1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katastrofat natyrore të vitit 2005

Ulrike Mast-Kirschning24 Dhjetor 2005

Globalizimi ngjall tek shumë njerëz përshtypjen se pjesët e botës janë afruar edhe më shumë – por a është bërë ajo edhe më e aftë për të vepruar dhe më e drejtë? Uniteti i së shumëpërmendurës „bashkësi ndërkombëtare“ kërkohet sidomos në rastet e përballimit të katastrofave natyrore. Por cila është kjo bashkësi? Kush është pjesë e saj e kush jo? : Një vështrim retrospektiv nga Ulrike Mast-Kirschning.

https://p.dw.com/p/ArMr

„Na nevojitet ndihma e qeverive, e qytetarëve, e sektorit privat, nga secili që mund të dhurojë një euro, një stërlinë apo një dollar. Pamë shumë bujari gjatë cunamit. Ajo na duhet edhe tani. E di që ky ishte një vit i keq për sa i takon katastrofave natyrore. Nisi me cunamin, uragani Katrina, fatkeqësia në Amerikën Qendrore, tani kemi tërmetin. Mund të ketë njëfarë lodhjeje, por ne kemi nevojë për ndihmën tuaj për të shpëtuar jetë.“

Bindshëm Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i bën thirrje gatishmërisë së njerëzve në mbarë botën për të dhuruar ndihma. Tërmeti që tronditi aq fuqishëm tokën në rajonin e Kashmirit më 7 tetor kushtoi deri tani më shumë se 75.000 jetë njerëzish, rrëzoi shtëpi, shkatërroi fshatra dhe bazën e jetesës së shumë njerëzve. Tani ka ardhur dimri në rajonet pjesërisht të largëta malore. Të lënduar, të traumatizuar dhe shpesh pa veshje të ngrohtë viktimat e tërmetit duhet të përballen me luftën e përditshme për mbijetesë.

Viti 2005 – një vit i katastrofave natyrore: organizatat e ndihmave dhe dhuruesit kanë arritur caqet e kapaciteteve të tyre.

Magazinat e Kombeve të Bashkuara në Evropë dhe Azi janë zbrazur. Bashkërenduesi i ndihmës emergjente të Kombeve të Bashkuara Jan Egeland raportoi në një konferencë dhuruese në nëntor se 4 milion batanije ishin rrugës për në rajonin e tërmetit në Pakistan, por se çadrat dhe ngrohjet e nevojshme mungonin. Me katër misione të mëdha për katastrofat midis rajonit të prekur nga cunami dhe Kongos së shkatërruar nga lufta Organizata e Kombeve të Bashkuara ndjehet tani e mbingarkuar. Disa organizata të bashkësisë ndërkombëtare ndihmojnë tani në bazë kredidhënieje. Kjo edhe për arsye se shtetet e Gjirit Persik i bënë premtimet e tyre zemërgjera jo për ndihmë të menjëhershme, por për rindërtim. Tepër vonë paralajmëron Jan Egeland, atij i duhen tani më shumë para për ndihmë emergjente, dhe ankohet që këtë herë edhe dhuruesit privatë dhe biznesi tregohen më të përmbajtur.

„Sikur të kishte pasur më shumë pamje turistësh gjatë tërmetit, gërmadhash që kanë zënë poshtë fëmijë e njerëz – atëherë do të kishte edhe më shumë dhurim ndihmash.“

Një bilanc i hidhur i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në fund të vitit 2005, e cila në mënyrë kronike nuk financohet mjaftueshëm.

Viti filloi aq shpresëdhënës për bashkësinë ndërkombëtare me përballimin e sfidave të natyrës, shprehjen e solidaritetit në rastin e tërmetit, i cili me masën e ujit mbuloi në jug të Azisë njerëz të të gjitha shtresave dhe të shumë rajoneve të botës. Klaus Schwab, themelues i forumit ekonomik botëror, bëri pak pas katastrofës një bilanc udhërrëfyes në takimin tradicional të elitës në Davos në Zvicër:

„Nëse mund të nxjerrim një mësim prej kësaj, atëherë këtë: katastrofa tregoi se ne mund të ballafaqohemi vetëm bashkarisht me sfidat e mëdha, globale; qofshin këto të shkaktuara nga natyra apo nga njeriu. As afaristët, as qeveritë e as shoqëria civile nuk mund ta bëjnë këtë të vetëm. Davos pasqyron këtë ndërgjegje.“

Fjalë dhe vizione shpresëdhënëse që për popullsinë e qytetit New Orleans i morri lumi pak muaj më vonë.

Organizata mjedisore WWF (World Wildlife Fund) pret që 2005 të hyjë në histori si viti më i nxehtë, më i stuhishëm dhe më i thatë – së paku për sa mund të përcaktohet me anë të matjeve. Ngrohja globale duket e pandalshme e pikërisht këtë shkencëtarë seriozë e konsiderojnë arsyen për ekstremet në rritje të motit.

Rajoni i Atlantikut përjetoi një sezon me uraganë tepër të fuqishëm: rreth 20 stuhi të tilla ishin paralajmëruar për 2005, por në të vërtetë numri i atyre që frynë mbi ujin dhe rajonet bregdetare të kontinentit amerikan ishte aq i madh saqë për të parën herë u përdorën emra me gërmat e alfabetit grek, pasi ai latin ishte mbaruar.