1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthimi i asaj që ke shtypur brenda vetes

Kersten Knipp5 Shtator 2015

Debati në lidhje me refugjatët në mediat gjermane duket çuditërisht i njëanshëm, mendon Kersten Knipp.

https://p.dw.com/p/1GRPB
Fotografi: picture-alliance/dpa/Steffen

Çfarëdo që mund të mendosh për psikoanalizën e Sigmund Freud - ai ka lënë disa terma të dobishöm: unë, super-egoja, dëshira dhe projektimi. Terma që lidhen me psikoanalizën, por të përshtatshme edhe për të përshkruar debatin publik lidhur me refugjatët dhe azilkërkuesit. Asnjë fjalë tjetër nuk e përshkruan këtë moment më të mirë se ajo e "kthimit të asaj që ke shtypur brenda vetes".

Kjo gjë e shtypur brenda vetes gjendet aktualisht në forumet e përdoruesve gjermane të mediave online. Këtu ajo manifestohet: shpesh cinike, pothuajse gjithmonë e papërpunuar dhe e furishme, nganjëherë plot urrejtje. Në një gjuhë të egër, shpesh plot gabime ortografike aty lexon se çfarë mendojnë lexuesit dhe shikuesit për politikën gjermane ndaj refugjatëve. Dhe me siguri nuk është ekzagjerim kur ti e kupton se jo gjithkush është entuziast.

Gjuha e urrejtjes

Në fakt duhet thënë madje se shumica nuk janë entuziastë. Rezervat e tyre ata i shprehin shpesh në një gjuhë që e njeh vetëm nga rruga. Ka fyerjet dhe sharje në adresë të gazetarëve të cilët nganjëherë i konsiderojë si "tradhtarë", të cilët duhen identifikuar. Disa kanë karakterin e një thirrje për drejtësi individuale. Në internet artikulohet i gjithë zemërimi i njerëzve të cilët nuk janë mjaft të ngazëllyer nga zhvillimet aktuale dhe përfaqësimi i tyre në media.

Knipp Kersten Kommentarbild App

Toni shpesh agresiv çon në pyetjen se nga ushqehet jy zemërimi. Një nga përgjigjet është ndoshta: sepse në instancat e civilizuar, dmth mediat kryesore, ka aktualisht një marrëveshje të pazakontë, ndoshta deri tani të paparë. Është sikur ekziston një marrëveshje e heshtur: nisur prej vuajtjeve të mëdha të njerëzve për lëvizjet migratore drejt Evropës raportohet vetëm në mënyrë pozitive. Kritikë apo pytje skeptike? Jo, në asnjë mënyrë!

Kjo heshtje tregon mbi të gjitha një gjë: gazetarët kanë frikë. Frikë, se mos me vërejtje dhe pyetje kritike mund të nxisin ata që e shprehin hapur urrejtjen ndaj refugjatëve, u vënë zjarrin strehimeve të tyre dhe nuk ngrurojnë as të vrasin. Për shkak të bashkëkohësve të tillë përmbajtja është e arsyeshme. Ajo është e arsyeshme për shkak se disa thjesht nuk e kuptojnë dallimin në mes të pytjeve kritike dhe urrejtjes së pastër.

Debat politik i kufizuar

Në anën tjetër ky shqetësim kufizon një debat medial në një mënyrë shumë të rrallë. Normalisht në mediat gjermane diskutohet me të gjitha forcat për çështje dhe probleme të vendit, për to diskutohet hapur dhe me të gjithë mprehtësinë. Gazetarët peshojnë të mirat dhe të këqijat, ndajnë vlerat e dëshiruara nga nevojat e detyrueshme, atë që është e mundur nga e pamundura. Në debatin e refugjatëve kjo grindje mungon pothuajse tërësisht.

Ndërkohë pyetjet urgjente janë të dukshme: a mund ta përballojë me të vërtetë Gjermania integrimin? Sa refugjatë mund të përballojë një vend? Cilat janë pasojat sociale të emigracionit masiv, ndikimi i tij në tregjet e punës dhe të banimit dhe në sistemet sociale?

Kafka na përshëndet

Mosshtrimi i këtyre pyetjeve shqetëson shumë prej lexuesve që shprehen aktualisht në forumet e mediave online. Të paktën ata më të ndjeshmit në mesin e tyre i analizojnë me sy kritik mesazhet që shkruajnë: a janë pra skeptikët që politikisht e klasifikojnë veten vërtetë në qendër, papritmas fanatikë të spektrit të djathtë? A i përkasin ata ende "Gjermanisë së ndritshme", që Presidenti federal Joachim Gauck e dalloi pak ditë më parë nga "Gjermania e errët" e zjarrvënësve dhe e racistëve? A mos vallë ata janë transformuar, sikurse Gregor Samsa i tregimit të Kafkës "Metamorfoza", brenda natës në parazitë monstruozë, parazitë monstruozë nga perandoria e ksenofobëve dhe e nacionalistëve?

Debati në lidhje me refugjatët duket çuditërisht i njëanshëm. Dhe ky bëhet me një ton me ngjyrim moral apo ndoshta moralist. Ky nuk i bën mirë vendit. Komentet e lexuesve tregojnë se gjërat që njeriu shtyp në vetvete rikthehen, dhe madje në formë mjaft të pakëndshme.

Prandaj është e rëndësishme që ato të përfshihen, madje dhe sidomos në media. Megjithë ngacmimet dhe sharjet duhet që diskutimi për sfidat afatgjata të jetë i hapur, kritik, dhe shumëzërësh. Sepse të mos shtrosh pyetje, nuk do të thotë se këto pyetje nuk ekzistojnë.