1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130610 Kirgistan Unruhen

14 Qershor 2010

Trazirat në qytetin Kirgiz Osh kanë shpërthyer sërish. Dëshmitarët flasin për një katastrofë humanitare. Qeveria tranzitore urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të popullatës.

https://p.dw.com/p/Nq5G
Dhunë dhe shkatërrim në Osh
Dhunë dhe shkatërrim në OshFotografi: AP

Është një luftë e vërtetë, deklaroi një udhëheqës i partisë Ata-Shurt. Gjithçka është përfshirë nga flakët, kufomat i sheh nëpër rrugë. Megjithë ndalimqarkullimin dhe urdhërin për të hapur zjarr, ushtria nuk arriti as në ditën e tretë që ta vërë nën kontroll gjendjen në Osh.

Qeveria urdhëron mobilizimin e pjesshëm të popullsisë

Të rinj me maska kaluan të dielën (13.6) paradite nëpër rrugët e qytetit të dytë nga madhësia të Kirgizisë dhe u vunë flakën pa dallim shtëpive. Minoriteti uzbekas masakrohet me plotëkuptimin e fjalës, bën të ditur Andrea Berg nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch. Ajo ka mbetur e bllokuar në Osh.

Harta e Kirgizisë me Bishkekun dhe qytetin Osh
Harta e Kirgizisë me Bishkekun dhe qytetin OshFotografi: DW

Qeveria tranzitore e Bishkekut ka urdhëruar ndërkohë një mobilizim të pjesshëm. Të gjithë rezervistëve, midis 18 dhe 50 vjeç u është bërë thirrje të paraqiten nën armë, deklaroi zëdhënësi i shtypit, Farid Nijasow: "Ata marrin armë dhe uniforma. Nëpër rrugë nuk janë njerëz dosido. Janë njerëz që kanë përfunduar shërbimin ushtarak dhe kanë mbledhur përvojë përkatëse ushtarake. Veç kësaj u nënshkrua një dekret, i cili lejon ushtrinë dhe trupat e Ministrisë së Brendshme si dhe milicinë që në orët e bllokadës të hapin zjarr kundër shkelësve të bllokadës." Numri i të vdekurve ndërkohë ka mbërritur në 80. Numri i vërtetë i viktimave vlerësohet në disa qindra vetë. Spitalet janë të stërmbushura. Mungojnë konservat e gjakut, medikamentet dhe fashot. Më shumë se njëmijë vetë janë plagosur deri tani në trazirat e dhunshme midis grupimeve kirgize dhe uzbeke.

80 të vrarë, spitalet janë mbushur me të plagosur në Kirgizi
80 të vrarë, spitalet janë mbushur me të plagosur në KirgiziFotografi: AP

Katasfrofë humanitare

Mijëra refugjatë janë mbledhur në kufi me Uzbekistanin fqinj. Dëshmitarët flasin për një katastrofë humanitare. Rajone të caktuara i kërcënon vdekja nga uria. Qeveria tranzitore kirgize i kërkoi sërish të dielën ndihmë ushtarake dhe pajisje Rusisë. Rusia e refuzoi të shtunën dërgimin e trupave të paqes. Argumenti që dha ishte se bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kirgizisë. Zëdhënësja e presidentit rus, Timakowa tha se hë për hë Rusia do të ofrojë ndihma humanitare. Një avion i parë i Mbrojtjes nga Katastrofat dërgoi medikamente dhe ushqime në këtë vend aziatikoqendror.

Në rrugën e kthimit avioni mori me vete të plagosur. Zëvendësi i kryemjekut të Mbrojtjes ruse nga Katastrofat, Sergej Nemajew deklaroi: "Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile. Fluturimin e përballuan mirë. Tani ata do të shpërndahen në spitalet e Moskës. Këtu do të marrin trajtimin, i cili nuk qe i mundur t'u jepej më në Kirgizi."

Kryeministrja tranzitore, Rosa Otunbajeva bëri sërish përgjegjës për gjakderdhjen mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Bakijev. Sipas saj, ata provokojnë qëllimisht tensione etnike, për ta destabilizuar politikisht Kirgizinë.

Të dielën, Bakijevi i cilësoi gënjeshtra këto deklarata. Që nga emigracioni ai e akuzoi për paaftësi qeverinë tranzitore. Sipas tij ajo nuk është në gjendje të mbrojë qytetarët e saj. Kirgizia ndodhet në prag të kolapsit, tha ai.

Autor: Christina Nagel/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi