1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: BE në qorrsokak

Bernd Riegert15 Shtator 2015

Shtyhet vendimi për në tetor - ministrat e BE nuk ranë dakord për shpërndarjen e refugjatëve. Të shpresojmë që ky është qorrsokak me rrugëdalje, sepse mungesa e solidaritetit politik është goditje mjaft e rëndë për BE.

https://p.dw.com/p/1GWgo
Treffen EU-Innenministerrat in Luxemburg
Fotografi: DW/B. Wesel

Me mundim të madh presidenca luksemburgase arriti të formulojë në fund një dokument të përbashkët për të evituar përçarjet edhe më të mëdha mes vendeve anëtare të BE. Për një qendrim të përbashkët, e të mos flasim për një përgjigje solidare ndaj krizës së refugjatëve, as që mund të bëhet fjalë. Vendimet për një politikë të përbashkët dhe të arsyeshme ndaj refugjatëve u shtynë për në tetor. Shumë evropianolindorë, por edhe Britania e Madhe, nuk janë dakord.

Ka vetëm "një darkodim politik", pra fjalë të kota, që nuk kanë asnjë vlerë për refugjatët dhe ata që ndihmojnë përgjatë kufijve. "Kjo nuk na mjafton", tha ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere. Presioni që Gjermania ka dashur të ushtrojë me fillimin e kontrollit të kufirit, duket se nuk mjaftoi. Shumica e vendeve të BE është për shpërndarjen e refugjatëve, por refuzon kuotat e detyrueshme dhe deri tani nuk kanë pranuar thuajse asnjë refugjat.

Nuk ka zgjidhje

Shpërndarja e synuar deri tani e 160.000 refugjatëve nga Greqia, Italia apo Hungaria, gjatë dy viteve të ardhshme, nuk përputhet fare me krizën aktuale dramatike përgjatë rrugës së Ballkanit deri në Gjermani. Në Bruksel nuk është gjetur ndonjë përgjigje ndaj krizës për sistemimin e qindra mijëra refugjatëve. Kërkesa e ministrave për kontrollet më të mira të kufijve të jashtëm një domethënie: që të zbutet ngarkesa me refugjatë dhe azilkërkues. Por mbyllja e kufijve çon në një angazhim shumë më të madh në kufijtë detar.

Ideja që refugjatët dhe azilkërkuesit të regjistrohen vetëm në të ashtuquajturat "Hotspots", është vetëm një iluzion optik. Një "Hotspot" ekziston vetëm në Katania të Italisë, ndërsa Greqia është shprehur e gatshme që tani të fillojë me përgatitjet. Nëse sigurimi i kufirit të jashtëm është zgjidhja më e mirë, do të thotë se Viktor Orban po i bën të gjitha si duhet apo jo?

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Së pari bie Shengeni e më pas Evropa?

Futja e kontrolleve të befasishme të kufirit në Gjermani nuk u kritikua në Bruksel. Përkundrazi, disa shtete si Austria, Çekia, Sllovakia dhe Holanda bënë të ditur se do ta ndjekin këtë rrugë dhe do ta pezullojnë Marrëveshjen Shengen. Refugjatët dhe azilkërkuesit do ta kenë tani më vështirë të mbërrijnë në territorin evropian. Ata do të lëvizin mes Serbisë, Hungarisë dhe Austrisë. Ata do të vuajnë më së shumti. Bandat e kontrabandistëve do fërkojnë duart. Sa më i vështirë kalimi i kufirit, aq më të larta do të jenë edhe çmimet.

Pas kaq shumë kohësh BE-së i ra ndërmend ideja që të financojë më shumë kampet e refugjatëve sirianë në Turqi, për të ndihmuar njerëzit atje. Shumë vonë, ndonëse OKB prej kohësh ka dhënë alarmin. Edhe pas konferencës së ministrave të brendshëm mbetet përshtypja, se politika evropiane ndaj refugjatëve nuk ka bërë asnjë përparim. Kryetari i Këshillit të BE-së Jean Asselborn nga Luksemburgu përmblodhi: nëse Evropa nuk mbledh forcat tani, atëherë Evropa do të shkatërrohet.