1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kantieri tjetër që pret BE-në - reforma e sistemit të pensioneve

18 Gusht 2010

Nëntë ministra Financash të BE-së i kanë dërguar një letër Komisionerit të BE-së për ekonominë me propozimin që reforma e pensioneve të futet në legjislacionin e BE-së për buxhetet. KE mirëpret propozimin.

https://p.dw.com/p/Opho
Evropa përballë sfidash në sistemin e pensioneve.
Evropa përballë sfidash në sistemin e pensioneveFotografi: picture-alliance / OKAPIA KG, Germany

Komisioni Evropian ka konfirmuar në fillim të kësaj jave kërkesën e nëntë vendeve të Bashkimit Evropian, që të merret në konsideratë në legjislacionin e BE-së për kalkulimet buxhetore, reforma e sistemit të pensioneve. KE-së letra i erdhi nga ministrat e Financave të Polonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Çekisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Sllovakisë dhe Suedisë.

Reforma e pensioneve - çështje e kohës në BE

Amadeu Altafaj, zëdhënësi i Komisionerit Evropian për ekonominë dhe çështjet monetare, Oli Rehn tha në një informacion për mediat se "Komisioni dhe Komisioneri Rehn po e analizojnë propozimin dhe se do të përpilohen përgjigje për këtë në ditët e ardhshme", njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Deri më tani Komisioni Evropian nuk ka një pozicion të qartë për këtë çështje. Sipas zëdhënësit Altafaj megjithatë reforma e pensioneve "është një çështje e kohës, që ka nevojë të trajtohet tani, pasi jemi në procesin e diskutimit të elementëve të ndryshëm për drejtimin e ekonomisë. Sigurisht që Komisioni dëshiron që çështja e forcimit të kritereve për deficitet publike të merret shumë seriozisht, kështu që është shumë aktuale që kjo çështje të ngrihet tani." Ndoshta kjo çështje do të diskutohet edhe në takimin e ministrave të Financave të BE-së në 6 shtator, ku do të debatohet mbi ndryshimin e legjislacionit evropian për buxhetet për të parandaluar krizat si ajo e Greqisë.

Olli Rehn
Komisioneri Oli RehnFotografi: AP

Reformat e pensioneve janë iniciuar në disa vende të BE-së

Reforma e sistemit të pensioneve është një çështje me prioritet urgjent në të gjithë Bashkimin Evropian. Në të gjitha vendet e BE-së pritet të tronditen sistemet e pensioneve për shkak të ndryshimeve demografike. Disa vende kanë ndërmarrë hapat e parë për reforma, në disa të tjera priten reforma të thella, të cilat nuk priten me duartrokitje nga qytetarët, por me protesta. Në qershor në Francë qeveria si kyç të reformës së pensioneve përcaktoi rritjen e moshës së pensionit nga 60 në 62 vjeç. Vendimi u prit me greva, ku morën pjesë gati dymilionë qytetarë. Por lufta e vërtetë do të nisë në vjeshtë, kur parlamenti francez të konsultohet lidhur me ligjet për pensionin.

Protesta në Athinë pas masave të qeverisë për rimëkëmbjen e buxhetit, ndër to rritja e moshës së pensionit
Protesta në Athinë pas masave të qeverisë për rimëkëmbjen e buxhetit, ndër to rritja e moshës së pensionitFotografi: AP

Edhe Greqia mori masa urgjente. Në kuadër të paketës së rikëmëkëmbjes së financave të shtetit, qeveria e Greqisë vendosi reformimin e sistemit të pensioneve duke e rritur moshën e pensionit nga 60 në 65 vjeç. Vendimi shkaktoi indinjatë që u kurorëzua me greva të përgjithshme në Greqi.

Rumania dhe Bullgaria - Dy vendet me sistemet më të lëkundshme të pensioneve në BE

Më delikate gjendja e sistemit të pensioneve paraqitet në Rumani dhe Bullgari. Në Rumani prej vitesh nuk janë zgjidhur problemet strukturore të shoqërisë. Rumania, po ashtu si Bullgaria janë vendet me pensionet më të ulëta. Në Rumani balanca ndërmjet atyre që tërheqin pension dhe popullsisë aktive për punë është prishur prej kohësh. Rreth gjashtë milionë qytetarë marrin pension shtetëror, ndërkohë që vetëm katër milionë vetë janë në marrëdhënie pune. Një rregullore e daljes para kohe në pension është fajtore për këtë gjendje. Politika me këtë rregullore fsheh papunësinë. Nga një statistikë aktuale del se çdo i gjashti pension i parakohshëm për shkak sëmundjeje në Rumani është i manipuluar. Sipas këtyre statistikave nuk është çudi që mosha reale e daljes në pension në Rumani është vetëm 55 vjeç.

Pamje simbolike e deficitit buxhetor në Rumani
Pamje simbolike e deficitit buxhetor në RumaniFotografi: DW

Ndërkohë qeveria po përpiqet të gjejë alternativa të ndryshimit të gjendjes. Aktualisht diskutohet tatimi i të gjitha pensioneve, jo vetëm atyre të larta. Një variant tjetër që diskutohet është edhe rritja e moshës së pensionit në 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.

Edhe Bullgaria nuk është në gjendje më të mirë. Në fillim të vitit 2010 arka shtetërore e pensioneve në këtë vend paraqiste një deficit prej 1,2 miliardë eurosh, deficit ky që duhej të mbulohej nga buxheti shtetëror. Shkaqet për deficitin e thellë në pensione janë nga më të ndryshmet. Rritja e shtresës së pensionistëve është më e dukshmja.

Salla plenare e parlamentit bullgar
Salla plenare e parlamentit bullgarFotografi: DW

Ndryshimet demografike kanë prekur edhe këtë vend. Një faktor që luan rol në ndryshimet strukturore në shoqëri është emigrimi. Rreth 800.000 vetë kanë braktisur Bullgarinë. Por zhvillime të tilla nuk vijnë vetëm nga situata demografike. Rol negativ luan në këtë drejtim edhe shkurtimi gati përgjysmë i sigurimeve të detyrueshme për pensionin në vitet e fundit. Një faktor tjetër gjithashtu është sigurimi që bëjnë punëdhënësit për të punësuarit. Shumë prej tyre i sigurojnë punonjësit mbi bazën e rrogës minimale, duke i siguruar më keq, megjithëse i paguajnë më shumë. Pensioni mujor në Bullgari mesatarisht kap vlerën e 150 eurove. Kështu që për të mbijetuar, pensionistëve në këto kushte i duhet patjetër një lidhje e ngushtë familjare.

AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti