1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Integrim do të thotë të ofrosh shanse

Kersten Knipp29 Tetor 2015

Në Francë dhjetë vjet më parë mijëra të rinj nga familje migrantësh dolën në rrugë. Nga pakënaqësia e tyre shpërtheu një dhunë e pandërprerë. Gjermania mund të mësojë nga gabimet e francezëve, mendon Kersten Knipp.

https://p.dw.com/p/1GwEl
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për një gjë janë të gjithë francezët të një mendjeje sipas sondazheve: që duhet të ruhen nga banorët e periferive, të ashtuquajturat "banlieues". Sepse pasardhësit e migrantëve me prejardhje nga vendet e Maghrebi dhe vendet e Afrikës poshtë Saharës janë të rrezikshëm, të varfër dhe të parregullt. Përveç kësaj ata izolohen nga të tjerët. Shumica e të pyeturve e quajnë të pamundur, që partitë politike mund të ndihmojnë për të ndryshuar gjendjen në "banlieues".

Vetëm fasada të ndërtesave?

Shumë shqetësues është fakti se që nga trazirat e dhunshme në vjeshtë 2005 të dy grupet e francezëve, vendasit dhe të ardhurit, janë larguar edhe më shumë nga njëri-tjetri. Dhe kjo edhe pse që prej protestave kanë ndodhur mjaft gjëra: Miliarda euro kanë rrjedhur në zhvillimin e modernizimin e "zonave problematike urbane" (ZUS), siç quhen zyrtarisht "banlieues". Investimet kanë qenë shumë të suksesshme, së paku një pjesë e madhe. Shumë banorë i kanë vlerësuar përparimet, që kanë bërë lagjet, së paku nga ana optike. Të tjerët i pengon pikërisht kjo: Fasadat janë zbukuruar, por problemet e vërteta nuk kanë ndryshuar aspak.

Knipp Kersten
Knipp Kersten

Shifrat e justifikojnë kritikën: të ardhurat e banorëve të periferive arrijnë mesatarisht 56 përqind të mesatares kombëtare. Papunësia e përgjithshme është dhjetë madje 22 përqind nën mesataren kombëtare. Ndjesia e të qenit pa shanse është thelluar që nga viti 2008, kur euro hyri në krizë. Prej dhjetra vitesh të gjitha qeveritë franceze, përqiqen ta vënë nën kontroll krizën ekonomike, shumicën e rasteve pa sukses. Pasojat e dështimit i ndjejnë në rradhë të parë banorët e "banlieues". Si rrjedhojë kriminaliteti, sidomos tregtia e drogës, po zgjerohet ashtu si dhe islami radikal. Pikërisht fundamentalizmi fetar tregon, se aty ku dështon politika, nisin diskutimet e emocionuara mbi identitetin.

Çfarë mund të mësojë Gjermania

Nëse Gjermania mund të mësojë një gjë nga përvojat franceze, atëherë këtë: Diskutimi publik për migrimin dhe integrimin nuk është pa rrezik. Nëse gati 80% e francezëve etnikë kanë një marrëdhënie të distancuar dhe të ftohtë me qytetarët me rrënjë emigracioni, atëherë shumëçka flet për faktin se distanca ndërmjet dy grupeve do të mbetet edhe në të ardhmen. Nëse një grup pozicionohet dhe shprehet në lidhje me një grup tjetër, kjo influencon drejtpërsëdrejti edhe në marrëdhëniet mes tyre. Kur flet mbi veçoritë e "të tjerëve" nuk bën vetëm përshkrimin e tyre, por edhe ndihmon që paragjykimet të mbeten gjallë. Përvojat mund të kenë ndodhur në të kaluarën, por ato formojnë të ardhmen. Vala aktuale e migracionit mund të kufizohet. Por ajo nuk mund të ndalohet më. Së paku për këtë periudhë Gjermania është më e prekur prej saj se Franca. Dhe kjo do të thotë: Modeli social i Republikës Federale të Gjermanisë nuk do të jetë më i vetëkuptueshëm. Ai do të përplaset me vizione të tjera. Së paku ai do të jetë i shoqëruar nga koncepte të tjera, nëse jo në përmasa të mëdha, atëherë të vogla.

Prandaj të gjithë ata, që i janë dedikuar deri tani modelit sundues social, duhet ta mbështesin atë. Por kjo nuk arrihet përmes përjashtimit, por vetëm përmes dialogut dhe qartësisë. Shembulli i Francës tregon se rruga e vetme për t'i qëndruar besnik Gjermanisë, është që t'i jepen të ardhurve shanse të vërteta dhe t'u hapen ekonomikisht dyert. Kjo kërkon përpjekje dhe sinqeritet. Por pa përpjekje dhe sinqeritet modeli social gjerman thuajse ka humbur.