1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Israel USA

1 Qershor 2009

Marrëdhëniet mes aleatëve tradicionalisht të ngushtë SHBA dhe Izraelit janë tensionuar. Arsyeja ka të bëjë me qëndrimet e ndryshme të qeverisë Obama dhe asaj Netanjahu lidhur me konfliktin e Lindjes së Mesme.

https://p.dw.com/p/I1QD
Netanjahu dhe Obama nuk bien dakord për kolonitë hebreje. Foto: Netanjahu ne SHBA, 18 maj 2009
Netanjahu dhe Obama nuk bien dakord për kolonitë hebrejeFotografi: AP

Qeveria e Jeruzalemit është e zhgënjyer nga kursi i presidentit të SHBA-së

Në qeverinë e Izraelit po rritet pakënaqësia ndaj kursit të pakompromis të presidentit të SHBA-së, Obama. Më se qartë Obama kërkoi t' i jepet fund ndërtimit të vendbanimeve hebreje në bregun perëndimor të Jordanit. Qofshin këto vendbanime eksterritoriale apo blloqe banimi - presidenti do që Izraeli të mos ndërtojë më fare në bregun perëndimor të Jordanit. Obama e refuzon propozimin e kryeministrit izraelit Netanjahu, për të shpallur si legale projektet për ndërtime të reja brenda vendbanimeve ekzistuese në kuadër të së ashtuquajturës "rritje e natyrshme".

Sipas informacioneve të gazetës izraelite „Ha'aretz“ qeveria në Jeruzalem është e zhgënjyer nga kursi i presidentit të SHBA-së. Ministri i Brendshëm Eli Jishai tha, se kërkesat e SHBA-së janë baraz me një "dëbim" të banorëve. „Ha'aretz“ citon një përfaqësues të lartë qeveritar, pa e përmendur atë me emër, me fjalinë: të gjitha marrëveshjet, që ka arritur parardhësi i Obama-s Bush "nuk kanë vlerë". Një tjetër përfaqësues i qeverisë së Netanjahu-t deklaroi, se Uashingtoni ndjek kursin e lëshimeve ndaj palestinezëve. Kjo "nuk është korrekte" kundrejt Izraelit.

Për habi të izraelitëve, delegacioni i SHBA-së i quajti të papranueshme marrëveshjet e arritura nën Bush-in.

Të dërguarit nga Jeruzalemi javën e kaluar u përpoqën të arrijnë një kompromis në bisedimet lidhur me çështjen e ndërtimit të vendbanimeve me të ngarkuarin e posaçëm të SHBA-së, George Mitchell në Londër. Delegacioni izraelit, ku bënte pjesë edhe zëvendëskryeministri izraelit, Dan Meridor, donte t' u impononte amerikanëve një lëshim të ngjashëm arritur më parë nën qeverinë e Bush-it: Të mbetet i lejueshëm ndërtimi i vendbanimeve brenda blloqeve ekzistuese në Bregun Perëndimor të Jordanit. Por ai nuk pati sukses me këtë. Mitchell nuk ishte i gatshëm të lëshonte pe. Për habi të izraelitëve, delegacioni i SHBA-së deklaroi, se janë të papranueshme marrëveshjet e arritura nën Bush-in.

Policët palestinezë u përpoqën të arrestojnë në Kalkilia luftëtarë të Hamasvë islamistë

Nga këndvështrimi i delegacionit të Izraelit qëndrimi i ri i qeverisë së SHBA-së është jo korrekt, sepse palestinezëve nuk u kërkohet as shpërbërja e së ashtuquajturës "infrastruktura e terrorit" – në këmbim të pezullimit të ndërtimit të vendbanimeve. – Tani ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, do të përpiqet në Uashington ta verë në lëvizje për lëshime qeverinë e Obama-s. Të dielën (31.5.) ai u nis për në SHBA. Ndërsa të enjten (4.6.) Obama pritet në Kajro. Presidenti i SHBA-së do t' i drejtohet me një fjalim parimor pajtimi myslimanëve në të gjithë botën.

Ndërkaq policët palestinezë u përpoqën të arrestojnë në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin Kalkilia të Bregut Perëndimor të Jordanit luftëtarë të Hamasvë islamistë. Gjatë këtij aksioni policia hasi në rezistencën e ashpër të Hamasit. Gjatë shkëmbimeve të zjarrit u vranë tre policë, dy luftëtarë të Hamasit dhe një kalimtar i pafajshëm. Autoritetet vendosën ndalim-qarkullimin në qytet. Trupat e policisë në Bregun Perëndimor të Jordanit aktualisht janë nën autoritetin autonom palestinez, që kryesohet prej partisë së moderuar Fatah.

Autor: Sebastian Engelbreht/ Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi