1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Kievi duhet të zgjedhë midis murtajës dhe kolerës

Ingo Mannteufel13 Maj 2014

Dhunë dhe referendum fiktiv në Ukrainën Lindore. Sanksione të reja të BE. Dhe megjithatë, mendon Ingo Mannteufel, në Ukrainë po përvijohet një zgjidhje. Gjithçka tani varet nga udhëheqja e Kievit.

https://p.dw.com/p/1ByoO
Ingo Mannteufel
Fotografi: DW

Konflikti i Ukrainës ka avancuar muajt e fundit në një krizë jashtëzakonisht të ndërlikuar politike. Të shpresosh për një zgjidhje e thjeshtë dhe konsekuente, kjo nuk të çon më tej. Ngado që ta kthesh kokën, në këtë konflikt nuk do të ketë fitimtarë të qartë, në fakt vetëm të humbur. Dështimi i marrëveshjes së arritur para Pashkëve në Gjenevë tregon se sa të brishta mund të jenë formulat e kompromisit.

Politikë brutale interesash e Moskës

Aneksimi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i Krimesë nga Rusia dhe politika pasuese e Kremlinit për të destabilizuar Ukrainën Lindore dokumentojnë se Moska nuk është e interesuar për një deeskalim të situatës. Dhe megjithatë duket se po hapet një dritare e vogël për shtensionimin e situatës. Dhe kjo megjithë faktin, që me referendumet fiktive në Donetsk dhe Luhansk, si dhe sanksionet e reja të BE, në vështrim të parë gjendja po shkallëzohet më tej.

Zgjidhja e avancuar me mundim pas perdeve nga politika e jashtme gjermane konsiston në një Tryezë të Rrumbullakët të të gjitha grupimeve politike në Ukrainë nën kryesimin e OSBE-së, në drejtimin e diplomatit me përvojë Wolfgang Ischinger dhe të përfaqësuesve të Ukrainës. Mund të supozosh me mjaft gjasa se ky plan ka miratimin parimor të Putinit. Propozimi, që ai u tha separatistëve për t'i shtyrë "referendumet", mund të interpretohet si manovër e qëllimshme shmangieje pa seriozitet politik. Por reagimi i Moskës pas "referendumeve" është - në dallim nga farsa e votimit në Krime - relativisht i vakët. Lutja e shprehur prej separatistëve, për t'u bashkuar me Rusinë, deri tani ka marrë vetëm përgjigje me rezerva. Mbi të gjitha mungon një deklaratë e qartë publike e Presidentit Putin.

Misioni i Steinmeier-it në Kiev

Do të jetë vendimtare, nëse ministri i Jashtëm Steinmeier dhe ndërmjetësuesit e tjerë do të arrijnë që ta bindin qeverinë tranzitore rreth Turçinovit dhe Jazenjukut, që të ulen në këtë Tryezë të Rrumbullakët. Është e kuptueshme që ndaj kësaj ideje ka shumë rezerva. Me të drejtë mund të argumentohet që Kremlini tani është i interesuar për një zgjidhje të tillë me negociata vetëm, sepse me aksionet ilegale të separatistëve prorusë ka ndërtuar më parë pushtet negociues. Për më tepër, në elementët për propozimin për një tryezë të rrumbullakët ka edhe pengesa: me cilin mandat mund të marrin pjesë në negociata separatistët në fakt? A do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale të 25 majit? A nuk pranohet me to shkëputja e Krimesë? Këto janë vetëm disa prej shumë pyetjeve, të cilat lidhen me projektin e Tryezës së Rrumbullakët. Udhëheqja ukrainase si pasojë nuk ndodhet para një vendimi të lehtë.

Negociata ose ndarje

Por alternativat nuk janë më të mira. Javët e fundit e kanë bërë të qartë se me çfarë brutaliteti dhe rigoroziteti është e gatshme Moska që t'i zbatojë interesat e saj. Aprovimi, që është lënë të nënkuptohet i Rusisë për këtë plan të OSBE-së për një Tryezë të Rrumbullakët, nuk duhet të na shtyjë të besojmë se Kremlini është tërhequr nga objektivat e tij. Naiviteti politik nuk është me vend përballë Rusisë. Përkundrazi: edhe me Tryezën e Rrumbullakët dhe me separatistët prorusë Kremlini synon të sigurojë një të drejtë bashkëvendosjeje për të ardhmen e Ukrainës dhe në rast nevoje të mbështesë edhe një ndarje të Ukrainës.

Po të dështojë propozimi i një Tyeze të Rumbullakët nën kryesimin e OSBE-së mund të presësh që konflikti në Ukrainë të shkallëzohet më tej dhe që Moska të bashkohet me përpjekjet separatiste proruse. Kievi politik ndodhet tani para zgjedhjes së murtajës, ose kolerës.

Ingo Mannteufel drejton Redaksinë Ruse.

LINK: http://ëw.dw.de/dw/article/0,,17631188,00.html