1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mashtrim i qartë në votimet në Rusi

Ingo Mannteufel20 Shtator 2016

Pas fasadës së zgjedhjeve demokratike në Rusi janë falsifikimet e zgjedhjeve dhe apatia politike. Kjo me kalimin e kohës do t'i vërë pikëpyetje legjitimitetit të sistemit, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1K546
Russland Parlamentswahlen
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Fadeichev

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare ruse nuk është surprizë: që partia në pushtet "Rusia e Bashkuar" - e përforcuar nga një numër deputetësh nga qarqe të veçanta elektorale - do të arrinte shumicën e qartë për dy të tretave në Duma, kjo ndoshta qe vendosur prej kohësh që më parë në kabinetet në Kremlin. Po kështu qe vendosur që në parlament të futen si grupe parlamentare vetëm tri parti të tjera, faktikisht të kontrolluara nga Kremlini.

Kremlini arriti që ta ruajë rezultatin e dëshiruar, pa pasur protesta masive si pesë vjet më parë. Atëherë, mijëra rusë dolën në të ftohtët e akullt të rrugëve të Moskës dhe të Shën Petersburgut dhe e bënë të qartë pakënaqësinë e tyre për falsifikimet në zgjedhje dhe për manipulimet.

Fasadë demokratike

Vërtet që edhe këtë herë pati regjistrime në video dhe sinjale të tjera për falsifikime të votave, si për shembull në hedhjen me tufa, të fletëve shtesë të votimit në kutitë e votimit. Por ndryshe nga viti 2011, në Rusinë e vitit 2016 kjo nuk çon më në mobilizim të të pakënaqurve dhe të atyre që mendojnë ndryshe. Represionet e viteve të kaluara i kanë hedhur në apati politike shumicën e njerëzve.

Për kritikët e Kremlinit asnjëherë nuk pati shanse të vërteta përballë partisë në pushtet "Rusi e Bashkuar", e cila u mbështet nga të gjitha anët me media dhe në aspektin administrativ. Prandaj Kremlini pati mundësi ta zbukurojë fasadën demokratike dhe të angazhojë për shembull një drejtuese të re për zgjedhjet, ta ulë kufirin e hyrjes në Parlament prej shtatë përqind në pesë përqind dhe të lejojë regjistrimin e partive kritike ndaj Kremlinit.

Në klimën politike kur barrierat mbrojtëse të Rusisë gjoja kërcënohen nga bota e jashtme, fushata elektorale bosh nga përmbajtja dhe e tërhequr kishte si detyrë vetëm që t'u bënte të qartë zgjedhësve se nuk kishin alternativë tjetër veç partisë faktikisht të Putinit, "Rusia e Bashkuar".

Ingo Mannteufel
Ingo Mannteufel

Sa mirë ka ecur procesi i depolitizimit të shoqërisë ruse, kjo duket në pjesëmarrjen e ulët në votime, të gjoja 48 përqind të zgjedhësve. Në vitin 2011 shkuan vetëm rreth 60 përqind që të votonin, kjo në një kohë kur të dyja vlerat duhet të jenë manipuluar duke i shtuar.

Apatia si faktor stabilizues

Pjesëmarrja e ulët e votimeve në Rusi nuk është e krahasueshme me vlera të ngjashme të ulëta në shtetet demokratike. Sepse në Rusi, të gjithë zgjedhësit, tek të cilët shteti ka akses të drejtpërdrejtë (për shembull nëpunësit civilë, ushtarët, mësuesit, punonjës të ndërmarrjeve industriale dhe bujqësore) urdhërohen pak a shumë hapur që të shkojnë të votojnë. Para së gjithash jashtë qyteteve të mëdha është e vështirë që t'i shpëtosh presionit.

Të drejtën për të mos dhënë votën e tyre mund t'ia lejojnë vetes para së gjithash ata rusë që janë pak më të pavarur nga strukturat shtetërore dhe që jetojnë shumicën e herëve në qytetet e mëdha si Moska dhe Shën Petersburgu. Dhe në këto metropole ruse, pjesëmarrja natën e zgjedhjeve ishte më pak se 20 përqind, pjesëmarrja e cila natën - ndoshta për shkak të fletëve shtesë të votimit? - u rrit disi.

Legjitimitet i diskutueshëm

Për momentin Kremlinit vetëm i vjen për mbarë kjo mungesë interesi për politikën. Përbërja e Dumas është ajo që dëshironte ai. Por cili është legjitimiteti i një institucioni politik, kur shumica e qartë e moskovitëve, petersburgasve dhe novosibirkasve nuk shkon në zgjedhjet e përgjithshme dhe në të gjithë vendin - pak a shumë me detyrim - merr pjesë në zgjedhje më pak se gjysma e votuesve. Fasada demokratike e Rusisë ndodhet kështu në një bazament të pasigurtë.

Prandaj nuk të habit fakti, që pikërisht ditën pas zgjedhjeve bëhen të njohura plane, sipas të cilave Kremlini do t'i përmbledhë të gjitha shërbimet e fshehta dhe strukturat e sigurisë sërish në një "Ministri të Sigurimit të Shtetit" të gjithëfuqishme - në analogji me KGB-në.