1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krisje në botën e rregullt gjermane

Sarah Judith Hofmann8 Mars 2016

Para një viti publikuam një apel në ditën e 8 Marsit: Femrat duhet të mbrohen kundër barcoletave maskiliste. Pas ngjarjeve të Kölnit, ku qindra femra u ngacmuan seksualisht, Sarah Hofmann shkruan për femrat si viktima.

https://p.dw.com/p/1I9Lj
Symbolbild UN Menschenrechte Frauen
Fotografi: picture-alliance/dpa Fotografia

Këln, mars 2016. Pas një leximi autorial marr rrugën drejt metrosë. Vetëm! Rruga pa dritë është e zhytur në errësirë, por ende sheh shumë njerëz. E megjithatë fus duart në xhepat e palltos të shtrëngoj celularin, spruco lotsjellëse nuk kam me vete. Të dridhura. E ka fajin vetëm shiu?

Papritur mendja më shkon tek Nata e Vitit të ri në Këln. Atë natë para dy muajsh e më shumë që ka ndryshuar kaq shumë gjëra, atë natë kur gra të panumërta u ngacmuan seksualisht, u pickuan, u vodhën. Prokuroria e Këlnit duhet të trajtojë 471 delikte seksuale.

Gjermania ka ndryshuar dramatikisht

Ende gjendja shokuese vazhdon të jetë prezente tek këto gra. Edhe tek unë. Deri në këtë ngjarje mendoja se e kishim kaluar fazën e debatit për femrat si viktima. Dhe se na duhet ta vrisnim mendjen vetëm për të arritur barazinë e kërkuar të gjinive.

Deutsche Welle Sarah Hofmann
Sarah Judith HofmannFotografi: DW/P.Henriksen

Por këtë vit Gjermania ka ndryshuar dramatikisht. Papritur nuk i perceptojmë nga largësia luftërat dhe rajonet e luftës si në Siri Afganistan, Eritrea apo shumë vende të tjera, edhe pse prej kohësh i ndiqnim ato me empati, zemërim apo dëshpërim. Jo, tani këto kriza bashkë me njerëzit e detyruar të marrin arratinë kanë ardhur tek ne.

Me këtë nuk e kam fjalën vetëm për autorët e dyshuar të ngjarjes së Kölnit, që ishin kryesisht "djem afrikanoveriorë, ose me origjinë arabe". Ky përshkrim ka çuar në Gjermani në një debat, herë-herë të padurueshëm për "burrin arab", për "migrantët ekonomikë" dhe mundësi të shpejta të kthimit te "të huajve me të shkuar kriminale". Në një kohë që është harruar se është legjitime pyetja, se çfarë vlere kanë femrat në shumë pjesë të kësaj bote, dhe se çfarë imazhi për femrën duhet t'u transmentohet këtyre të rinjve në Gjermani.

Krisje brenda botës së sigurt

Këtu e kam fjalën edhe për 350.000 femrat që kanë ardhur në Gjermani vitin e kaluar, sipas të dhënave të të ngarkuarës së qeverisë për migracionin. Disa prej tyre kanë përjetuar edhe dhunën seksuale. Disa prej tyre janë mbajtur nga trafikantë, janë përdhunuar dhe shitur e janë keqtrajtuar nga bashkëudhëtarët e tjerë në rrugëtimin drejt Europës. Ato vijnë të traumatizuara tek ne. Pjesërisht ato ndeshen ende me dhunë në strehimoret e azilit, si nga refugjatët e tjerë, por edhe nga personeli i sigurisë. Kjo është po aq shokuese sa edhe Nata e Vitit të Ri në Këln. Femrat, pavarësisht se nga vijnë, duhet ta ndjejnë veten të sigurtë në Gjermani. Në strehimore e në sheshe publike. Kjo nuk mund të arrihet vetëm me prezencën policore. Nuk dua të ndjehem e sigurtë në të ardhmen në një komunitet, ku në çdo cep shikon personel sigurie. Fenrat në Johanesburg, Delhi apo Kajro ëndërrojnë të ecin vetëm në orët e mbrëmjes. Bota jonë e sigurt tani ka pësuar krisje. Ne duhet t'i mbyllim të çarat.

Femrat duhet të jenë aktore vepruese

Duke debatuar për atë se si shihen femrat në shoqërinë tonë -si nga gjermanët ashtu edhe nga të ardhurit. Në këtë debat është e rëndësishme të mos i shohim femrat vetëm si viktima, por si aktore vepruese që e marrin jetën e tyre në dorë. Këtu bën pjesë edhe këshilla për veten: "Mos kalo në histeri!". Po qe se ne femrat nuk lëvizim të vetësigurta dhe vetëkuptueshëm mbrëmjeve vetëm, të hyjmë të vetme në një metro natën, atëherë ne i heqim vetes cilësinë e jetesës. Nuk kam nevojë për spruco lotsjellëse në Këln.

Ndoshta vitin e ardhshëm mund të shkruaj sërish për gratë në ambiente pune. Për shembull, për ato që ia kanë dalë - të largohen nga strehimoret e azilit dhe punojnë në zyrë gjermane.- Gjë e bukur, apo jo?

Ju mund të jepni opinionin Tuaj në fund të këtij artikulli! Ne ju mirëpresim!