1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Një fjali e Angela Merkelit preokupon Gjermaninë

Dagmar Engel20 Shtator 2015

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të martën një deklaratë, e me një fjali të saj po merret e gjithë Gjermania, edhe Dagmar Engel nga Deutsche Welle.

https://p.dw.com/p/1GZ22
Angela Merkel Porträt entschlossen Asylpolitik Asyl Flüchtlinge Krise Europa NRW
Fotografi: picture-alliance/dpa/Malte Ossowski/SVEN SIMON

Fjalia e Merkelit edhe një herë: „Po qe se ne fillojmë të mendojmë tani se na duhet të kërkojmë falje, që tregohemi miqësore me njerëzit në nevojë, atëherë ky nuk është vendi im.“ Kjo ishte përgjigjja e Merkelit për akuzën, pse ajo sinjalizoi një gadishmëri të ekzagjeruar dhe me këtë shkaktoi rritjen e fluksit të refugjatëve. Një akuzë kjo që vjen nga disa krahë, edhe nga vetë partia e saj, CDU, por edhe nga kristiansocialët, partia CSU.

Kjo fjali drejtohej në radhë të parë ndaj këtyre zërave kritikë, por ishte një fjali që mbante brenda një kërcënim të fshehur: me mua ose pa mua. Me mua: Po qe se bëhet fjalë për një Gjermani miqësore, me zemër të madhe. Pa mua, po qe se doni të ngrini mure kundër njerëzve në nevojë. Kjo tingëllon vërtet si një mocion votëbesimi jashtëparlamentar ndaj Unionit CDU/CSU. Angela Mekel po përdor tani postin, pushtetin dhe popullaritetin e saj. Angela Merkel është prej vitesh kancelare, ajo nuk ka më nevojë për pushtet, për parti dhe ata "mendimtarët" e vonuar" që nuk formulojnë dot asnjë ide kur vjen puna se çfarë do të kishin bërë ndryshe, po qe se do të ishin pyetur atë natë. Nuk ka alternativë tjetër, - fjalia e ashpër e Merkelit për krizën financiare,- i shkonte kësaj situate, por nuk i shkonte kancelares papritur emocionale.

Dagmar Engel
Dagmar Engel komentonFotografi: DW

Vërtet që as gjestet e as toni i saj nuk ishin emocionalë, por fjalët e përdorura po. Fjalia të jep më shumë informacion kur shikon renditjen e saj aq shpesh të cituar: „Në këtë kuptim besoj unë, nga njëra anë që ishte impulsi i duhur….“ Këtu Merkel pranon se jo gjithçka mund të mendohet duke u nisur nga fundi, se nganjëherë njeriu duhet t'i besojë edhe impulseve të tij. Përshtypja mund të të gënjejë, por tani më të pasigurtë në vend e përtej kufijve janë bërë ata që ankoheshin për gjendjen e ngopur e inerte të shoqërisë gjermane dhe mungesën e gadishmërisë së kancelares për të marrë drejtimin në dorë. Ai që besonte se e njihte stilin drejtues të Angela Merkelit, tani i trembet një situate të re: më shumë moral se arsye, më shumë veprim sipas situatës, se përshtatje ndaj një plani të studiuar mirë, vendime të shpejta në vend të konsultimeve pa fund, më shumë zemër se kokë.

Por e jashtëzakonshme nuk është sjellja e kancelares, por situata aktuale. Fjalia me impulsin vazhdon: „…në anën tjetër, që të shikohet - si mund t‘i bëj gjërat në atë formë që t'iu përgjigjen interesave tona të sigurisë?“

Kontrollet kufitare u vendosën. Që nga e enjtja në mbrëmje e dimë se qeveria gjermane po punon për një projektligj që formulon një qëndrim më të ashpër se kurrë më parë në Republikën Federale kundrejt migrantëve. Kreu i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët u largua. Ministri i Brendshëm para fundit. Angela Merkel nuk është bërë e butë. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do ta kuptojnë këtë në samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel.

Në fund të këtij komenti Ju mund të jepni opinionin Tuaj. Ne i mirëpresim komentet nga Ju!