1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ka nevojë për një ligj imigrimi

1 Qershor 2016

Në Gjermani mungojnë të rinjtë. Po të dojë Gjermania ta ruajë mirëqënien, atëherë duhet të ketë migrim, por specifik dhe të kontrolluar, mendon Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1Ixv9
Schüler Migranten im Integrationskurs
Fotografi: picture-alliance/dpa/J.Stratenschulte

Gjemania ka - më në fund - një ligj për integrimin. Gjermania përpiqet - më në fund - që t'i rregullojë të drejtat dhe detyrimet e imigrantëve. Gjermania pranon - më në fund - se duhet të kujdeset për integrimin e imigrantëve. Në këtë kuptim ligji për integrimin e imigrantëve është - më në fund - një moment historik. Këtu kancelarja dhe qeveria kanë të drejtë. Dhe - më në fund- Gjermania e vret mendjen seriozisht se me se duhet të kontribuojnë imigrantët, çfarë duhet pritur prej tyre.

Por: edhe ky ligj i vonuar integrimi nuk e zëvendëson një ligj të nevojshëm imigrimi. Në shekujt e kaluar, Gjermania ka qenë një vend emigrantësh, por ka kohë që është bërë një vend imigrantësh. Por shumë nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë, shumë nuk duan ta mbajnë mendjen aty. Kjo në një kohë kur Gjermania ka nevojë për imigrantë, sepse këtu lindin shumë pak fëmijë. Mungojnë të rinjtë, pasardhësit: në ekonomi, në industri, në kërkimet shkencore, në mësimdhënie, tek punonjësit e specializuar dhe tek inxhinjerët. Po të dojë ta ruajë mirëqënien Gjermania, atëherë duhet të ketë imigrim - por speficik dhe të kontrolluar.

Një ligj për imigrimin duhet të rregullojë tri gjëra: imigrimin e dëshiruar, të drejtën e azilit për njerëz në hall, për opozitarët e përndjekur, disidentët, shkrimtarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, pjesëtarët e minoriteteve të kërcënuara veçanërisht. Por edhe një të drejtë për refugjatët, e cila ofron një strehim të përkohshëm - për aq kohë sa zgjat lufta ose katastrofat e ngjashme. E drejta e azilit nuk duhet ndryshuar. Ka azil për të përndjekurit. Por ai nuk duhet të jetë një shkak për të ardhur imigrantë legalë ose ilegalë. Vetë fakti që azil në Gjermani marrin vetëm disa mijëra vetë në vit, përballë qindra-mijëra vetëve që vijnë dhe kërkojnë azil këtu - e bën të qartë. Ai që minon të drejtën e azilit dhe e përdor atë për gjithçka, në fund të fundit e shkatërron atë.

Alexander Kudascheff, kryeredaktor i DW
Alexander Kudascheff, kryeredaktor i DW

Krejt ndryshe është imigrimi i dëshiruar. Gjermania do të thotë që kemi nevojë për mjekë, për programues, për gjermanist, për fizikanë, për etnologë, për mësues, për kimistë, për ndërtues makinash - dhe ne i kërkojmë ata në të gjithë botën. Në Zelandën e Re njësoj si në Spanjë. Meqenëse kemi nevojë për ta, meqenëse duam të na vijnë, atyre ne u ofrojmë veç një vendi pune, edhe një status të sigurtë qendrimi. Këta imigrantë mund të bëhen shpejt edhe gjermanë, po të duan. Dhe gjermanisti indian në Universitetin e Rostockut duhet të jetë po kaq i vetëkuptueshëm sa një pastor afrikan në Bavarinë e Sipërme ose një inxhinier bolivian te Mercedesi.

Ata që mbeten janë refugjatët. Askush nuk e di sa do të zgjasë lufta, lufta civile prej së cilës kanë marrë arratinë ata. Mjafton të hedhësh vështrimin drejt Sirisë. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare ata marrin një status qendrimi në Gjermani. Kjo është e vetëkuptueshme. Për të gjithë ata vlen ligji i ri i integrimit, i cili në rastin më të mirë do t'i shtyjë ata që të mësojnë gjermanisht dhe që të punojnë këtu. Dhe i cili në rastin e refugjatëve, të refugjatëve fare të rinj përmban në vetvete edhe shansin që refugjati të kthehet në një imigrant. Këtu Gjermania ndodhet para një sprove të madhe, që do të zgjasë shumë. Kjo nuk ndryshon gjë në faktin që shoqëria gjermane ka nevojë për imigrantë të dëshiruar dhe specifikë. Dhe për këtë nevojitet një ligj imigrimi, i cili ka shumë vite që kërkohet. Një koalicion i madh partish në pushtet mund t'ia dilte ta miratonte këtë ligj.