1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karikaturat daneze dhe mediat amerikane

Daniel Scheschkewitz8 Shkurt 2006

Në SHBA-s jetojnë rreth 2 milionë myslimanë. Ndonëse pas 11 shtatorit 2001 pati shpesh konflikte etnike dhe fetare, në përgjithësi bashkëjetesa mes feve të ndryshme në SHBA-s është paqësore. Mediat amerikane informuan me hollësi mbi karikaturat që u publikan në Danimarkë, por vetëm pak prej tyre i ribotuan sërish karikaturat në fjalë.

https://p.dw.com/p/ArMV
Fotografi: AP

Nga të gjitha kanalet e mëdha televizive amerikane, vetëm stacioni ABC ripublikoi një karikaturë mbi profetin Muhamed. Sipas një zëdhënëseje të këtij stacioni televiziv, ribotimi ishte i nevojshëm për të ilustruar më qartë debatin e flaktë mbi këtë temë. Pjesa tjetër e këtij debati u përshkrua vetëm me fjalë, tha ajo.

Edhe stacionet e tjera NBC, CBS dhe CNN raportuan mbi këtë debat, por pa rishfaqur ndonjë nga karikaturat në ekranet televizive. Edhe agjensia e lajmeve AP nuk pranoi të ripublikojë ndonjë nga karikaturat në fjalë.

Kushdo që i kërkoi vizatimet daneze në gazetat apo televizionet amerikane mbeti i zhgënjyer. Përveç gazetës "Philadelphia Inquirer", në të cilën u ribotuan disa karikatura. Amanda Benett, shefja e gazetës, duhet të qetësonte një grup me demonstrues, të cilët u mblodhën menjëherë përpara ndërtesës së kësaj gazete.

"Ju siguroj se as unë dhe as gazeta nuk kemi ndonjë interes për t´ju fyer ju apo fenë tuaj. Unë dua t´ju them se jam krenare që ju e përdorët të drejtën tuaj për lirinë e fjalës duke u mbledhur përpara ndërtesës sonë" - tha ajo.

Gazeta "Philadelphia Inquirer" ripublikoi një karikaturë, në të cilën profeti Muhamed mban mbi kokë një bombë. Sidoqftë kjo karikaturë nuk u botua në faqen e parë të gazetës, por diku nga fundi dhe e shoqëruar me disa shpjegime të debatit që ka nisur pikërisht për shkak të këtyre karikaturave. Bennett shpjegon më tej:

"Kjo është një histori shumë e rëndësishme, prandaj deshëm t´i shpjegojmë sa më mirë çdo detaj lexuesve tanë. Karikatura që botuam kishte vetëm këtë qëllim."

Ndërkohë "Boston Globe" reagoi ndryshe. Kjo gazetë raportoi gjithashtu me hollësi mbi karikaturat daneze, por vendosi që të mos publikojë asnjë nga to. Shefi përgjegjës Marty Baron shpjegon:

"Ne hasemi shpesh me fotografi apo vizatime, nga të cilat ndjehet shpesh i fyer një grup fetar. Politika jonë në redaksi është që në raste të tilla, të mos i publikojmë këto materiale."

Po në këtë mënyrë vepruan edhe gazetat "Washington Post" dhe "New York Times". Ndërkohë "New York Sun", një gazetë bulevardeske publikoi dy nga karikaturat provokuese.