1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kater: Një vendim i shpejtë mbi statusin garanci për sigurinë

1 Nëntor 2006

KFOR-i kontribuon për sigurinë dhe rendin duke krijuar edhe kushtet e përshtatshme për marrjen e vendimeve politike, thekson gjenerali Roland Kater, komandant i KFOR-it në Kosovë

https://p.dw.com/p/ArbU
Roland Kather merr komandën e KFOR, Prishtinë 1 shtator 2006
Roland Kather merr komandën e KFOR, Prishtinë 1 shtator 2006Fotografi: AP

Vilma Filaj-Ballvora: Zoti Kater, ju jeni në detyrë në krye të KFOR-it në Kosovë që nga 1 shtatori, pra ende s´janë mbushur njëqind ditë kur si rëndom bëhen bilance. Megjithatë këto dy muaj kanë qenë mjaft intensive sa i përket zhvillimeve politike: bisedimet për statusin vazhdojnë, ndërsa në fundjavë u zhvillua referendumi në Serbi lidhur me kushtetutën. A mundet që edhe sot, shtatë vjet pas luftës, misioni i KFOR-it në Kosovë të konsiderohet si sfidë?

Roland Kater: Unë do të thoja se misioni i KFOR-it në këto shtatë vite ka qenë një sukses i madh, sepse ne kemi arritur të krijojmë këtu një ambjent paqësor, në të cilin të gjithë ne përgatitemi për një të ardhme, shpresoj të mirë, për Kosovën në përgjithësi. KFOR-i, ka dhënë një kontribut të rëndësisëhm për këtë. Ne jemi sot një familje e fortë me 18 mijë trupa që vijnë nga 35 kombe. Kjo trupë, në bashkëpunim me OKB-në, por në radhë të parë në bashkëpunim edhe me njerëzit këtu në vend, kujdeset çdo ditë, që këtu të ketë paqe, që të garantohet siguria, dhe që politika të ketë mundësinë të marrë vendimet e nevojshme. Unë mendoj, se ky është një kontribut thelbësor. Gjatë ditëve të fundit unë kam udhëtuar shumë nëpër qytete dhe fshatra, dje isha në Gjilan, atje kam biseduar me njerëzit dhe kam pirë kafe me ta në rrugë, në një ditë të bukur pothuajse si një ditë vere. Kam përshtypjen, se njerëzit në Kosovë kanë besim tek KFOR-i. Dhe këtë besim ata mund ta kenë, sepse e dinë shumë mirë që ne jemi miq të vendit, ne jemi këtu për të gjithë njerëzit në këtë vend, sigurisht jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjithë banorët e tjerë të këtij vendi të mrekullueshëm. Për këtë ja vlen të punosh dhe për këtë unë kam ardhur me kënaqësi këtu.


Vilma Filaj-Ballvora: Në Serbi u miratua me referendum kushtetuta e re. Në preambulën e kësaj kushtetute Kosova përkufizohet si pjesë integrale e Serbisë. Mendoni se kjo do të influencojë procesin e statusit nga njëra anë dhe gjendjen e sigurisë nga ana tjetër?


Roland Kater: Unë nuk mund të gjykojë tani këtu nëse ajo do të influencojë në çështjen e statusit. Kjo është një temë që po diskutohet mjaft intensivisht në Vjenë, në Nju Jork dhe në kryeqytetet e të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Sa ka ajo të bëjë me çështjen e sigurisë? Aktualisht në këtë vend kaq të bukur tani ka qetësi dhe stabilitet. Nga ana tjetër është e qartë se pritet shumë. Ne ndodhemi pikërisht drejt synimit për të marrë një vendim mbi të ardhmen e këtij vendi. Njerëzit presin shumë, e natyrisht që ne si trupë e KFOR-it me 18 mijë ushtarët tanë jemi të angazhuar dhe mbështesim ndërmjetësuesin Ahtisari në çdo drejtim. Ne mbështesim politikën ndërkombëtare, duke u kujdesur bashkë me UNMIK-un për paqen dhe rendin, në mënyrë që të krijohen kushtet që të merren vendimet përkatëse politike. Ndaj tani unë mendoj, se gjendja e sigurisë do të jetë nën kontroll për një periudhë të parashikueshme. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo të garantohet. Këtë e di kushdo në këtë vend. Unë kam folur me shumë njerëz dhe me shumë politikanë dhe udhëheqës fetarë, kam kontakt të rregullt me komandantët e mi. Por, në radhë të parë unë bisedoj rregullisht me njerëzit në vend dhe kam përshtypjen, se njerëzve u ka ardhur dhuna në majë të hundës (për ta formuluar me fjalë të thjeshta) njerëzit nuk duan asgjë tjetër veçse të jetojnë në paqe dhe liri. E për këtë ne ndodhemi këtu.

Vilma Filaj-Ballvora: E megjithatë, në një kohë kur ende nuk është zgjidhur çështja e statusit, a mund të flitet për çtensionim dhe siguri?

Roland Kater: Jo, sigurisht që ne nuk mund të flasim për çtensionim. Gjendja tani, pikërisht në këto minuta është e qetë, por për fat të keq ajo nuk është e qëndrueshme. Situata ka një farë tensioni, njerëzit presin me tension atë që do të vijë. Unë vetëm mund të them se për arësye sigurie, nga gjykimi im personal, kjo do të varet nga shpejtësia që do të mund të merret vendimi për statusin. Sepse po të merret shpejt, atëherë do të kishim siguri dhe kushdo do ta dinte se si do të shkojnë punët më tej. Njerëzit e presin këtë vendim, ndaj është e rëndësishme që ai të merret shpejt.

Vilma Filaj-Ballvora: Por zoti Kather, ditët e fundit është folur shpesh për mundësinë e shtyrjes eventuale të vendimit mbi statusin. Nga ana tjetër, siç vlerësojnë disa diplomatë, zgjidhja mund të jetë e tillë që asnjëra palë të mos mbetet e kënaqur. A e vështirëson kjo detyrën e NATO-s, që kujdeset për rendin dhe sigurinë në rajon ?

Roland Kater: Padyshim që kjo periudhë është mjaft interesante. Ka gjasë që vendimet politike të mos bëjnë askënd të lumtur. Por kjo nuk është detyra ime. Unë them, nëse ky vendim do të mund të merrej shpejt, atëherë do të kishte siguri. Unë them gjithashtu, që nëse mund të ketë një shtyrje, për çfarëdo arsyesh qoftë, kjo duhet t´u bëhet njerëzve e qartë dhe ata duhet të informohen, se përse bëhet kjo shtyrje. Dhe pas kësaj, çka është vendimtare, duhet të ruhet dinamika e procesit të vendimit. Duhet të ketë një kalendar fare të qartë, në mënyrë që njerëzit ta dinë, se çfarë do të ndodhë pas vendimit. Besoj, se nëse ndodh kështu, atëherë s´ka asnjë problem. Njerëzit s´kanë dëshirë për dhunë, e kësisoj ata fare lehtë do të ishin dakord dhe do ta pranonin vendimin. Mbi këtë bazë mund të mbështetemi. Ne do të japim për këtë kontributin tonë, por ajo që ne s´mund ta bëjmë, është marrja e e vendimeve politike. Madje ne kujdesemi, në këto kohë të vështira dhe me tension, që të mund të merren vendimet politike, duke krijuar terrenin e sigurt.

Vilma Filaj-Ballvora: A ka KFOR-i pikërëndesa rajonale në Kosovë lidhur me sigurinë?

Roland Kater: Tani për tani unë nuk mund ta konstatoj këtë. Kudo që ndodhem, unë kam qenë për herë të gjashtë apo të shtatë në veri të Kosovës, kam qenë edhe në lindje dhe në jug. Natyrisht, Mitrovica do të jetë gjithnjë një pikërëndesë e përqëndrimit të vëmendjes sonë. Sepse atje dy grupet vendimtare të njerëzve ndodhen direkt përballë njëri-tjetrit. Sigurisht që atje do të kemi vëmendje të veçantë. Ne do të jemi veçanërisht të vëmendshëm edhe në enklavat në qendër dhe në lindje vendit. Por kjo s´do të thotë, se ne shohim në perëndim dhe jo në jug. Aktualisht unë nuk e konstatoj një gjë të tillë. Ne duan të na bëjnë të besojmë, që gjendja është e ndryshme në varësi të rajoneve, por unë me gjithë vullnetin e mirë, nuk mund ta konstatoj këtë. Në veri është po aq qetë sa edhe në jug, po aq qetë sa edhe në lindje apo në perëndim. Ne kemi zgjedhur disa pikërëndësa, e këto janë më shumë në qendër nëpër enklavat dhe natyrisht edhe në Mitrovicë.

Vilma Filaj-Ballvora: Por gjendja e sigurisë është njëra anë e medaljes, ndërkohë që ana tjetër e saj është procesi i pajtimit dhe i bashkëjetesës midis grupeve etnike. Mendoni se janë shëruar plagët e urrejtjes në shoqërinë kosovare?

Roland Kater: Kjo është e vështirë të gjykohet. Por unë mund të them nga përvoja ime, ndoshta edhe si gjerman mund të them, se pajtimi kërkon kohë. Nëse vlerësoj si ka qenë gjendja në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, dhe sot shoh që ne kemi marrëdhënie të thella miqësie me të gjithë fqinjët tanë, se ne në vitin 1989 kishim ribashkimim, dhe sot në një proces që të bën përshtypje kemi arritur të integrojmë njerëzit nga Lindja dhe Perëndimi, se ushtarët e ish-ushtrisë popullore në RDGJ, pas shpërbërjes së saj, i kemi përfshirë në radhët Bundesverit, kjo tregon pikërisht atë që unë mundohem ta përçoj edhe këtu në Kosovë: pajtimi kërkon kohë. Kjo s´mund të arrihet brenda ditës. Unë e di qysh nga misioni im i parë këtu, kam qenë në vitin 1999 për herë të parë në Kosovë, dhe e di që përshembull thuajse të gjitha familjet, të gjitha klanet, kanë vuajtur prej kësaj lufte të tmerrshme. Ky proces kërkon kohë, sepse pajtimi nuk mund të arrihet në një ditë. Ndaj unë këshilloj për durim, kjo do të arrihet. Unë mendoj, se ndoshta mund të zgjasë për një brez, por do të vijë koha, kur edhe Kosova me të gjithë vendet fqinjë do të bashkëjetojë në paqe dhe harmoni. Për këtë jam i bindur thellë, pasi kam folur edhe me njerëzit këtu: njerëzit e duan këtë.

Vilma Filaj-Ballvora: Ministri i mbrotjes Fanc-Jozef Jung u shpreh për tërheqjen e trupave nga Bosnje-Hercegovina. Një ditë më parë edhe ish-ministri i mbrojtjes, Peter Shtruk u shpreh për përmbushjen e detyrës në Bosnje, duke theksuar, citoj: "se edhe Kosova ofron shansin për të verifikuar mundësinë e shkurtimit të kontigjentit të trupave gjermane. Mendoni edhe ju kështu?

Roland Kater: Misionet e Bundesverit diku duhet të kenë një fund të përcaktuar. Ne nuk mund të qëndrojmë kudo për dekada, ndaj unë vetëm mund të theksoj atë që kanë thënë të dy politikanët. Çështja konkrete, se kur do të shkurtojmë ne trupat në Kosovë, duhet të marrë përgjigje politike. Por unë u kam i siguruar njerëzit këtu, se KFOR-i do të qëndrojë këtu aq kohë sa njerëzit do të kenë nevojë për ne. Unë për këtë jam i bindur, por nuk mund ta përcaktoj këtë as në ditë, as në muaj apo në vite. Fillimisht ne na duhet vendimi për statusin, gjë që mundësisht duhet të arrihet sa më shpejt. Më pas do të kemi një periudhë tranzicioni, kohë kjo kur duhet të vihet në zbatim statusi. Pas zbatimit ne do të shohim më tutje dhe dikur do të nisim me planifikime shumë të kujdesshme, që hap pas hapi të përgatitet dorëzimi i më shumë përgjegjësive tek njerëzit, institucionet dhe organizatat në këtë vend. Sigurisht që dikur do të themi: "mission completed", pra detyra është përmbushur. Por kjo nuk mund të përcaktohet as në kohë dhe as në hapa, sepse është në varësi të situatës. Unë kam një ëndërr lidhur me këtë. Dëshiroj që një ditë kjo ëndërr të bëhet realitet. Endrra ime është që një ditë të vija si turist në këtë vend të bukur dhe që kampin ushtarak të kontigjentit të Bundesverit në Prizren t´ja dorëzoj kryebashkiut si një territor për kirjimin e universitetit të parë të lirë. Ky është qëllimi im final. Paskëtaj ndoshta nuk do të jetë më e nevojshme, që të ketë trupa këtu, kësisoj ushtarët gjermanë të KFOR-it dhe të gjithë ne të tjerët mund të kthehemi këtu si turistë.

Vilma Filaj-Ballvora: Ju zoti Kater, jeni njohës i rajonit. Ju jeni shprehur një herë, se "në Kosovë kthehem në atdhe", si mund të jetë perspektiva e Kosovës sipas mendimit tuaj?

Roland Kater: Tani për tani kjo është një pyetje shumë e vështirë. Po unë në një farë mënyre ndjehem i lidhur si me atdheun. Kjo ka të bëjë me intensitetin e një misioni të tillë, veçanërisht pas 1999-ës, kur gjendja ishte krejt ndryshe krahasuar me sot. Teksa erdha sërish këtu dhe shihja nga aeroplani, mendova, se po vij në një vend mëse normal evropiano-lindor. Ky është një zhvillim gjigand nga vitet 1999-2000 deri më sot. Mendoj, se ne të gjithë duhet të kontribuojmë që ky zhvillim të vazhdojë. Ajo që unë do të dëshiroja është një Kosovë e paqtë, një Kosovë, ku fëmijët të kenë një perspektivë, ku të ketë zhvillim ekonomik, ku njeriu të dojë të jetojë, ku ja vlen të punosh, ku njerëzit, kanë punë dhe sigurojnë të ardhurat dhe bukën, një vend që të ketë mirëqenie dhe për të cilin të mund të thuash vërtet, që njerëzit në këtë vend kaq të bukur jetojnë të lumtur dhe të kënaqur. Ky do të ishte një përfytyrim ideal, por kjo do të zgjasë.

Vilma Filaj-Ballvora: A mund ta përfytyroni se edhe sa kohë mund të zgjasë deri sa të arrihet në një stad tillë?

Roland Kater: Unë shpresoj së paku, që kjo nuk do të jetë një e ardhme e largët. Por është jashtëzakonisht e vështirë të bëhen tani parashikime konkrete kohore.