1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Pavarësia duhet menaxhuar

Vilma Filaj-Ballvora17 Shkurt 2015

Kosova ka shumё probleme. Megjithatё kosovarёt kanё arsye qё ta festojnё pёrvjetorin e shtatё tё pavarёsisё, mendon Vilma Filaj-Ballvora

https://p.dw.com/p/1EcpA
Flüchtlinge aus dem Kosovo
Fotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

Që shtatë vjetori i pavarësisë do ta gjente Kosovën "të braktisur" prej shumë qytetareve e qytetarëve këtë pakkush mund ta kishte parashikuar. Largime të qytetarëve në përmasa të tilla Kosova i ka pёrjetuar edhe para e gjatë luftës. Por shteti më i ri europian ka përjetuar edhe migrimin në kah të kundërt dhe për motive krejt të ndryshme: Ishin me mijëra ata kosovarë, qё menjёherё pas luftёs 16 vjet mё parё dhe pas shpalljes sё pavarёsisё shtatё vjet mё parё i kthyen krahёt Perëndimit, duke lënë gjithçka kishin ndërtuar atje për ekzistencёn e tyre. Motivi i tyre duhet të kenë qenë pra mjaft i fortë: dёshira pёr tё jetuar nё shtetin e tyre, shpresa, se Kosova e pavarur do t'u ofronte atyre atё ҫ'ka u kish munguar prej dekadash - identifikimin me atdheun -, ëndrra e gjatë për Kosovёn e pavarur.

Ndjenja e patriotizmit dominoi kundrejt joshjes së jetës komode nё Perёndim. Por zgjimi nga ёndrra e pavarёsisё ishte i shpejtë dhe pёrmallimi për shtetin e mëvetësishëm u kthye në zhgënjim. Kosova ёshtё prej shtatë vjetësh e pavarur, por ende jo e njohur plotёsisht si e tillё nga shumё vende tё botёs. Serbia prej nga ajo u shkëput nuk do ta njohë pavarësinë dhe luan një poker të fortë për të ruajtur interesat e saj në Kosovë. Shteti i ri ёshtё vendi mё i varfёr nё Europё. Rinia ёshtё e papunё dhe has nё mungesё perspektive. Kapja e shtetit, ekonomia e tarafeve, korrupsioni u zenё frymёn qytetarёve tё ndershёm. Kёto janё vёrtetё arsye të forta, qё i nxisin qytetarët e Kosovës tani drejt odisesё sё migrimit nё Europё. Por ëndrra e tyre për një jetë më të mirë do të kthehet shpejt në zhgjëndërr, sepse vendet europiane do t'i kthejnё gati tё gjithё nё atdhe.

Europa, që e ka mbështetur fort dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, e klasifikon atë sot si vend demokratik, ku nuk ka pёrndjekje, qё do tё mund tё shёrbente si argument pёr azilin nё kёto vende. Destinacioni i odisesë së migrimit ilegal është Kosova. E pra relacioni Kosovë – Perëndim - Kosovë është i pashmangshëm. Emigracioni s'ёshtё alternativё.

Vilma Filaj Ballvora Leiterin DW-Albanisch
Vilma Filaj BallvoraFotografi: DW/P. Henriksen

E megjithatё ka arsye që tё festohet pavarёsia

Po, vёrtetё kosovarёt kanё sot halle, shumё mё tepёr se nё ҫdo vend tjetёr të konsoliduar europian. Por edhe vetë Europa sot ka mjaft halle dhe përballet prej vitesh me një krizë të fortë ekonomike e financiare si dhe me sfidën e krizave globale. E megjithatё Europa nuk e ka lënë dhe nuk do ta lerë Kosovën në baltë. Ndaj sot kosovarët kanё mjaft arsye pёr ta festuar përvjetorin e pavarёsisё: Sё pari sepse Kosova ёshtё e pavarur, kjo falё mbёshtetjes sё pakursyer tё Europёs. Sё dyti, sepse Kosova sot ёshtё mё pranё Europёs sa asnjёherё tjetёr. Sivjet pritet qё Kosova tё nёnshkruajё Marrёveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-nё. Nёnshkrimi i kёsaj marrёveshjeje ёshtё njё hap mё pranё rrugёs drejt statusit tё vendit kandidat. Sigurimi i statusit të vendit kandidat do të thotë edhe më shumë mbështetje, por edhe më shumë impenjime për vetë politikën e shoqërinë kosovare për të përmbushur kushtet e nevojshme. Rruga ёshtё ende e gjatë e plot pengesa. Por ajo ёshtё e pakthyeshme.

Pavarësia duhet menaxhuar

Perëndimi i dha dorën Kosovës, por tani është ajo që duhet ta menaxhojë pavarësinë e saj. Mundësitë janë. Kosova ёshtё e varfёr, por ajo ka potenciale tё mёdha. Kapitali mё i ҫmuar i saj ёshtё rinia. Kosova ka popullsinё mё tё re nё Europё me njё moshё mesatare 25 vjeҫ. Zëvendësimi i elitave politike sot mungon, por është rinia ajo që e ka në dorë ta përshpejtojë këtë proces. Kosova ka gjithashtu mjaft burime natyrore, qё kanё nevojё tё menaxhohen e shfrytёzohen me menҫuri pёr t'i dhёnё impulse zhvillimit ekonomik. Shtatё vjet shtet janё pёr individin njё kohё e gjatё, por pёr konsolidimin e njё shteti ato nuk janё shumё. Eshtё e vёrtetё, qё derisa Europa tё bёhet realitet pёr Kosovёn do tё zgjasё ndoshta edhe mё tepёr se njё dekadё. Pёrshpejtimi i kёtij procesi nё radhё tё parё varet prej vet qytetareve e qytetarёve tё Kosovёs dhe prej tё zgjedhurve tё tyre. E duket se pikёrisht kёta tё fundit janё zhgёnjimi mё i madh sot pёr qytetaret e qytetarёt e Kosovёs.

Luftimi me efikasitet i nepotizmit, i korrupsionit, i abuzimit me pushtetin ёshtё nё radhё tё parё pёrgjegjёsia e politikanёve drejtues. Por po aq bie kjo pёrgjegjёsi edhe tek vet shoqëria civile. Eshtë ajo që duhet ta demaskojё korrupsionin dhe tё mos lejojё tё bjerë pre e tij. Janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata, që gëzojnë të drejtën t'i ndёshkojnë me votё ata politikanё, qё abuzojnё me pushtetin. Nёse punёt nё shtёpi nuk shkojnё si duhet problemi duhet gjetur dhe zgjidhur brenda shtëpisë. Nёse të gjithë pjesëtarët kanë vullnetin asgjë s'është e pamundur. Braktisja e "shtёpisё" kurrёsesi nuk mund tё jetё alternativё, aq mё tepёr kur qysh nё krye tё herёs ta kanё bёrё tё qartё, se dera e fqinjëve ku po troket "si mysafir i paftuar" do tё tё mbyllet nё fytyrё. Ndёrkohё qё Europa e mban hapur portёn e madhe pёr ta pranuar Kosovën si anёtare tё familjes së saj. Kosovarёt e kanё vet nё dorё qё ta kalojnё kёtё prag. Politika dhe shoqёria civile nё Kosovё duhet t'i kryejnё vetë detyrat e shtёpisё.