1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jung Afghanistan

27 Nëntor 2009

Ish- Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz-Josef Jung ka dhënë dorëheqjen si pasojë e një serie defektesh në transmetimin e informacioneve për sqarimin e sulmit ajror në Afganistan.

https://p.dw.com/p/Kjfy
Ish-ministri i mbrojtjes, Franc Jozef Jung largohet nga podiumi pasi ka shpallur dorëheqjen si ministër i punës
Ish-ministri i mbrojtjes, Franc Jozef Jung largohet nga podiumi pasi ka shpallur dorëheqjen si ministër i punësFotografi: AP

Në fakt Franz-Jozef Jung nuk ka qenë kurrë i përshtatshëm për ministër. Kur në vitin 2005 ai u bë papritur Minister i Mbrojtjes në qeverinë e kancelares Merkel, për të gjithë vëzhguesit politikë ishte e qartë se kjo nuk kishte të bënte aspak me kualifikimin dhe njohuritë e tij për çështjet e politikës së sigurisë. Në plan të parë ishte konsiderata brenda partisë CDU së Kancelares Angela Merkel.

Jungu shihej si princi trashëgimtar i kryeministrit me influencë, Roland Koch në landin federal gjerman të Hessenit . Në vitin 2000 atij iu desh të largohej nga posti në qeverinë e landit, për shkak të një afere financiare në parti. Kështu ai mori përsipër përgjegjësinë për skandalin, të cilin shumë komentatorë ia atribuan atëherë mikut dhe mecenit të tij, kryetarit të qeverisë, Koch. Në shtaor 2005 Jungu u shpërblye me postin e Ministrit të Mbrojtjes. Në të njëjtën kohë ai përfaqësonte interesat e kryeministrit të fuqishëm të Hesenit Koch, në Berlin, në rang federal.

Por figurë bindëse Jung nuk bëri dot gjatë kohës si ministër. Një orator i keq, një politikan i plogësht, një ministër, që nuk arriti të forconte autoritetin e tij dhe të ngjallte besimin me aftësinë e tij drejtuese. Në tetor 2006, kur anijet gjermane, që patrullonin para bregdetit libanez në kuadër të misionit të OKB-së, u sulmuan nga anijet ushtarake izraelite, Jungu nuk e quajti të nevojshme të këmbente disa fjalë sqaruese me qeverinë në Jerusalem. Vetëm kjo do të kishte qenë arsye e mjaftë për të kërkuar dorëheqjen e tij.

Sulmi i Bundesverit ndaj dy cisternave të vjedhura nga talibanët me 4 shtator e vuri ministrin sërish në vështirësi pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Në këtë sulm ajror duhet të jenë vrarë deri 142 vetë, ndër ta edhe një numër i panjohur civilësh. Madje edhe fëmijë duhet të ketë patur në rradhët e të vdekurve, afganë që duhet t'u jenë afruar cisternave.

Jungu në deklarimet e para u bazua në burimet afgane, sipas të cilave shumica e viktimave kishin qenë talibanë. Vetëm tani u bë e ditur, se që me datën 9 shtator kishte patur një raport të policisë ushtarake të Bundesverit, në të cilin bëhej fajlë për viktima civile. Këtë raport Jung ia kishte kaluar Natos me kërkesë të inspektorit të përgjithshëm të Bundesverit. Por ai vetë nuk e kishte lexuar aëtë, gjë që verteton të gjitha supozimet për paaftësinë e tij. Me këtë ai është skualifikuar edhe si ministër.

Por jo vetëm Jung bën një figurë të keqe në këtë aferë. Edhe kancelarja Angela Merkel nuk ka treguar anën e saj më të mirë. Ajo vertetë u distancua qartë prej ministrit të saj, por nuk arriti të vendosë shkarkimin e tij. Me këtë nuk tregoi forcën drejtuese, që presin qytetarët e saj.


Autor: Bettina Marx

Redaktoi: Auron Dodi