1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel bën bilanc pozitiv të punës së qeverisë

22 Korrik 2010

Para se të shkojë për pushime, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri edhe një herë bilancin e punës së deritashme qeveritare.Në fokus: kriza ekonomiko-financiare, paketa e kursimeve dhe politika e jashtme e koalicionit

https://p.dw.com/p/ORRg
Kancelarja Merkel në konferencë shtypi bën bilancin e punës së qeverisë
Kancelarja Merkel në konferencë shtypi bën bilancin e punës së qeverisëFotografi: AP

Kancelarja Angela Merkel dukej e lodhur kur hyri në sallën e madhe të konferencës federale për shtyp në Berlin. Gëzohem për pushimet verore, pranoi ajo, por shtoi se nuk është kurrrsesi e lodhur nga posti dhe se kryebashkiakun e sapodorëhequr të Hamburgut, Ole von Beust nuk do ta marrë si shembull.

"Jo, unë vendos hap pas hapi dhe për momentin mund të jeni të bindur se do të më shihni pas pushimeve."

Por atëherë, pas pushimeve verore, qeverinë e pret punë e madhe, tha Merkeli. Përballë transformimit demografik ajo duhet të konsolidojë për të ardhmen sistemet e sigurimit dhe më tej buxhetin.

"Dhe kur ta bëjmë këtë, atëherë jam e bindur, se Gjermania do të dalë e fortë nga kriza."

Problemet e brendshme do të përballohen

Ajo tha se nuk mund të premtonte që në koalicion nuk do të ketë as në të ardhmen diskutime. Por, tha Merkeli, jam optimiste se problemet do të arrihet të përballohen.

Për shembull reforma shëndetësore: shpenzimet në rritje për shëndetësinë duhet të ndahen nga kostot e punës, tha kancelarja. Përndryshe, sistemi nuk është i aftë të mbijetojë dhe Gjermania do të humbasë aftësinë e saj konkuruese.

Për shembull ushtria: ajo i është lutur ministrit të Mbrojtjes të parashtrojë koncepte të ndryshme për reformën në forcat e armatosura, tha Merkel:

"Megjithatë, mendoj se kurrsesi nuk mund ta heqim shërbimin e detyruar ushtarak nga kushtetuta. Kjo nuk do të ndodhë."

Me sa duket Merkeli nuk sheh hapësirë as për lehtësime fiskale. Ajo tha se nuk do të shprehej që tani për të gjithë periudhën legjislative, por:

"Mund të mendoj vetëm hap pas hapi. Për momentin shoh se kemi mjaft vështirësi që të kalojmë paketën tonë dhe do ta vija theksin më shumë tek thjeshtimet fiskale."

Skepticizëm për Iranin

Gjatë konferencës së saj për shtyp, që zgjati afro një orë e gjysmë Merkeli u shpreh edhe në lidhje me tema të politikës së jashtme. Ajo foli pozitivisht për marrëdhëniet gjermano-ruse dhe gjermano-kineze. Merkeli sapo është kthyer nga vizitat në këto vende. Në lidhje me Iranin ajo u tregua skeptike se raunde të tjera bisedimesh mes Teheranit dhe BE-së mund të sjellin përparim në çështjen bërthamore. Ajo tha se nuk mund të dallonte që Irani punon me seriozitet për zgjidhjen e problemeve me Agjencinë Bërthamore Ndërkombëtare. Edhe në lidhje me Afganistanin mbizotëronte skepticizmi:

"Afganët e kanë thënë vetë se duan ta marrin në 2014-ën përgjegjësinë për sigurinë. Këtë bashkësia ndërkombëtare e ka përshëndetur. Këtu duhet bërë dallimi me një datë të qartë tërheqjeje. Dhe tani duhet parë fillimisht se si plotësohen kushtet për këtë."

E qartë është, tha Merkel, që Afganistanit do t'i duhet edhe pas 2014-ës ndihma financiare ndërkombëtare.

Autor: Bettina Marx/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi