1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidati për president i republikanëve

Kristina Bergman2 Mars 2007

Senatori amerikan McKejn synon të bëhet pasardhës i Bushit

https://p.dw.com/p/ArJK
Senatori Xhon McKejn
Senatori Xhon McKejnFotografi: AP

Në nëntor 2008 në SHBA do të zgjidhet presidenti i ri. Mbajtësi i postit Xhorxh Bush nuk mund të rikandidojë, ndaj kandidatët janë duke hyrë në garë jo vetëm prej demokratëve por edhe nga republikanët. Të mërkurën (28.02) u konkretizua edhe kandidatura e senatorit republikan Xhon McKejn. Në zgjedhjet e vitit 2000 McKejn humbi në garën me Bushin qysh në fushatën paraprake. Kësaj here ai është konkurenti më i fortë brenda partiak për ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudolf Xhuliani.

"Unë deklaroj, se do të kandidoj në garën për postin presidencial." Deklarata e Xhon McKejnit në programin e Dejvid Letermanit në televizionin CBS ishte e papritur, ndonëse senatori qysh në nëntor ka angazhuar komisionin përkatës të sondazhid.

Përpara shtatë vjetësh McKejn u përpoq një herë që të emërohej si kandidat për republikanët. Askohe ai dështoi kundrejt Xhoxh Bushit. Këtë të fundit qysh prej asaj kohe ai e ka mbështetur, kryesisht lidhur me politikën ndaj Irakut. McKejn është për shtimin e trupave në Irak dhe herë pas here i ka hedhur poshtë kërkesat për tërheqjen e shpejtë të trupave nga Iraku. Në nëntor 2005 ai tha, se tërheqja nuk duhet të orientohen sipas afateve të ngurta të planifiuara, por në varësi të sukseseve: "Eshtë e rëndësishme që të kemi parasysh, se një tërheqje e parakohshme nga Iraku, siç propozon fraksioni i atyre që kërkojnë me çdo kusht tërheqjen, çon ujë në mullirin e terroristëve."

Në debatin aktual për buxhetin për misionin në Irak, senatori 70 vjeçar bashkë me të tjerë senatorë ka paraqitur një rezolutë, që garanton financimin, por që u parashtron kërkesa konkrete irakianëve. Angazhimi i Amerikanëve në Irak, thuhet në këtë rezolutë, nuk duhet të jetë i pafund.

Në rezolutë përmendet gjithashtu, se amerikanët kanë bërë gabime në të kaluarën. Për këtë McKejn akuzon kryesisht ish-ministrin e mbrojtjes Donald Ramsfelld. Ky do të hyjë në histori si ministri më i dobët i mbrojtjes në ShBA, tha McKejn.

Por senatori i thinjur jo gjithmonë e mbështet politikën e Bushit. Në diskutimin për ngjarjet në burgun e Abu-Graibit në Irak, McKejn ka pasur një pozicion të qartë: Autoritetet e ShBA duhet që të ndalojnë torturat dhe trajtimet brutale të të burgosurve: "Imazhi ynë është cënuar. Ne duhet ta korrigjojmë atë duke i thënë botës, se nuk i tolerojmë barbaritë. Tortura nuk funksionon, përdorimi i saj është jo vetëm i dëmshëm por edhe kundërproduktiv."

McKejn e di përse flet. Në tetor 1967 ai si pilot i marinës është qëlluar me avionin e tij në luftën e Vietnamit. Ai si pasojë theu të dy krahët dhe një këmbë dhe u mbajt si rob prej vietnamezëve të veriut, i burgosur në qeli të veçantë. Ai ka provuar rrahjen dhe ka mbetur pa trajtim mjekësor. Pas pesë vjetësh e gjysmë ai mundi të kthehet pranë familjes.

Në vitin 1981 McKejn i dekoruar u shkëput prej shërbimit në marinë dhe iu përkushtua politikës. Një vit më vonë ai u zgjodh deputet i kongresit për Arizonën dhe qysh nga viti 1986 është senator.

McKejn është i martuar dhe ka shtatë fëmijë. Në garën për kandidaturën presidenciale ai ofron përvojë në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes. Ndër të tjera ai është kryetar i komisionit të republikanëve në senat për forcat e armatosura.

Qëllimi që i ka vënë vetes ai, siç përshkruhet në faqen e tij të internetit, është që të luftojë burokracinë në Uashington, të shmangë shpenzimet e kota të qeverisë dhe të forcojë ushtrinë. Pas rizgjedhjes si senator në vitin 2004 ai fitoi me 77% të votave.

Ai thotë edhe diçka tjetër: që shtetet federale duhet të forcohen në aspektin legjislativ p.sh. sa i përket çështjes së abortit. Në këtë drejtim ai preferon, që të tërhiqet vendimi i gjykatës supreme të vitit 1973, sipas të cilit aborti nuk ndiqet penalisht.

Amerikanët gjithësesi duhet të presin deri në prill, kur do të bëhet shpallja zyrtare e kandidaturës së McKejnit.