1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Çmim i lartë për armëpushimin në Ukrainën lindore

Ingo Mannteufel3 Shtator 2014

Një armëpushim në Ukrainën lindore do të thotë se Kremlini i ka arritur përkohësisht objektivat e tij. Me një gjë të tillë konflikti s'ka marrë fund, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1D644
Fotografi: Reuters/Sergei Bondarenko/Kazakh Presidential Office

Në Ukrainë po përvijohet një ndryshim. Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko flet pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin për një marrëveshjeje për një armëpushim në Ukrainën lindore. Ende detajet dhe rruga drejt një armëpushimi të mundshëm janë të paqarta. Nga Kievi, Moska dhe nga rajonet e kontrolluara prej separatistëve vijnë sinjale kontradiktore. Për njerëzit në rajon një lajm i mirë do të ishte nëse luftimet ndaleshin. Por një armëpushim do të kishte pasoja themelore politike për konfliktin që në Ukrainë po vazhdon prej muajsh.

Një konflikt i ri i ngrirë

Me një armëpushim të qëndrueshëm, separatistët e mbështetur nga Rusia do të dilnin si fitues të këtij konflikti. Për shkak se ata do të konsolidojnë pushtetin e tyre në zonat e kontrolluara dhe do ta zgjerojnë edhe më tej. Kjo do të krijonte në Ukrainë lindore, një "konflikt të ri të ngrirë", prej të cilëve në hapësirën post-sovjetike ka prej gati një çerek shekulli disa: në Transnistri, Abkhazi, Osetinë e Jugut dhe Nagorni-Karabak.

Të tilla "konflikte të ngrira" janë për politikën ruse një territor i njohur dhe në fund të fundit shumë i mirëpritur. Për shkak se përmes strukturave të tilla përfaqësuese mund të mbrohen në negociata diplomatike pa fund interesat reale ruse. Po ashtu Rusia mund të ndikojë edhe në politikën e brendshme të vendeve në fjalë.

Pas një politike të tillë është një politikë e ashpër për pushtet. Prej revolucioni Euromaidan në muajin shkurt - Rusia humbi aleatin e saj kryesor politik në Kiev - presidentin e Ukrainës Janukoviç dhe Partinë proruse të Rajoneve. Që nga kjo kohë është e qartë se Kremlini po siguron mjete të tjera ndikimi në të ardhmen politike të Ukrainës. Një armëpushim - për të cilin presidenti Putin jo më kot bëri pa pushim thirrje javët e fundit - do të ishte në këtë mënyrë një fitore e fshehtë e politikës së tij ndaj Ukrainës.

Humbësi Poroshenko

Që Presidenti ukrainas Poroshenko duket gati për një armëpushim, është pasojë e kuptueshme e ngjarjeve të ditëve të fundit: Humbjet e forcave qeveritare të Ukrainës dhe përfitimet territoriale të separatistët që ka të ngjarë janë të mbështetur dhe nga Rusia edhe me njësi të rregullta ushtarake i kanë bërë me sa duket Poroshenkos të qartë se një zgjidhje ushtarake e konfliktit, sikurse po kërkon ai që nga fundi i qershorit, ka dështuar. Sidomos fronti tjetër i hapur nga Rusia para Mariupolit, krejt në jug të rajonit Donetsk e ka intensifikuar presionin ndaj Kievit.

Në rast se do të arrihet një armëpushim, më në fund mund të ndalet gjakderdhja. Por politikisht Poroshenko dhe qeveria e tij po i hyjnë në prag të zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për në tetor një rreziku të madh. Sepse shumë ukrainas do t'ua marrin atyre për keq këtë armëpushimin dhe kapitullim de facto që lidhet me të. Kjo vlen sidomos për shumë shoqata vullnetarësh me bindje nacionaliste, që ditët e fundit kanë pësuar humbje të rënda në radhët e tyre. Nëse këto forca të vështira për t'u kontrolluar politikisht do t'i bashkohen logjikës politike të një armëpushimi, është shumë e diskutueshme. Brenda vendit do të ketë tensione të dhunshme. Në zgjedhje mund të marrin hov partitë radikale. Edhe një luftë guerile në Ukrainë lindore nuk mund të përjashtohet.

Edhe një humbës

Bashkimi Evropian dhe veçanërisht Gjermania kanë ngulur prej javësh këmbë për t'u dhënë fund luftimeve dhe janë angazhuar për një zgjidhje politike. Por nëse krijohet jë konflikt i ngrirë, atëherë duhet pasur frikë që të pjesë të shoqërisë ukrainase do të largohen prej Evropës. Ka disa javë që përflitet dhe ka thashetheme për një marrëveshje midis Berlinit dhe Moskës nëpërmjet Ukrainës, sipas së cilës Poroshenko duhet t'u japë fund luftimeve dhe kështu de facto t'ua lërë Donetskun dhe Luhanskun separatistëve. Prandaj shumë ukrainas ndjehen të tradhëtuar nga BE-ja dhe sidomos nga Gjermania.

Fakti që Evropa politike nuk është u prezantua e vendosur përballë agresionit rus ndaj një vendi fqinj, është gjithashtu e zakonshme në disa vende të BE-së. Një konflikt i ngrirë në Ukrainën lindore ka të ngjarë ta trondisë Bashkimin Europian për një kohë të gjatë. Marrëdhëniet me Rusinë dhe Ukrainën ndoshta janë të ngarkuara për vite. Evropa nuk do të jetë në gjendje të kthehet në status quonë e para konfliktit.