1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Keqardhje dhe justifikime

Betina Marx30 Korrik 2006

Pas bombardimit të Kanës reagimet nga Libani ishin mjaft të ashpra. Kryeministri Fuad Siniora, e cilësoi bombardimin si "masakër izraelite" dhe si "krim lufte" dhe kërkoi hetimin ndërkombëtar të këtij sulmi sulmit.

https://p.dw.com/p/ArKn
Ushtar i artilerisë izraelite
Ushtar i artilerisë izraeliteFotografi: AP

Izraeli hodhi poshtë çdo përgjegjësi për këtë masakër. Ushtria izraelite deklaroi, se sulmi kishte pasur në shënjestër një impiant raketash dhe se popullsia civile kishte qenë e paralajmëruar. Kryeministri izraelit Ehud Olmert shprehu keqardhjen e tij të thellë për viktimat dhe tha se vendi i tij përpiqet që të mos ketë viktima nga radhët e popullsisë civile.

Nga ana tjetër ministri izraelit i mbrojtjes Jitzchak Herzog nënvizoi në radion izraelite, se Kana është qendër e lëvizjes Hisbollah dhe se prej këtij vendi hidhen vazhdimisht predha ndaj veriut të Izraelit.

"Nga zona e fshatit Kana janë gjuatur ditët e fundit disa qindra predha në drejtim të Izraelit. Ato kishin si objektiv qytetet Kirjat Shmona, Afula, Maghaar dhe Pekiin. Të gjitha predhat që goditën aty vinin nga Kana. Ushtria u bëri disa herë thirrje banorëve që të largoheshin prej fshatit në mënyrë që të mund të asgjësonin granathedhësit. Incidenti është tragjik dhe i dhimbshëm. Më dhemb zemra kur dëgjoj për viktimat, por nuk duhet të harrojmë se prej aty u ndërmorën përpjekje për të vrarë mijëra izraelitë." - tha Jitzchak Herzog.

Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite Dan Halutz brachte shprehu gjithashtu, edhe pse i tërhequr keqardhjen për viktimat duke shtuar se përgjegjësinë për vdekjen e civilëve e kanë milicët hizbollah të cilët i përdorin njerëzit si mburoja: "Dua të them se na vjen keq për vrasjen e civilëve, pro ne i kishim paralajmëruar ata që të largoheshin prej kësaj zone dhe të mos shërbenin si mburoja humane për militantët hizbollah. Më vjen keq që prej bombardimeve u vranë një grup njerëzish që ishin mbledhur për t'u mbrojtur në një shtëpi, gjë të cilën ne nuk e dinim."

Sulmi mbi Kana nuk shkaktoi vetëm një breshëri katjushkash nga Libani në drejtim të veriut të Izraelit. Disa qindra demonstrues sulmuan selinë e misionit të OKB-së në Bejrut. Turma e cila protestonte kundër masakrës shkatërroi dritaret dhe ashensorët e ndërtesës.

Nga ana e saj ushtria izraelite po vazhdon të zgjerojë ofensivën e saj të trupave tokësore. Në Taibe, në rajonin kufitar mes Libanit dhe Izraelit ka pasur përpjekje mes ushtarëve izraelitë dhe milicëve hizbollah, njoftoi një zëdhënëse e ushtrisë izraelite në Tel Aviv.

Ushtria izraelite flet për dy ushtarë izraelitë të plagosur dhe tre luftëtarë hizbollah të vrarë. Kurse lëvizja hizbollah deklaroi në Bejrut se ka vrarë disa ushtarë izraelitë.