1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel fton Albin Kurtin në Berlin

8 Shkurt 2020

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka uruar kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti për detyrën e re dhe e fton atë në Berlin. Merkel thekson mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë për Kosovën.

https://p.dw.com/p/3XSPV
Deutschland | PK von Angela Merkel und Jens Stoltenberg
Fotografi: imago images/Metodi Popow

Kancelarja Merkel e uron së pari përzemërsisht kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti për detyrën e re. Kështu shkruhet në një njoftim për shtyp të qeverisë gjermane të publikuar të shtunën (08.02). Më tej në urimin e saj, Merkel thekson, se "para jush dhe qeverisë tuaj ndodhen detyra të vështira".

Kancelarja gjermane përmend ngritjen e forcimin e shtetit ligjor në Kosovë, luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, përmirësimin e gjendjes ekonomike si "hapa qendrore për forcimin e perspektivës europiane të Kosovës." Por ajo thekson veçanërisht "dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë" si detyrat e rëndësishme të qeverisë së re.

Kosovo l Albin Kurti wird neuer Ministerpräsident
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Në urimin për zotin Kurti, kancelarja gjermane thekson edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në këtë rrugëtim të Kosovës drejt Bashkimit Europian. "Qeveria gjermane do të vazhdojë edhe më tej t'iu mbështesë në këtë rrugë."

"Gëzohem t'iu pres në Berlin dhe iu uroj fat e suksese në realizimin e detyrave para jush", e përfundon Merkel urimin e saj për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

la/ag