1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje çliruese për Hillary Clinton-in

Michael Knigge
7 Nëntor 2016

Lajmi më i fundit i shefit të FBI për emailin e Hillary Clintonit rrëzon një argument kryesor të Donald Trumpit.

https://p.dw.com/p/2SH9L
Bildkombo James Comey und Hillary Clinton
Fotografi: Getty Images/AFP/Y. Gripas/J. Sullivan

Dhjetë ditë pasi një letër e shefit të FBI-së, James Comey e tronditi fushatën elektorale, Comey shtoi diçka të re. Me një shkresë tjetër në fundjavë, drejtuar anëtarëve drejtues të kongresit, ai bëri të qartë se institucioni i tij, edhe pas verifikimit të emaileve të tjera në lidhje me kandidaten për presidente të SHBA nuk sheh shkas për të paraqitur një aktpadi. Nëse letra e parë e Comeyt për gjetjen e emaileve të tjera i gëzoi mbështetësit e Trumpit dhe e indinjoi kampin e Clintonit, tani është e kundërta.

Mbështetësit e Clintonit janë të lehtësuar, sepse njoftimi i Comeyt rrëzon një argument kryesor të Donald Trumpit dy ditë para zgjedhjeve - pikërisht që Clintonin e pret një procedurë penale. Për Donald Trumpin dhe mbështetësit e tij, letra e Comeyt është vetëm një konfirmim tjetër, se i gjithë sistemi politik është i manipuluar. Të drejtuar nga Trumpi ata flasin tani sërish me urrejtje kundër Comeyt dhe e akuzojnë atë për ndikim politik në dobi të Clintonit.

Dilema e Comeyt

James Comey
James Comey Fotografi: picture alliance/AP Photo/J. Scott Applewhite

Përsa i përket hetimit për emailet, Comey ndodhej që në fillim brenda një rrethi vicioz. Çfarëdo që të bënte , ai nuk kënaqte dot askënd. Këtu nuk ndryshon gjë as shkarkimi i sotëm nga faji i Clintonit. Për shumë mbështetës të Clintonit, Comey i ofroi Trumpit pak metra para finishit një argument të fortë. Shumë mbështetës të Clintonit - dhe në mënyrë ironike ata bashkohen këtu me mbështetësit e Trumpit - shefi i FBI-së luajti që në fillim një lojë politike, me synimin për t'i ndikuar zgjedhjet. Por pasi të kenë kaluar këto zgjedhje, mbështetësit e të dyja kampeve, të cilët janë të interesuar seriozisht për rivlerësim dhe pajtim pas zgjedhjeve, do të bënin mirë të mendonin nëse i bënë një shërbim vendit dhe besimit të tronditur ndaj institucioneve dhe demokracisë në vendin e tyre me sulmet ndaj Comeyt dhe FBI-së. Sepse askush përveç Comey-t nuk i njeh motivet e vërteta që e shtynë të veprojë. Ndoshta ai ndoqi me të vërtetë një agjendë politike. Por ndoshta ai u përpoq të vepronte duke bërë më të mirën dhe pavarësisht nga partitë politike.

Michael Knigge Kommentarbild App
Michael Knigge

U hoq një pengesë nga rruga

Për Hillary Clintonin lajmi i sotëm, i parë në tërësi, megjithatë është një goditje çliruese, me të u eleminua një pengesë e madhe në rrugën për në Shtëpinë e Bardhë. Sepse edhe vetë në këtë cirk të çuditshëm zgjedhor, ku duket gjithçka e mundur, perspektiva e mundshme e ngritjes së një aktpadijeje kundër një presidenteje të sapozgjedhur e kaloi kornizën e tolerancës. Që FBI e largoi hijen e kërcënimit të një aktpadijeje duhet vlerësuar, jo vetëm për ditën e zgjedhjeve, por edhe për më vonë.