1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Brexit-i" mund të mos ndodhë

Christoph Hasselbach19 Maj 2015

Kryeministri britanik Cameron dëshiron një BE të reformuar. Ai shpreson se në këtë mënyrë britanikët do të kërkojnë në referendum që të qëndrojnë në Evropë. Ka të ngjarë që llogaria t'i dalë, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1FRdZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në dhomën e ulët të parlamentit britanik është pak si në kohët e vjetra. Nuk ka më koalicion me kompromise si më parë, konservatorët qeverisin përsëri të vetëm. David Cameron ka një mandat të qartë. Dhe ky përfshin synimin për të ndryshuar BE. Llogaria e Cameronit është se, nëse kjo realizohet, bashkëkombasit e tij nuk do të kenë më arsye për të votuar në referendum për largimin e vendit të tyre nga BE

Referendumi do të zhvillohet jo më vonë se në fund të vitit 2017. Por shumëçka flet për një datë më të afërt. Cameroni vetë është për këtë. Andy Burnham, që pas dorëheqjes së Ed Miliband ka shanse të mira për t'u bërë kryetari i ri i laburistëve, është shprehur për zhvillimin e referendumit më heret. Labour deri tani e ka kundërshtuar me forcë referendumin. Por Burnham dëshiron që të sqarohet sa më parë të jetë e mundur marrëdhënia e britanikëve me Evropën. Fakti që partia Labour, partia më e madhe opozitare, e sheh të ardhmen e vendit në një BE të reformuar, e bën edhe më të qartë qëllimin e Londrës. Edhe Mark Carney, guvernatori i Bankës së Anglisë, është për një referendum të shpejtë dhe ka bërë ndërkohë të qartë si duhet të jetë rezultati sipas tij: Një nga përfitimet kryesore për ekonominë britanike ështe "qasja e saj në tregun evropian, më të madhin në botë", është shprehur Carney në BBC.

Argumenti skocez

Bankat e Londrës dhe kompanitë më të mëdha nuk është nevoja që të binden për vlerën ekonomike të anëtarësimit në BE. Por ndoshta argumenti më i fortë politik në vend është frika nga shpërbërja e Mbretërisë së Bashkuar. Partia Kombëtare Skoceze e humbi në fakt referendumin për pavarësinë e Skocisë vitin e kaluar, por në këto zgjedhje i ka marrë pothuajse të gjitha mandatet skoceze. Dhe ajo ka qëndrim të qartë proevropian.

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/M.Müller

Pra nëse shumica e britanikëve do të votonin për daljen nga BE dhe një shumicë e madhe e skocezëve kundër, Skocia do të kishte një argument të fortë, për t'u shkëputur nga unioni me Anglinë. Për konservatorët e Cameronit kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë. Për të ruajtur unionin britanik, ai nuk do të rrezikojë prishjen me Bashkimin Evropian.

Simpatizantët europianë

Mbeten dyshimet, nëse ai mund t'i bindë europianët për rëndësinë e reformave. Por edhe këtu dëgjohen qartë tone aprovuese. Ato nuk vijnë patjetër nga rradhët e para të qeverive, por kjo mund të jetë taktikë. Në Francë për shembull Harlem Désir, sekretari i shtetit për Europën në ministrinë e Jashtme në Paris, kritikon zellin e tepruar të Komisionit për rregulluar gjithçka: "Ne pranojmë, se nuk është ide e mirë, që Komisioni të lëshojë ligje për gjithçka dhe për këdo, që nga fuçitë për mbajtjen e ullinjve deri tek sifonet e WC-ve." Fundja jo për çdo plan për reforma është i nevojshëm ndryshimi i traktateve të BE-së.

Në Gjermani, ish-presidenti gjerman Roman Herzog, anëtar i CDU (Unionit Kristiandemokrat), shkruan në revistën "Focus": "Kemi nevojë për të drejta për mbrojtjen e parlamenteve kombëtare kundër tejkalimit të kompetencave në Bruksel." Dhe Sekretari i Përgjithshëm i CSU Andreas Scheuer sheh në rezultatet e zgjedhjeve britanike "një sinjal të qartë se është koha për të menduar, se për çfarë Europe kemi nevojë". Nga vendet Skandinave dhe Hollanda kanë ardhur zëra të ngjashëm. Cameron as që i ka bërë akoma propozimet për reforma dhe ai has në një atmosferë miqësore në shumë vende.

Cameron ka guxim

Por çështja mund të bëhej për shumicën serioze, nëse Cameron do të përpiqej të hiqte dorë nga liritë e tregut të brendshëm, në rradhë të parë nga lëvizja e lirë të personave. Por këtu britanikët - përveç danezëve irlandeze - kanë disa të drejta të posaçme, të cilat i lejojnë të rrinë larg veprimeve të përbashkëta, siç e ka treguar së fundi politika ndaj refugjatëve.

Rreziku më i madh mund të jetë prezantimi e Cameronit në skenën evropiane. Elitar dhe pasardhës i një mbreti anglez me mënyrën e tij arrogante ai ia ka bëre të vështirë edhe miqve të tij në Bruksel që ta mbështesnin. Këtu atij do t'i ndihmonte një ton më miqësor për t'i kthyer simpatitë e heshtura në mbështetje reale. Së pari ai duhet të bëjë propozime konkrete për reforma dhe të shmangë çdo gjë, që të tjerët do ta refuzonin, për arsye se prek thelbin e Evropës. Por shumë kryetarë qeverish e admirojnë fshehurazi Cameronin, sepse ai ka guximin, që ta lërë të votojë në këtë çështje elementare popullin e tij, të njohur si skeptik ndaj Evropës. Sido që të jetë, referendumi do të sjellë një sqarim, që pritet prej kohësh. E gjithë BE-ja ka tani shansin, që të bëjë jo sqarim shtetesh të vogla, por sqarim në sensin evropian.