1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një atmosferë Watergate-i

10 Maj 2017

Hetimet në aferën e emailit rreth Hillary Clintonit janë gjoja shkas për shkarkimin e shefit të FBI, James Comey nga Presidenti Trump. Tani kërcënon të pasojë një tërmet politik, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/2cj0D
Washington Senat Aussage FBI Director James Comey
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë amerikane: shefi i Shtëpisë së Bardhë shkarkon nga detyra shefin e FBI-së, në një kohë kur ky po drejtonte hetime, të cilat mund të bëheshin të rrezikshme për Presidentin. James Comey po hetonte përpjekjet e Rusisë për ta ndikuar fushatën elektorale në SHBA: në fund të fundit me synimin për t'i shtruar Donald Trumpit rrugën për në Shtëpinë e Bardhë dhe për të dëmtuar konkurrenten e tij, Hillary Clinton.

Javët  e fundit, administrata i hodhi poshtë të gjitha kritikat se ka bashkëpunuar me Kremlinin gjatë fushatës elektorale 2016. Por hetime përkatëse të FBI-së ende po vazhdojnë. Që të shkarkosh pa marrë fund ato shefin e institutucionit të policisë, lë një shije të hidhur, politike. Tani nuk janë vetëm demokratët që druhen se Donald Trumpi do të emërojë një drejtor të FBI-së, i cili t'u japë fund shpejt hetimeve. Me këtë nuk do të dilte kurrë në dritë e gjithë e vërteta për ndikimin politik të Moskës. 

Miodrag Soric
Miodrag Soric

Presidenti i SHBA në vështirësi

Vendimi i Trumpit e dëmton besueshmërinë e institucioneve politike në Uashington. Prestigji i klasës politike mund të arrijë pika të reja të ulëta, zhgënjimi nga politika do të shtohet. Presidenti gjoja dëshiron një fillim të ri për FBI. Trumpi e argumenton shkarkimin e Comey-t me sjelljen e tij në aferën e emailit rreth Hillary Clintonit. Por këtë nuk ia beson askush, as kolegët e partisë së tij. Në fund të fundit, ishte vetë Trumpi që nuk la lëvdata pa bërë për Comey-n në këtë çështje - duke qenë se hetimet në momentet e fundit të fushatës elektorale e rënduan në mënyrë ekstreme rivalen e tij. Që ta shkarkosh shefin e FBI-së, muaj më vonë, pikërisht për këtë: është i lig ai që i vete mendja për ters.

Nxjerrja me detyrim në pension e Comey-t mund të shkaktojë një tërmet politik në Uashington. Ky vendim të kujton skandalin e Watergate-t. Në fund të fundit, edhe Richard Nixoni shkarkoi në fillim të viteve 1970 një hetues të posaçëm, i cili i kishte kuptuar makinacionet e tij. Por Nixonit iu desh të jepte dorëheqjen: e vërteta nuk qe e mundur të fshihej gjatë. Trump mund të ketë fuqinë për ta shkarkuar Comey-n. Por demokratët dhe disa republikanë, do t'i vazhdojnë kërkimet për të mësuar, nëse ekipi elektoral i Trumpit është marrë vesh me instancat ruse. Dëshmitë për këtë deri tani mungojnë. Por kjo mund të ndryshojë.