1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Dyshime të reja për shtetin ligjor në Turqi

Eliana Xhani6 Gusht 2013

Vendimet në procesin e kontestuar Ergenekon e kanë përçarë më shumë shoqërinë turke, mendon në komentin e tij Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/19KSR
Fotografi: Reuters

Turqia nuk është në pozicion shumë të mirë në krahasim ndërkombëtar, sa i takon lirisë së shtypit dhe shtetit ligjor. Pas shpalljes së vendimeve gjyqësore në procesin e kontestuar kundër të dyshuarve si komplotistë, të cilët akuzoheshin se kishin planifikuar një puç ushtarak kundër kryeministrit turk Rexhp Taip Erdogan, janë me vend dyshime të reja për Turqinë si shtet ligjor. Pjesa më e madhe e rreth 275 anëtarëve të supozuar të shoqatës ilegale "Ergenekon", të cilësuar si rrjet terrorist, në disa raste u dënuan me deri 150 vjet heqje lirie. Pati vetëm 21 shpallje pafajësie. Kështu u shpartallua burimi i rrezikut për qeverinë - gazetarë, deputetë, rektorë universitetesh, shkencëtarë dhe ish ushtarakë të rangut të lartë, të cilët akuzoheshin si mishërimi i "shtetit të thellë" (sh.r.:një shtet brenda shtetit), kundër qeverisë konservatoro-islamike të dalë nga zgjedhjet, të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Ky proces e ka thelluar më tej hendekun mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Erdoganit. Çarja e shoqërisë turke nuk do të mund të riparohet për një kohë të gjatë. Në vazhdën e procesit pesëvjeçar me 23 aktpadi të ndryshme nuk ishte më e mundur të ruhej pamja e përgjithshme për vërtetësinë e provave dhe deklaratave të dëshmitarëve. Si pasojë nuk mund të dallohej më edhe mes rezultateve të vërteta dhe të rreme të hetimeve. E sigurt është tani vetëm se Erdogani me larjen e hesapeve me rendim themeltar sekular në Republikën Turke, ka shënuar një fitore si të Pirros. Ai përfundimisht nuk është më kryeministri i gjithë turqve, por vetëm i atyre turqve që i kanë dhënë votën. Në zgjedhjet e fundit dy vjet më parë këta zgjedhës i dhanë atij një fitore të pakontestueshme prej gati 50 për qind.

Güngör_Baha.jpg
Baha Güngör

Paqja e brendshme e kërcënuar

Të dënuarit me siguri do të shkojnë në apel. Ata kanë shanse të mira për rishikimin e dënimeve pasi në ditën e shqiptimit të tyre nga gjykata në burgun e posaçëm Silivri pranë Stambollit, zhurma e shkaktuar nga pjesëmarësit në proces dhe familjarët bëri që shumë vendime të mos dëgjoheshin mirë.

Tani ekziston droja se trazirat e dy muajve të kaluar dhe dhuna e tepruar e forcave të sigurisë kundër demonstruesve anti-qeveritarë në shumë qytete turke, pas këtij procesi gjigant do të rëndohen më tej. Spiralja e dhunës kërcënon në mënyrë masive paqen e brendshme të anëtares së NATO-s, Turqisë. Por meqenëse ajo është e rrethuar nga shumë vatra krizash në Lindjen e Afërt dhe direkt pranë luftës civile në Siri, Turqia është shumë e rëndësishme për aleatët perëndimorë. Ata dëshirojnë një udhëheqje të qetë, të kthjellët dhe të besueshme në Ankara, por qeveria turke në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më shumë e zënë me ruajtjen e paqes së brendshme se sa me vazhdimin e zhvillimeve pozitive ekonomike. Është për të ardhur keq që një udhëheqje politike me mbështetje të legjitimuar në zgjedhje demokratike nga qytetarët, bën gabimin ta konsiderojë veten si të pagabueshme dhe të pazëvendësueshme.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,16998309,00.html