1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: gënjeshtër zyrtare

8 Janar 2016

Skandali natën e Vitit të Ri në Këln po zmadhohet gjithnjë e më shumë. Presidenti i policisë del në pesion të parakohshëm. Gënjeshtrat dhe indiferenca përballë fakteve nuk mund të jetë zgjidhje, mendon Felix Steiner.

https://p.dw.com/p/1HaOh
Köln Hauptbahnhof Vorplatz
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Hitje

Shteti jeton nga besimi që kanë qytetarët tek ai. Nëse qytetarët e humbasin këtë besim, shpërbëhet e gjithë qenia shtetërore. E se ku të çon kjo rrugë, këtë mund ta kuptosh prej urrejtjes kolektive kundër të huajve, refugjatëve dhe myslimanëve, që dominon në rrjetet sociale.

Besimi i qytetarëve të Këlnit tek shteti është tronditur qysh prej natës së Vitit të Ri. Ajo që ka ndodhur në hapësirën mes katedrales dhe stacionit qendror të trenit është TEMA qendrore e diskutimit në mbarë Gjermaninë - e jo vetëm aty. Atakimet ndaj më shumë se 100 grave në Këln ndërkohë kanë gjetur vend edhe në faqet e kryeartikujve të New York Times dhe Wall Street Journal.

Çdo ditë fakte të reja skandaloze

E sikur të mos mjaftonte ky fakt kaq i hidhur, që policia për orë të tëra nuk ishte në gjendje të rivendoste sigurinë dhe rendin në sheshin qendror të qytetit të katërt për nga madhësia në Gjermani, çdo ditë tani dalin në pah fakte të reja skandaloze. Ai me më shumë pasoja është, që presidenti i policisë, pra organi shtetëror përgjegjës dhe vendimtar për sigurinë në qytet, për ditë me radhë e ka mashtruar sistematikisht opnionin publik.

Nisi me një deklaratë shtypi mëngjesin e vitit të ri, pas një nate, gjatë së cilës, sipas tij, nuk kishte pasur ngjarje të veçanta. Pasi në mediet lokale dhe në rrjetet sociale ishin njoftuar më shumë se një duzinë viktima nga ajo natë, presidenti i policisë ftoi në një konferencë shtypi, ku deklaroi, se për fat të keq nuk dimë asgjë mbi dorasit dhe prejardhjen e tyre, gjatë natës nuk kemi mundur të arrestojmë askënd dhe viktimave të mundshme u lutemi të njoftohen në polici. E cila, sipas tij, kishte bërë një punë të shkëlqyer dhe kishte qenë me forca të mjaftueshme e mobilizuar në terren.

Steiner Felix Kommentarbild App
Felix Steiner

Për këtë paraqitje policia korri ironi dhe shpoti në mediet sociale e madje edhe kritikën e ashpër - personalisht nga ministri i Brendshëm. Nëpunësve, që atë natë ishin në gatishmëri u erdhi në majë të hundës derisa më në fund ata i vunë në dispozicion shtypit një sërë detajesh informacioni. Pa shih se ç'doli: rreth 100 vetë ishin kontrolluar e madje ishin marrë në polici. Pjesa më e madhe e tyre ishin identifikkuar me pasaporta siriane apo me dokumenta azili. Më të paktët ndër ta kishin më pak se tre muaj që qendronin në Gjermani, thonë punonjësit që kanë qenë në shërbim. Këto janë tani pikërisht faktet, që të martën (05.01) i kundërshtuan masivisht presidenti i policisë dhe kryebashkiakja e Këlnit. Duke u shprehur, se nuk ka pika referimi. Por të gjithë, që kishin akses tek bankat qendrore të të dhënave të policisë, e dinin qysh atëherë, se kjo ishte gënjeshtër!

E kundërta e së mirës është menduar për mirë

Përse gënjen hapur shefi i një autoriteti? Sepse nuk mund të jetë, çfarë nuk duhet të jetë? Sepse druan, që u jep argumenta të gjithë atyre, të cilët qysh verën e kaluar janë kritikë e madje refuzues - e në shumë raste kanë edhe urrjejte - ndaj pranimit pa kufizim të të gjithë refugjatëve? Sepse nuk dëshirohet që migrantët dhe refugjatët, të cilët sillen korekt, të konfrontohen me dyshimin kolektiv?

Të gjitha janë motive të ndershme. E megjithatë e kundërta e së mirës është menduar për mirë. Por gënjeshtra asnjëherë nuk është zgjidhje, sepse dëmi është edhe më i madh, kur gënjeshtra del në shesh. Gjermania s'ka nevojë për gënjeshtra, por për ndershmëri në debatin mbi detyrën e madhe që ka vendi përpara. Sepse kjo detyrë do ta verë shoqërinë përballë një sprove të përmasave të papara ndonjëherë.

E ndershme do të ishte p.sh. si një hap i parë të pranohej, që ndërkohë në vend jetojnë shumë burra të rinj, që vijnë nga kultura, në të cilat gratë, që qendrojnë jashtë natën vonë, apo kërcëjnë e pijnë alkool, veshin funde të shkurtëra, apo rroba të ngushta dhe i mbajnë flokët e lëshuara, konsiderohen si të përdala. E kjo do të jetë më shumë e nevojshme për integrimin e këtyre burrave, se sa një kurs i gjermanishtes apo dorëzimi i ligjit themelor në gjuhën arabe.

Ju mund të shprehni mendimin tuaj në fund të këtij artikulli. Ne i mirëpresim komentet tuaja!