1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Do ishte gabim injorimi i muxhahedinëve në Shqipëri"

Lindita Arapi13 Mars 2016

Anne Khodabandeh (Singleton) gazetare angleze, drejtoreshë e Open Minds cultandterror.com, ish-aktiviste e muxhahedinëve e njohëse e organizatës, zhvendosjen e tyre e lidh me rreziqe potenciale jo vetëm për Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/1ICLY
Anne Khodabandeh
Fotografi: privat

Deutsche Welle: Z. Khodabandeh ju jeni e mendimit se Shqipëria me pranimin e një numri të ri muxhahedinësh i futet një rreziku me këtë hap. Në media ndërkombëtare është folur për rreth 2000 muxhahedinë të tjerë, që do të shkojnë në Shqipëri. Pse përbëjnë ata rrezik?

Anne Khodabandeh: Ka pasur mjaft vende të NATO-s, ku mund të shkonin muxhahedinët, por vetëm Shqipëria ra dakord t'i pranojë ata si refugjatë. Do të kishte qenë më mirë që ata të ishin shpërndarë në mes vendeve të ndryshme, në vend që t'i ngarkohej e gjithë barra Shqipërisë. Megjithatë zhvendosja e tyre është e mirëpritur, sepse këta njerëz duhet të lëvizin, sepse nuk janë në siguri. Tani ata do të kenë më shumë mundësi t'i ikin së shkuarës së tyre dhe të fillojnë jetë të re si qytetarë normalë.

Rreziku aktual për Shqipërinë do të ishte nëse "Organizata e Muxhahedinëve Khalq" nuk do të shpërbëhej. Shpërbërja nënkupton që çdo refugjat të trajtohej si një individ në bazë të ligjeve të UNHCR-s. Ata duhet të deradikalizohen dhe të integrohen sërish në jetën normale si qytetarë me shtëpi e familje. Kjo organizatë nuk duhet të lejohet të riorganizohet si grup pak a shumë ushtarak. Shqipëria nuk është aq e fortë se vendet e tjera europiane, dhe në këtë drejtim procesi do të jetë më i vështirë. Por nëse ia dalin, atëherë ky vend mund të marrë reputacionin e kryerjes së asaj që nuk e bënë as SHBA dhe as BE.

Në një artikull tuajin ju përmendni ,se me këtë grup rrezikohet futja e terrorit në Europë. Mendoni se vërtet nga Shqipëria do të vinte një rrezik terrori për Europën?

Më duhet të kujtoj se çdo anëtar i kësaj organizate që është vendosur në Shqipëri ka një histori të fortë radikalizimi. Ata kanë marrë pjesë në trajnime terroriste për dy dekada në Irak. Ata nuk do të ndryshojnë papritur, vetëm sepse emri i organizatës është hequr nga lista e grupeve terroriste, ose sepse fizikisht lëvizin në një vend tjetër, por mbeten ende terroristë. Shumë prej tyre kanë qenë të trajnuar nga ish-garda republikane e Sadam Huseinit për qëllime speciale, nga strategjia e përgatitjes së bombave dhe terrorit deri tek mbledhja e të dhënave të shërbimeve sekrete dhe torturat. Kësaj organizate i adresohet edhe shpikja e misioneve vetëvrasëse në vitet 70-të.

Po çfarë duhet të bëjë Shqipëria sipas jush?

Do të ishte gabim për autoritetet shqiptare ta injoronin organizatën e muxhahedinëve si të dalë kohe, thjesht sepse shumë anëtarë të saj janë të moshuar. Ata ndoshta nuk mund të jenë një forcë luftarake, por kanë aftësi të tjera të transferueshme dhe eksperiencë në trajnimin terrorist dhe logjistikën. Këtë mund të duan ta shfrytëzojnë organizata të tjera terroriste. Ata po ashtu kanë përvojë në larje parash, trafikim etj. Lokalizimi në Shqipëri, në cepin europianolindor mund të jetë atraktiv për ta si portë drejt Europës. Pa një vigjilencë të fortë, ata mund të kthehen në një urë lidhëse për liderë të tjerë terroristë.

Por muxhahedinët pas heqjes nga lista e organizatës terroriste mund të thuhet se shihen si aleatë të amerikanëve, ata luftuan edhe kundër Sadam Huseinit. Nuk mjafton ky fakt për të përjashtuar mundësinë e rrezikut që mund të rrjedhë prej tyre?

Organizata e muxhahedinëve nuk është konsideruar asnjëherë aleate aktuale nga ndonjë qeveri perëndimore. Këto qeveri mund të kenë pasur përfitime nga aktivitetet e dhunshme anti-iraniane të kësaj organizate dhe kanë mbyllur një sy. Por kjo organizatë nuk ka pasur kurrë ndihmë qeveritare, përveç qeverisë së Sadam Huseinit që i trajnoi dhe pagoi për ndryshimin e regjimit në Iran. Ka ekspertë amerikanë dhe vlerësime edhe brenda BE që e konsiderojnë organizatën e muxhahedinëve ende një rrezik "potencial" për interesat perëndimore.

Pse nuk i duan irakianët t'i kenë muxhahedinët në vend, kur ata ndihmuan edhe në rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit?

Muxhahedinët, duke iu referuar Ushtrisë Private të Sadam Huseinit ishin përgjegjës për vdekjen e 25.000 irakianëve, mes tyre kurdë, etj. Pra ata kanë shumë armiq në vend dhe siguria e tyre nuk garantohet. Pas rrëzimit të Sadam Huseinit, kjo organizatë e deklaroi veten si mike të amerikanëve dhe u çarmatos. Por për vite me radhë forcat irakiane të sigurisë kanë mbledhur informacione, se ky grup përbën ende kërcënim për paqen dhe stabilitetin në vend, sipas tyre, ekzistojnë lidhje të krijuara me Al-Kaidën dhe së fundmi me IS.

Në Shqipëri ai grup që jeton nuk bie në sy, pse duhet të jenë ata pikërisht tani rrezik për Shqipërinë?

Dihet se drejtuesit e organizatës së muxhahedinëve Masud dhe Maryam Rajavi janë duke planifikuar të krijojnë një port të sigurtë për ta në Shqipëri. Ata duan të rikrijojnë një shoqëri të mbyllur, ashtu si e kanë pasur gjithkund, në Irak, Amerikën Veriore dhe Europë, që ua bën të mundur të operojnë si një grup jashtë normave legale. Në Shqipëri ata mund të shfrytëzojnë shtetin relativisht të dobët, institucionet e sigurisë dhe ato sociale për të krijuar një enklavë jashtë ligjit për veten e tyre.

Por në Shqipëri ata jetojnë si azilantë politikë, domethënë ata janë inkuadruar brenda kuadrit ligjor shqiptar...

Nuk ka mundësi të jesh njëherësh refugjat politik dhe anëtar i një organizate terroriste. Për shkak se organizata e muxhahedinëve nuk është shpërbërë, de facto secili anëtar i saj që hyn në Shqipëri është faktikisht anëtar i një organizate terroriste, pavarësisht statusit si janë transferuar. Statusi i tyre i refugjatit zerohet, kur ata jetojnë në akomodimet e kësaj organizate apo i binden rregullave të saj. Autoritetet shqiptare nuk duhet të injorojnë faktin se këta njerëz janë edhe viktima të një abuzimi me kultin dhe jetojnë në kushtet e skllavërisë moderne. Asnjë anëtar i saj nuk lejohet të ketë kontakt me opinionin. Muxhahedinët mendojnë se përfaqësojnë pikëpamjet e dëshirat e të gjithëve, por që kur kanë mbërritur në Shqipëri rreth 200 prej tyre janë larguar. Organizatat humanitare ndërkombëtare duhet ta adresojnë këtë temë, pra muxhahedinët nuk duhet t'i mbyllin dyert kundrejt opinionit jashtë e nuk duhet të ndalojnë anëtarët që të kontaktojnë familjet e tyre në Irak e në botë.

Dikur, ju vetë keni qenë aktiviste e muxhahedinëve, pse u larguat prej tyre?

Po, ka ndodhur kur kam qenë në universitet, pas Revolucionit Iranian në vitin 1979, isha e re dhe naïve. Më thanë se ata luftonin për të drejtat e njeriut në Iran, por kur isha brenda organizatës pashë më shumë,… një atmosferë frike dhe sekreti. Kuptova se ata nuk po luftonin për të çliruar Iranin nga tirania, si thonin, po vetëm punonin për të shpëtuar udhëheqësit, kështu u largova.

Ekspertja angleze, Anne Khodabendeh, drejtoreshë e platformës së njohur online Open Minds cultsandterror.com, vetë ish-aktiviste e organizatës së muxhahedinëve, filloi në vitin 2001 një fushatë për ndihmën e viktimave të kultit. Në vitin 2011 botoi librin "Jeta në kampin Ashraf", ku jetonin shumë muxhahedinë. Sot ajo punon për Prevent Strategy në parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Britaninë e Madhe.