1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Debate të ngatërruara për vaksinimin me detyrim

16 Mars 2022

Debati i pafund për vaksinimin e detyrueshëm dëmton demokracinë dhe forcon kundërshtarët e demokracisë. Deri tani nuk ka asnjë vendim konkret, mendon Volker Witting.

https://p.dw.com/p/48V0d
Symbolfoto Impstoff
Fotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopres/picture alliance

Politika sigurisht që nuk është shquar për mirë kur bëhet fjalë për vaksinimin me detyrim! Një debat i pafund pa vendime konkrete. Për momentin duket se askush nuk e di më nëse dhe çfarë mund të ndodhë me ketë proces të diskutueshëm. Do të thotë nuk dihet saktë se a do të jetë vaksinimi i detyrueshëm, kur do të vij dhe për cilat kategori. Tre të katërtat e gjermanëve nuk besojnë më se vaksinimi si i tillë do të jetësohet. E kjo ka të bëjë shumë edhe me kursin e paqartë të politikës.

Fillimi i gabuar në debat

Le të fillojmë përsëri nga e para: Gjermania zgjodhi një parlament të ri vjeshtën e kaluar. Varianti i keq Delta i virusit Corona tërboi dhe përmbyti shumë gjëra në repartet e kujdesit intensiv të spitaleve. Në atë kohë politikanët thoshin njëzëri: Nuk kemi nevojë për vaksinim të detyrueshëm! Por në fund të nëntorit, Olaf Scholz ende pa u zgjedhur kancelar, njoftoi: Vaksinimi po vjen, do ta realizojmë më së voni deri në fillim të marsit 2022.

Premtimet boshe

Coronavirus Spritze mit Corona-Impfstoff
Fotografi: Weber/Eibner-Pressefoto/picture alliance

Kështu kanë mbetur gjërat, deri tani. Sugjerime dhe iniciativa të menduara mirë - asnjë. Në vend të kësaj: hezitim, reflektim dhe debat pas dyerve të mbyllura, e më pas një kompromis i vakët. Votimi për vaksinimin e detyrueshëm u shpall çështje ndërgjegjeje, një çështje etike, në të cilën çdo deputet i Bundestagut është i detyruar vetëm në bazë të ndërgjegjes së tij dhe nuk ka nevojë t'i përmbahet linjës së partisë së tij. Koalicioni i SPD, të Gjelbërve dhe FDP-së nuk arriti të bjerë dakord për një projektligj të përbashkët, sepse shumë anëtarë të FDP-së liberale nuk ishin dakord me detyrimin për vaksinim. Opozita e Unionit e quajti këtë "refuzimin të punës".

Ngadalësia dhe vajtimi

Detyrimi i vaksinimit është një cenim i të drejtës themelore për integritet fizik. Dhe: Vetëm tre të katërtat e gjermanëve janë të vaksinuar. E thuhet se duhet të jetë më shumë se 90 përqind në mënyrë që të jemi në gjendje të luftojmë Coronën në mënyrë efektive. Prandaj duhet të ketë një veprim të shpejtë dhe të kuptueshëm. Në vend të kësaj erdhi ngadalësia dhe ankimi.

Në fund të janarit, Bundestagu më në fund debatoi për herë të parë mbi temën e vaksinimit të detyrueshëm, në një të ashtuquajtur debat orientues. Kancelari nuk ishte aty. Në muajin shkurt, deputetët diskutuan propozimet konkrete legjislative të grupeve parlamentare. Asgjë nuk doli nga kjo, sepse nuk u dorëzuan të gjitha propozimet. Gjithsesi, ishte koha e karnavaleve, parlamenti nuk mund të mblidhej. Votimi për pesë propozimet - nga vaksinimi i detyrueshëm për të gjithë mbi moshën 18 vjeç deri te refuzimi i një kërkese të tillë - është shtyrë për në mars. Më se shpejti një ligj i tillë mund të vijë në prill. Ndërsa zbatimi do të zgjaste me muaj të tërë.

Vaksinimi në kohë të vështira

Düsseldorf Coronavirus - Demonstration gegen Corona-Maßnahmen
Fotografi: Roberto Pfeil/dpa/picture alliance

Politikanët humbën kohën e duhur, mbollën mosbesim dhe duan të miratojnë ligje me pasoja të mëdha që vështirë se dikush mund t'i kuptojë.

Më 20 mars, pothuajse të gjitha kufizimet e vendosura për shkak të Coronës do të hiqen në Gjermani. Mbetet vetëm maska. Në këtë kohë duhet të vijë vaksinimi? Absurde - veçanërisht kur të gjithë kufijtë po bien, pranvera po vjen, po vjen mendjelehtësia kur askush nuk dëshiron të mendojë për valën e ardhshme të pandemisë.

Fat i keq apo thjesht një avari?

Mund ta quash si fat të keq. Ose: pavendosmëri dhe komunikim të dobët. Sidoqoftë, nuk është lidershipi që premtoi kancelari Olaf Scholz. Detyrimi për t'u vaksinuar vjen në kohën e gabuar - nëse vjen...

Shumë kundërshtarë të vaksinimit të detyrueshëm - edhe për shkak të zhgënjimit me politikën - janë rreshtuar prej kohësh në demonstratat e mohuesve të Coronës. Rezistenca mund të rritet edhe më shumë, kur detyrimi të futet në fuqi. Atë e ka forcuar debati i ngatërruar i vaksinimit të detyrueshëm, e kjo ka dëmtuar edhe demokracinë dhe parlamentarizmin.

Volker Witting, me syze duke pare miqësisht në drejtim të kamerës. Portret.
Volker Witting korrespondent i lartë politik