1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel: Greqia nuk kërcënohet nga falimentimi

22 Mars 2010

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar që të mos vazhdojë diskutimi për masa të tjera të BE për Greqinë. Ky vend nuk kërcënohet nga falimentimi, tha ajo.

https://p.dw.com/p/MYhM
Merkel: vendet e BE të rrisin eksportin
Merkel: vendet e BE të rrisin eksportinFotografi: AP

DLF: BE paralajmëron që të mos ketë ulje të mëdha të taksave, njëkohësisht ministrja franceze e financave Lagarde i kërkon RFGJ që të nxisë konjukturën e brendshme dhe e kritikon Gjermaninë si kampione bote në eksport.

Merkel: Po ne e kemi nxitur konjukturën e brendshme. Po të mbani parasysh se para tri muajsh, pra në 1 janar 2010 bëmë një lehtësim prej 20 miliardë eurosh nga barra e taksave, ky është një stimul për konjukturën. Dhe ne jemi shumë të gëzuar që në vitin 2009 konsumi i brendshëm u rrit praktikisht.

Kjo do të thotë, që Gjermania arriti ta mbajë konstant konsumin në krizë, edhe përballë një rënieje ekonomike prej pesë përqind. Le të gjendet një i dytë që ta ketë arritur këtë si ne. Kritika nxitet nga fakti që Gjermania ka një tepricë në eksporte, kjo do të thotë që ne eksportojmë më shumë se sa importojmë. E kjo ka të bëjë me faktin se ekonomia jonë punon në mënyrë shumë efikase, që punëmarrësit dhe sipërmarrjet kanë ndërmarrë shumë racionalizime dhe përmirësime të efikasitetit e shumë të tjera.

Dhe nga kjo përparësi në konkurencë ne natyrisht që nuk do të heqim dorë, kjo do të ishte shumë e gabuar. Përkundrazi, në Evropë, në kuadër të qeverisë ekonomike, të cilën duam ta krijojmë ne si kryetarë shtetesh dhe qeverish ne duhet të shkëmbejmë shembujt më të mirë dhe të themi: si mund të mësojnë të tjerët nga shembujt e mirë gjermanë dhe si mund të mësojë Gjermania në drejtime ku të tjerët janë përpara, si për shembull në investimet moderne të infrastrukturës si kablli i gjerë i shpejtësisë së lartë, ose gjëra të ngjashme, ku ne nuk jemi të vetmit që kryesojmë.

DLF: Por kritika që vjen nga Franca ka si synim të nxjerrë në pah që modeli "rritje ekonomike prej eksportit" vjen në radhë të parë nga Gjermania në kurriz të vendeve të tjera anëtare të BE. Tani krerët e BE do të takohen javën e ardhshme në Bruksel. Në radhë të parë atje do të diskutohet për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi. Por pas kësaj qendron edhe çështja: a është në gjendje Evropa të veprojë e bashkuar për çështje kaq dramatike, kur dy motorët më të rëndësishëm të Evropës - Gjermania dhe Franca - janë kaq larg njëra-tjetrës për çështje kaq të rëndësishme?

Merkel: Në radhë të parë unë nuk mendoj se bëhet fjalë për atë, që si mund t'i kufizojë eksportet e tij ai që eksporton në mënyrë efikase, por fjala është që si mund të forcohen vendet që sot nuk janë kaq të forta në eksport. Kjo është detyra që shoh unë.

Dhe së dyti, pika kryesore e Këshillit të ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë si do të veprojmë ne me Greqinë, por se si mund të zhvillojmë deri në vitin 2020 një strategji ekonomike, të lidhur ngushtë me anët e forta të ekonomive tona në Evropë. BE 2020 është detyra dhe si mund t'i koordinojmë ne përpjekjet tona ekonomike në sektorin e kërkimeve dhe të zhvillimit, të arsimit dhe të shumë gjërave të tjera...

Dhe pika e tretë që është për diskutim është natyrisht çështja: si do të vejë më tej puna e Greqisë? Greqia ka një deficit shumë të lartë prej rreth 13% këtë vit. Dhe këtu shihet se po ta thuash me një gjuhë të përgjithshme ekziston rreziku që të falimentojnë edhe shtete. Dhe prandaj ka qenë e rëndësishme dhe e drejtë, që Greqia ka hartuar një program, një program i cili përmban reduktime të forta të deficitit. Dhe në zbatimin politik të kësaj ne e mbështesim Greqinë.

Unë besoj se Greqia në mënyrë akute - dhe këtë ma përsëriti disa herë kryeministri grek - nuk ka kërkesa financiare ndaj Komunitetit Evropian. Nuk ekziston rreziku i falimentimit.

Unë e përsërit edhe njëherë - zgjidhja më e mirë për Euron është që Greqia t'i zgjidhë e vetme problemet e saj, natyrisht me mbështetjen politike të shefave të shteteve dhe të qeverive të BE.

Autor: DLF/ Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani