1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Pragmatizëm në vend të konfliktit me Rusinë

Bahri Cani4 Shkurt 2014

Në vend të planeve për kohën e pas Janukoviçit, BE-ja duhet t'i ofrojë Rusisë një zonë të tregtisë së lirë, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1B2M0

Ukraina ka falimentuar politikisht dhe financiarisht. Presidenti Janukoviç e ka hedhur vendin përtokë dhe pa ndihmën financiare dhe politike të Rusisë, presidenti ndoshta do të dorëzohej. Ndaj është mirë që BE-ja dhe SHBA po planifikojnë me ndihma financiare pas erës së Janukoviçit.

Por ndihmat financiare për Ukrainën duhet të jenë vetëm një pjesë e strategjisë, e cila duhet të përfshijë edhe Rusinë. Ndryshe kaosi në Ukrainë mund të shndërrohet në një luftë qytetare.

Rusia si partner

Çdo politikë perëndimore ndaj Ukrainës, e cila i përjashton interesat ruse, i forcon mendimet në Moskë për mbështetjen e regjimit të tanishëm në Ukrainë. Presidenti Putin kaherë nuk ka simpati të mëdha për presidentin Janukoviç. Por ai do ta mbështetë përderisa ekziston rreziku i dëmtimit të interesave ruse në periudhën pas Janukoviçit.

Ingo Mannteufel
Ingo MannteufelFotografi: DW

Putini mund të jetë madje i gatshëm që të përshkallëzojë gjendjen në Ukrainë. Presioni i madh rus ndaj Janukoviçit për të evituar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE e ka bërë të qartë këtë. Edhe temat e tjera kontestuese mes Perëndimit dhe Rusisë, si për shembull konflikti në Siri, kanë bërë të qartë se Moska është e gatshme të luftojë për interesat e veta, përkundër presioneve të mëdha ndërkombëtare. Rusia është dhe mbetet një partner i pakëndshëm dhe i fuqishëm, pavarësisht nëse kjo i pëlqen, apo jo Perëndimit.

Ukraina dhe roli i saj

BE-ja duhet të mendojë për zgjidhje pragmatike, në vend se të rrezikohet ndonjë zhvillim edhe më negativ në Ukrainë, i cili mund të ketë pasoja të rënda për Evropën dhe për Rusinë. Ukraina nuk duhet të vihet para faktit të kryer dhe të detyrohet të zgjedhë: marrëveshja për Stabilizim-Asociiim, apo unioni doganor me Rusinë.

Në vend të saj BE-ja duhet t'i ofrojë Putinit një zonë të lirë tregtie, ndërsa Ukraina duhet të bëhet pjesë e kësaj zone të madhe evropiane të tregtisë së lirë. Në vend të shqyerjes mes Perëndimit dhe Lindjes Ukraina duhet të forcohet si një urë strategjike ekonomike. Rusia nuk do të ndjehej e rrezikuar ekonomikisht. Ndërkohë që industria evropiane do të fitonte edhe 200 milionë konsumatorë të tjerë me këtë zonë të lirë tregtie.

Në këtë kontekst do të ishte e mundur që presidenti Putin të heqë dorë nga mbështetja e Janukoviçit dhe do të hapte rrugën për periudhën pas Janukoviçit. Ukraina e mbështetur ekonomikisht nga Perëndimi dhe Rusia, me një qeveri kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme, mund të dalë nga kriza e tanishme politike.