1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: BND një shërbim sekret mëse i zakonshëm

Marcel Fürstenau19 Gusht 2014

NSA përgjon Gjermaninë ndërsa BND vendin partner Turqinë. Askush nuk i beson askujt. Por askush nuk e pranon këtë, mendon Marcel Fürstenau.

https://p.dw.com/p/1Cwpe
BND
BNDFotografi: picture-alliance/dpa

Një botë pa shërbime sekrete? Një mendim i tillë është mjaft i mirë për të qenë i vërtetë? Ky paramendim është për fat të keq edhe naiv kur merren parasysh të gjitha rreziqet. Një prej këtyre rreziqeve potencialisht tepër të mëdha për jetën është edhe terrorizmi ndërkombëtar. Ai ka mbërritur një dimension të ri me vrasjet me motive fetare dhe fundamentaliste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Qysh atëherë janë shtuar dyshimet jo vetëm ndaj armiqve të përbetuar por edhe mes partnerëve të kahershëm dhe miqve. Në këtë mënyrë cënohet edhe mirëbesimi minimal, i cili mundëson partneritetin dhe miqësinë.

Marcel Fürstenau
Marcel FürstenauFotografi: DW

Natyrisht që jo të gjithë duhet të radhiten në të njëjtin nivel. Armiqve me të drejtë nuk mund t'u besohet, sepse ata janë në gjendje të bëjnë gjërat më të këqija të mundshme. Por edhe partnerëve nuk u besohet pafundësisht, sepse është e mundur që ata nuk bëjnë sa duhet për sigurinë nacionale dhe globale. Spiunët e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) përgjojnë terroristët islamikë për të evituar sulmet terroriste. Por ata përgjojnë edhe kancelaren Angela Merkel - e përse e bëjnë këtë? Sepse në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht presidentit aktual, kanë frikë se në Gjermani mund të përgatiten sulme terroriste si ato të 11 shtatorit? Siç dihet, organizatorët i kanë bërë planet e tyre në Hamburg.

Heshtja

Pavarësisht se sa irracionale duken këto mendime, kjo është një pjesë e strategjisë anti-terror në kokat e disa politikanëve dhe punonjësve të shërbimeve sekrete. Ata janë të gatshëm që për qëllimet e tyre t'i dëmtojnë raportet e mira miqësore mes vendeve. Në raportet mes SHBA-së dhe Gjermanisë kjo po ndodh qëkurse u bënë publike zbulimet nga Edward Snowden, lidhur me përgjimet e NSA. Ndërsa tani zbulohet përgjimi mes Gjermanisë dhe Turqisë. Qeveria gjermane nuk e ka pranuar se ka përgjuar sistematikisht partnerin e rëndësishëm në NATO. Por as nuk e ka përgënjeshtruar atë.

Kjo lojë e heshjtes mund të të çojë në konstatimin (deri sa nuk dëshmohet e kundërta) se: raportet e mediave për spiunimet e BND në Turqi janë të vërteta. Për marrëdhëniet gjithsesi të tensionuara gjermano-turke, kjo mund të ketë pasoja shumë të rënda. Ankaraja e akuzon Gjermaninë dhe kancelaren Angela Merkel kaherë për pengimin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Ende ekzistojnë edhe vrasjet jo deri në fund të sqaruara me motive raciste të celulës nacionalsocialiste (NSU). Pavarësisht se këto tema nuk kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me këtë të fundit, mirëbesimi politik dhe ndërnjerëzor është dëmtuar shumë.

Politika dhe shërbimet duhet të reflektojnë

Do të zgjasë shumë deri në rikthimin e besimit. Ekzistojnë dyshimet se gjërat do të ndryshojnë shpejt dhe se shërbimet sekrete do të vazhdojnë politikën e deritanishme. Kjo dëshmon se edhe e ashtuquajtura Marrëveshje No-Spy, e dëshiruar nga Berlini nuk do të pranohet në asnjë mënyrë nga SHBA-ja. Duket paradoks, por amerikanët janë konseguentë në këtë çështje. Ata e pranojnë hapur se duan të kenë një përfytyrim të qartë të krijuar nga shërbimet sekrete të partnerëve të tyre. Por në këtë mënyrë natyrisht që nuk mund të fitosh miq.

Një gjë është dhe mbetet e qartë: Puna e shërbimeve sekrete nuk mund të matet me vlera morale. Kjo nuk do të thotë se qeveritarët duhet të lirohen nga përgjegjësia. Detyra e tyre është më e domosdoshme se kurrë më parë: që të ketë një transparencë më të madhe të shërbimeve të sigurisë dhe shërbimeve sekrete. Kjo është e drejtë e opinionit. Këtë e presin edhe vendet partnere. Nëse të gjitha mbeten si deri tani, mosbesimi do të shtohet si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Kjo e dëmton demokracinë në Gjermani, SHBA, Turqi e kudo.