1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akti i ekuilibrit të Obamas në Talin

Michael Knigge4 Shtator 2014

Barack Obama e shfrytëzoi ndalimin e tij në Estoni për të komunikuar në tri drejtime: në drejtim të SHBA, të Moskës dhe të Evropës Lindore. Fjalët e tij të zgjedhura me kujdes mund të ishin edhe të Angela Merkelit.

https://p.dw.com/p/1D67G
Barack Obama me Toomas Hendrik, 03.09.2014
Fotografi: Reuters

Shkaqet për vizitën e shkurtër të Obamas në Talin, pak para fillimit të takimit të nivelit të lartë të NATO-s janë gjendur shpejt. Një prej më urgjenteve është kriza e Ukrainës, e cila në mënyrë të kuptueshme i shqetëson fort shtetet lindore të NATO-s. Veçanërisht e shqetësuar është Estonia: jo vetëm për shkak të kufirit me Rusinë, por edhe për shkak të minoritetit jo kaq të vogël në numër rusishtfolës.

Kësaj i shtohet fakti, që Estonia, nga pikëpamja e Uashingtonit mund të shërbejë si shembull i mirë për partneret e tjera evropiane në NATO. Estonia, krahas Greqisë dhe Britanisë së Madhe- është ndër pak vendet, që shpenzon dy përqind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Dhe së fundi, Estonia nën Presidentin Toomas Hendrik është treguar partnere e mirë e SHBA në çështjet e sigurisë energjetike.

Në këtë kuadër, synimi i parë i Obamas ishte që të qetësonte nervat e estonezëve dhe të shteteve të tjera në Baltik. Ai u dha siguri shteteve evropianolindore të NATO-s, përballë një Rusie gjithnjë e më agresive, se Uashingtoni do të ishte në anën e tyre. Këta kishin shpresuar se Obama do të përmendte edhe njëherë Nenin 5 të Marrëveshjes së NATO-s. Ky nen thotë se sulmi ndaj një anëtari të Aleancës është sulm ndaj gjithë Aleancës dhe kërkon në këtë mënyrë një përgjigje të përbashkët. Në njëfarë mënyre, Obama ua plotësoi edhe këtë dëshirë evropianolindorëve. Dhe e bëri këtë edhe me retorikë bindëse: "Në mënyrë të pathyeshme, me fuqinë e shkëmbit dhe përjetësisht" - këto fjalë përmbante premtimi i Uashingtonit për sigurinë e estonezëve dhe më tej ai premtoi: "Ju e keni humbur njëherë pavarësinë. Me NATO-n kjo nuk do t'u ndodhë më kurrë."

Evropianët lindorë bëjnë presion për sigurime të qarta

Por nëse është dikush që e di se veprat thonë më shumë se fjalët, këta janë partnerët lindorë të NATO-s. Këta kërkojnë sinjale të dukshme të NATO-s si përgjigje ndaj gjendjes së ndryshuar të sigurisë në fqinjësinë e tyre. Këto sinjale ata i morën - në njëfarë mënyre. Obama u premtoi njësi shtesë të forcave ajrore amerikane për Evropën Lindore. Veç kësaj ai premtoi që do të ngulë këmbë te NATO-ja për ta mbajtur sa të jetë e mundur më gjatë praninë dhe për ta zgjeruar trupën e reagimit të Aleancës. Por ai nuk guxoi të ndalej më nga afër në kërkesat për baza të përhershme në rajon dhe për anullimin e Marrëveshjes NATO-Rusi.

Publikun e tij të parë - shtetet lindore të NATO-s - ai i impresionoi me sigurinë e Uashingtonit, për t'i dalë po qe nevoja përballë një Rusie që herë pas herë rigjallërohet. Të njëjtin lajm i dërgoi ai direkt edhe publikut të tij të dytë: Kremlinit. Kulaç dhe kërbaç - ky është kursi i Obamas. Ai e paralajmëroi Rusinë: agresionet në Ukrainë janë kundërproduktive. Por ai shtoi edhe që Perëndimi do ta përshëndeste një Rusi të fortë - po të tërhiqej nga Ukraina. Me kujdes e formuloi ai të gjithë deklaratën në lidhje me Rusinë dhe iu shmang ngritjes së temperaturës me retorikë ndezëse.

Obama me stilin e Merkelit

Grupi i tretë, i cili i dëgjoi me shumë vëmendje shprehjet e Obamas ishte në SHBA. Këta ishin deputetë konservatorë si deputeti republikan, John McCain. Këta ka kohë që e akuzojnë Obaman se lëkundet në krizën e Ukrainës dhe se nuk vepron sa duhet ashpër kundër Putinit. Por publiku i gjerë amerikan nuk është i këtij mendimi. Ai e shikon konfliktin Rusi-Ukrainë si kërcënim jo të madh për SHBA. Në një sondazh të ri, amerikanët kategorizuan para së gjithash terrorin islamik, programin atomik të Iranit dhe madje programin atomik të Koresë së Veriut si më të rrezikshëm për SHBA se sa ngjarjet në Evropën Lindore. Për këtë shkak, një konfrontim direkt me Rusinë si dhe një pjesëmarrje më e madhe e SHBA në rajon nuk do të bëjë pjesë në opsionet e mundshme.

Dëgjuesve të tij amerikanë - por edhe të tjerëve - vizita e Obamas në Talin u ofroi pak nga të gjitha: përforcimin që pesha e Uashingtonit ende luan rol në botë, fjalë të ashpra ndaj Moskës, por pa dhënë siguri të reja ushtarake, të cilat do t'i përfshinin SHBA në një "konflikt rajonal", siç e shpreh Obama. Me fjalë të tjera: Obama nuk ju fut asnjë rreziku. Të para nga këndvështrimi gjerman, fjalët e Obamas - me përjashtim të disa momenteve melodramatike - mund të ishin edhe fjalë të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ky ishte edhe toni i deklaratave të kancelares Angela Merkel në vizitën që ajo bëri javën e kaluar në Riga.

Kritikët e tij të shumtë me siguri që do t'i quajnë siguritë që ai dha në Talin si të vakëta dhe do ta akuzojnë Obaman se deshi të mos rrezikonte. Por përballë paqendrueshmërisë së situatës në Ukrainë, kompleksitetit të marrjes së vendimeve nga NATO dhe një vlerësimi të kthjellët të atmosferës në atdhe dhe të sfidave globale, me siguri ajo që bëri Obama ishte pikërisht ajo që do të kishte rekomanduar një doktor.