1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

291209 China Hinrichtung Europäer

29 Dhjetor 2009

Është kjo hera e parë që prej më se 50 vjetësh që në Kinë zbatohet dënimi me vdekje ndaj një shtetasi të një vendi evropian. Ministria e Jashtme britanike e dënoi ekzekutimin.

https://p.dw.com/p/LGCR
Akmal Shaikh, një ditë para ekzekutimit
Akmal Shaikh, një ditë para ekzekutimitFotografi: AP

Dy vjet me radhë organizatat për të drejtat e njeriut dhe qeveria britanike u lutën për mëshirë për Akmal Shaikh-un. Londinezi me origjinë nga Pakistani u ekzekutua mëngjesin e së martës (29.12.) në Kinë. Kjo është hera e parë që prej një gjysmë shekulli që Republika Popullore e Kinës zbaton dënimin me vdekje ndaj një qytetari të BE-së.

Tregtia e drogës dënohet në Kinë me vdekje

Akmal Shaikh, 53 vjeç, u arrestua në provincën perëndimore kineze Xinjiang. Në valixhen e tij policia gjeti katër kilogramë heroinë. Tregtia e drogës është një nga 68 krimet për të cilat në Kinë jepet dënimi me vdekje.

Organizatat për të drejtat e njeriut kishin argumentuar në kërkesat e tyre për falje me sëmundjen psiqike të Shaikh-ut dhe se droga i është vënë atij në valixhe nga kriminelë. Ai kishte fluturuar nga Taxhikistani për në Urumqi, kryeqytetin e provincës Xinjiang. Me sa duket ai mendonte të bënte atje karrierë në muzikën pop. Por ajo që ndërmjetësit i kishin vënë fshehurazi në valixhe ishte heroina.

Sheikh-u ishte i sëmurë psiqikisht

Në vitin 2008 britaniku dënohet me vdekje. Organizata britanike që u vjen në ndihmë të burgosurve, "Reprieve", kishte arritur në përfundimin se Sheikh-u ishte i sëmurë psiqikisht dhe kishte vepruar nën ndikimin e neurozës së tij obsesive. Por gjykatësit kinezë nuk i panë të provuara këto hipoteza. Nuk ka asnjë dëshmi për një sëmundje psiqike të babait të tre fëmijëve, u tha. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Jiang Yu, deklaroi se britaniku është dënuar për një krim serioz. Një krim i tillë dënohet ashpër kudo në botë, tha Jiang Yu. Veç kësaj britanikët janë informuar vazhdimisht gjatë zhvillimit të procesit. Pra procedura ka qenë plotësisht korrekte, tha zëdhënësja e Pekinit zyrtar.

Ekspertiza psikiatrike mungon

Marjorie Wallasse nga shoqata britanike për shëndetin psiqik ka tjetër mendim: "Nga sa kemi kuptuar ai nuk është kontrolluar si duhet. As nga mjekët kinezë, as nga mjekët e dërguar nga Britania e Madhe. Ne patëm kërkuar një ekspertizë psikiatrike."

Në një përpjekje të dëshpëruar për të penguar ekzekutimin, në fillim të javës kishin shkuar në Kinë dy kushërinj të të dënuarit. "Ne vërtet nuk jemi mjekë, por ai të lë përshtypjen e një njeriu të paqëndrueshëm psiqikisht. Ne kemi ende shpresë." - tha njëri prej tyre.

Kushërinjtë i kishin drejtuar një lutje kryetarit të shtetit dhe të partisë kineze, Hu Jintao. Një kërkesë për falje të kryeministrit britanik, Gordon Brown, Pekini e kishte refuzuar. Ditën para ekzekutimit, sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme britanike, Evan Lewis , u shpreh kështu në një intervistë për BBC: "Zoti Shaikh ka probleme serioze psiqike. Është krejt e papërshtatshme ta dënosh atë me vdekje. Ne kemi negociuar 27 herë me kinezët në nivel ministerial për rastin e Shaikh-ut. Unë ende shpresoj që kinezët të kuptojnë, se nuk është në rregull të dënosh me vdekje një burrë të sëmurë psiqikisht. Nuk është në rregull që nuk është bërë asnjë ekspertizë për gjendjen psiqike të zotit Shaikh. Kjo është e papranueshme!"

Askund në botë nuk ka më shumë ekzekutime me vdekje sesa në Kinë

Mediet kineze kanë parlajmëruar shtypin perëndimor për politizimin e rastit. Në gazetën "China Daily", penalisti Huang Feng, u shpreh: në nenin 347 të së drejtës penale kineze është përcaktuar qartë, se kontrabandistët e drogës që kapen me më shumë se 50 gramë heroinë apo substanca të tjera i kërcënon dënimi me vdekje.

Në Kinë dënohen me vdekje 68 krime. Askund në botë nuk ekzekutohen më shumë njerëz sesa në Kinë. Sipas Amnesty International gjatë vitit 2008 ky numër ishte 1.700.

Autor: Astrid Freyeisen / Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani