelarja iu përgjigj:

"Unë e thashë se në folëm për tema bilaterale, por jo për anëtarësimin në BE të Turqisë. Ne kemi nisur të flasim për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe këtë do ta vazhdojmë edhe sonte në darkë."

Marrëdhënie të shkëlqyera kulturore

Marrëdhëniet e shkëlqyera kulturore midis të Bullgarisë dhe Gjermanisë ishte një temë, që kancelarja federale e përmendi në të gjitha takimet. Në Bullgari ka një interes shumë të madh për gjuhën gjermane. 12 mijë studentët bullgarë në Gjermani (për nga numri i studentëve të huaj në Gjermani, Bullgaria zë vendin e dytë pas Kinës) janë një kapital i rëndësishëm dhe një mbështetje për marrëdhëniet bilaterale.

Autor: Alexander Andreev/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica