1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëgjoni thirrjet për ndihmë!

Klaus Töpfer
7 Nëntor 2017

Konferenca për Klimën në Bonn simbolizon bashkëpunimin midis shkaktarëve dhe viktimave të ndryshimit të klimës. Bonn-i ka shansin që të shkruajë histori për klimën, mendon Klaus Töpfer, ish-ministër i Mjedisit i RFGJ.

https://p.dw.com/p/2n99i
COP 23 UN Weltklimakonferenz in Bonn
Fotografi: Reuters/W. Rattay

Thirrjet për ndihmë të shteteve të vogla ishullore ishin ato që dy vjet më parë bënë që të shënohet pika e kthesës në negociatat në Konferencën e Klimës në Paris. Tani është njëri prej këtyre shteteve ishullore, Ishujt Fixhi, që mban Konferencën e Klimës të OKB-së 2017, the 23rd Conference of the Parties, shkurt: COP23 - në qytetin e OKB-së Bonn.

Ky bashkëpunim midis Ishujve Fixhi dhe RFGJ ka një vlerë të madhe simbolike, sepse përfaqëson bashkëpunimin midis shkaktarëve dhe të prekurve kryesorë të ndryshimit të klimës. Një sinjal tjetër për këtë: ish-ministri i Jashtëm i Ishujve Marshall, që ndërroi jetë në gusht, Tony de Brum, u nderua me Çmimin Gjerman të nderit të Ambjentit. Me fjalë emocionuese e pranoi dekorimin e bija. Me fjalët e të atit të vdekur ajo iu lut me këmbëngulje secilit që të veprojë në atë mënyrë, që oqeanet të ruhen dhe që ndryshimi i klimës të mbetet i kufizuar në një rritje temperature prej 1,5 gradë.

Objektivat e Parisit edhe të realizohen

Pikërisht për këtë diskutohet në COP23 në Bonn: pas dakordimit për objektivat tani duhet ndërmarrë një akt i fuqishëm solidariteti për realizimin e strategjisë së pranuar globalisht të klimës. Pikërisht që të gjitha përpjekjet të përqendrohen në atë që rritja e parashikuar e temperaturës prej dy gradë të kufizohet mundësisht në 1,5 gradë.

Disa edhe mund të mos kenë me shpresë për këtë bashkëpunim global, përballë përmbysjeve në politikën botërore, përballë agresivitetit politik në rritje dhe dhunës së pamëshirshme ushtarake. Por: dorëzimi dhe pesimizmi nuk e kanë përballuar kurrë një problem, por e kanë ashpërsuar gjithmonë.

Shumë shkaqe flasin për një bashkëpunim të suksesshëm në çështjen e klimës: në vend të parë janë mundësitë teknologjike, për ta prodhuar energjinë me energjitë e ripërtëritshme të tillë që të mund të përballojë konkurrencën. Por edhe rritjet masive të efikasitetit energjetik dhe zgjerimi i bashkëpunimit shkencor, financiar dhe ekonomik janë nxitje.

Kësaj i shtohet rritja e ndërgjegjësimit, se një dështim mund të ketë pasoja masive negative për të gjithë. Nevoja për të pakësuar në mënyrë të efektshme arsyet e migrimit, përmes stabilitetit shoqëror dhe perspektivave ekonomike, tregon njëkohësisht, se nuk janë ëndërrimtarët ata, që presin konkretisht një "efekt orteku" kundër ndryshimit të klimës: ata bashkohen vazhdimisht në nxitje vetëgjeneruese investimesh në një të ardhme me më pak CO2, e ku të jetë e mundur në një të ardhme pa CO2 - shkurt: në realizimin e një bote të qendrueshme.

Zhvillimi paqësor vetëm me mbrojtjen e ambjentit

Klaus Töpfer
Klaus TöpferFotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

17 objektivat e zhvillimit të qendrueshëm, të ashtuquajturat "Sustainable Development Goals" dhe Marrëveshja e Parisit 2015, e cila u pranua nga të gjitha kombet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kanë nevojë për realizimin e tyre për një luftë të suksesshme kundër ndryshimit të klimës. Ambjenti dhe zhvillimi u përcaktuan që në Konferencën e Rios në 1992 si sfida globale. Një lidhje e suksesshme midis ambjentit dhe zhvillimit, kjo është baza për një botë paqësore me nëntë miliardë njerëz - bota e fëmijëve dhe nipërve tanë. 

Rreth 900.000 banorët e Ishujve Fixhi dhe mijëra, miliona njerëzit në ishujt e vegjël nga njëra anë dhe në bregdetet e deteve të botës nga ana tjetër, njerëzit në rajonet e kërcënuara nga krijimi i shkretëtirave - të gjithë ata do të ndjekin me shumë shpresë këtë konferencë të Ishujve Fixhi në Bonn. Negociatorët dhe veprimtarët të mos i zhgënjejnë.

Klaus Töpfer, 79 vjeç është njëri prej ekspertëve më të njohur gjermanë të ambjentit dhe të mbrojtjes së klimës. Si ministër i Mjedisit i RFGJ ai pati rol vendimtar në lindjen e Konventës për Mbrojtjen e Klimës të OKB-së, në Rio de Janeiro më 1992. Nga viti 1998 deri në vitin 2005 ai ishte drejtor ekzekutiv i Programit të OKB-së për Ambjentin në Nairobi. Në vitin 2009 ai themeloi Institute for Advanced Sustainability Studies (IASS) në Potsdam. Sot ai punon për Qendrën Kërkimore TMG në Berlin.