1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kirgistan Notstand

7 Prill 2010

Opozita njofton për 100 të vdekur në protestat masive kundër qeverisë. Protestat nisën pas rritjes masive të çmimeve të ngrohjes dhe rrymës elektrike. Presidenti i vendit thuhet se ka braktisur kryeqytetin Bishkek.

https://p.dw.com/p/MpgS
Demonstratat e opozitës në Kirgizi
Demonstratat e opozitës në KirgiziFotografi: DW

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas trazirave në Kirgizi. Opozita, sipas pohimeve të veta ka marrë pushtetin. Udhëheqësja e opozitës Rosa Otunbajeva deklaroi në radion shtetërore se ajo do të drejtojë qeverinë kalimtare.

Situata në kryeqytetin e Kirgizisë Bishkek ka dalë jashtë kontrolli. Më kot forcat e sigurisë u përpoqën fillimisht që ta mbanin masën e revoltuar nën kontroll duke përdorur granata verbuese, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Më vonë situata u përshkallëzua, u qëllua me armë zjarri. Në shkëmbimet e zjarrit duhet të jenë përfshirë edhe demonstrues.

Qarqet e policisë dhe opozitarët njoftuan se ndër të vrarët ishte edhe ministri i Brendshëm i Kirgizisë, Kongantijev. Ky lajm u përgenjeshtrua nga qeveria. U tha se ai është plagosur gati për vdekje nga demonstruesit e revoltuar.

Pasdite ngjarjet u përqendruan përreth shtëpisë së bardhë, ku e ka selinë presidenti dhe qeveria. Demonstruesit u përpoqën të mësynin ndërtesën. Një reporter i radios gjermane, që ndodhet aktualisht në Bishkek, përshkruan kështu situatën nga vendi i ngjarjes: „Një matje e pandërprerë forcash ndërmjet policisë, e cila është vendosur direkt para shtëpisë së bardhë dhe përpiqet ta mbrojë atë, ndërsa demonstruesit turren herë pas here në drejtim të saj. Demonstruesit zaptojnë kamionë dhe përqiqen të çajnë me to gardhin rrethues të godinës, pastaj qëllohet me armë. Të gjithë tërhiqen në qendër të qytetit dhe për të gjitha këto nuk mëson asgjë në opinionin publik, apo në media."

Gjendje e jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimi

Godina e parlamentit në Bishkek
Godina e parlamentit në BishkekFotografi: DW

Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe natën vendosi ndalimqarkullimin. Aeroporti aty pranë, njëkohësisht një bazë e rëndësishme ajrore amerikane, u mbyll për transportin civil. Vitalij Katargin, një gazetar, që punon për disa medie në Bishkek, thotë se nuk sheh asnjë shenjë nga ana qeverisë për të marrë kontakt direkt me demonstruesit: "Nuk kemi dëgjuar akoma prononcim të organeve të shtetit, askush nuk ka folur me protestuesit. Përkrahësit e opozitës nuk duan të tërhiqen dhe hezitojnë që të largohen nga sheshi. Por masa e njerëzve, që është grumbulluar para ndërtesës së qeverisë, nuk është e kontrolluar, ajo nuk ka drejtues. Shërbimet e sigurisë në Kirgizi kishin kryer para disa ditësh një operacion special duke arrestuar thuajse të gjithë udhëheqësit e opozitës."

Disa prej tyre u liruan përsëri të mërkurën (7.4.) dhe duhet të ndërmjetësojnë. Por situata u acarua përsëri. Ndërtesa e prokurorisë mori zjarr, televizioni shtetëror është nën kontrollin e demonstruesve. Edhe ndërtesa e parlamentit është sulmuar, askush nuk ka bërë rezistencë. Sipas agjencive ruse qeveria e ka humbur kontrollin edhe në pjesë të tjera të vendit.

Protestat shpërthyen, kur qeveria e Kirgizisë vendosi të rrisë shumë çmimet e energjisë dhe të gazit. Demonstruesit kishin kërkuar që dy djem dhe një vëlla të presidentit Bakijev të suspendohen nga shërbimi shtetëror. Sistemi totalitar i Bakijevit bazohet në korrupsion, në nepotizëm dhe shtypje të opozitës. Pjesë të tëra të popullatës jetojnë në varfëri të madhe. Fakti që pikërisht në Bishkekun relativisht të pasur zhvillohen protesta, mund të kuptohet si rrëzim politik, thotë reporteri i radios gjermane: „Që këtu ka demonstrata masive, tregon se ditët e Bakijevit janë të numëruara. Kjo ka diçka nga revolucioni i tulipanëve, pra nga rrëzimi i presidentit të vjetër Akajev, çka i hapi rrugën e pushtetit presidentit aktual. Pra Bakijevi mund të fluturojë nga posti, ashtu siç erdhi në post."

Autor: Stefan Laack / Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora