1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kisha Katolike në Poloni dhe marrëdhëniet e saj me regjimin komunist

Kathrin Velzer20 Korrik 2006

Ka muaj që në Poloni ka filluar një debat mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me ish shërbimin sekret polak. Sipas Institutit për Kujtimet Kombëtare IPN, 10-15 për qind e priftërinjve polakë kanë qënë spiunë. Një nga këta priftërinj ka dalë për herë të parë përpara mediave, për të treguar historinë e tij.

https://p.dw.com/p/ArAa
Kisha e paqes në Swidnica
Kisha e paqes në SwidnicaFotografi: picture-alliance / dpa

Afera e spiunimeve në Kishën Katolike nuk do të diskutohet në mënyrë interne, por publike: Një prift ka marrë guximin dhe ka deklaruar në revistën mujore katolike "Wiez", se ka punuar si spiun gjatë kohës së komunizmit. Fjala është për Mihail Çajkovzkin, prifti dhe publicisti katolik më i njohur në Poloni.

Redaksia e revistës "Wiez" e publikoi me qëllim artikullin e priftit dhe ka edhe vetë marrë pjesë në hulumtimet mbi këtë artikull, tregon redaktorja Anna Karón Ostrovska:"Ne zhvilluam shumë biseda me të, gjatë kohës që mblodhën informacionet dhe materialet e nevojshme. Kemi përshtypjen se tek prifti Çajkovzki po ndodh një proces përpunimi, mbi atë që ndodhi asokohe. Dhe sigurisht që një proces çlirimi nga bllokada të ndryshme, të cilat ai i ka ndërtuar edhe vetë."

Deri tani priftërit që akuzohen të kenë punuar si spiunë në kohën e komunizmit, nuk janë shprehur publikisht mbi këto akuza. Çajkovzki u tërhoq nga debatet publike, kur u akuzua në maj të këtij viti. Por ndërkohë ai i pranon të gjitha akuzat. Nga viti 1960 deri në 1984, 74 vjeçari ka qënë spiun i policisë sekrete komuniste SB dhe ka spiunuar edhe shokë e kolegë. "Faji im është i padiskutueshëm", shkruan Çajkovzki në revistën "Wiez". Për shumë antarë të Kishës Katolike, hapi i priftit Çajkovzki është një vendim i drejtë dhe madje për t´u admiruar.

Kështu beson edhe prifti nga Krakova dhe botuesi i gazetës Pogodnik Powczechny, Adam Bonieck: "Jam i sigurt se tani mund të arrijmë në një pikë, ku mund të marrim shembull të gjithë nga ky hap i guximshëm."

Kisha Katolike në Poloni ka ende një proces të vështirë përpara: 10-15 për qind e priftërinjve mendohen të kenë qënë spiunë të regjimit komunist. Këtë informacion e ka bërë të ditur Instituti për Kujtimin Kombëtar. Deri tani kisha nuk donte të merrej me aferën e spiunazheve brenda rradhëve të saj. Por përpara disa muajsh, kur akuzat kundër priftërinjve katolikë arritën kulmin, u krijua një komision hetimor lidhur me këtë çështje. Por rreziku që kërcënon tani kishën, është se imazhi i saj si armike e betuar e komunizmit, do të zhduket përgjithmonë nga kokat e njerëzve.

Por sipas historianit Janush Kotanski nga Insituti i Kujtimit Kombëtar, nuk ka asnjë arsye për panik: "Sigurisht që ka pasur priftërinj që kanë spiunuar rregullisht dhe shpesh pa të drejtë. Ky do të jetë një proces i turpshëm për kishën. Por nga ana tjetër do të dëshmohet gjithashtu se shumica e pjesëtarëve të kishës, si për shembull edhe vetë kreu i kishës, Jozef Glemp, kontrolloheshin totalisht dhe megjithatë, nuk u dorëzuan."

Madje edhe Papa Bendekti kish ndërhyrë gjatë vizitës së tij në Poloni, që debati mbi spiunimet e priftërinjve katolikë, të mos zhvillohej publikisht. Ndoshta edhe dëshmia e priftit Çajkovzki kishte rëndësi të madhe për Papën, i cili theksoi se duhet patur kujdes nga ata që identifikohen me njerëz pa mëkate.