1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Protestë dhe pikëllim në Teheran

Peter Philipp
15 Janar 2020

Javën e kaluar marshime të mëdha të përmortshme për gjeneralin e vrarë Soleimani, tani demonstrime për shkak të rrëzimit të një avioni ukrainas transporti. Kjo nuk është kontradiktë, thotë Peter Philipp.

https://p.dw.com/p/3WCFW
Iran | Trauer und Proteste | Flugzeugabsturz
Fotografi: picture-alliance/dpa/Photoshot/A. Halabisaz

Popullsia iraniane është ekspozuar ndaj ndjenjave kontradiktore që nga ditët e nëntorit të vitit të kaluar, kur qindra mijëra vetë dolën së pari në rrugë në të gjithë vendin për të protestuar ndaj një rritjeje të fortë të çmimit të benzinës, kundër situatës ekonomike në përgjithësi dhe korrupsionit në radhët e udhëheqjes politike në veçanti. Demonstratat u shtypën me ashpërsinë më të madhe - qindra vetë u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan. Por mangësitë e kritikuara mbetën. Protestat këtë herë vërtet qenë më të dhunshme, por përsëri u duk se ishin vetëm njëra nga protestat kundër ankesave të ndryshme që shpërthejnë sporadikisht në Iran.

Kjo përshtypje u forcua në fillim të janarit, kur Republika Islamike përjetoi manifestimet më të mëdha në historinë e saj 40-vjeçare: jo kundër udhëheqjes politike të vendit, por kundër Shteteve të Bashkuara. Me sulmin vdekjeprurës kundër përfaqësuesit më të rëndësishëm të ushtrisë iraniane, SHBA sapo e konfirmuan imazhin e armikut të agresorit amerikan, që ishte kultivuar nga udhëheqja në Teheran për dekada të tëra.

Iran | Trauer und Proteste | Flugzeugabsturz
Fotografi: picture-alliance/dpa/Photoshot/A. Halabisaz

Simpatia dhe admirim për një njeri të regjimit

Gjenerali Ghassem Soleimani, kreu i "Brigadave Al Kuds" ("Brigadat e Jeruzalemit") të Gardave Revolucionare të Iranit, konsiderohej planifikuesi dhe komandanti i operacionit ushtarak iranian kundër "Shtetit Islamik" (IS) në Irak dhe Siri. Ai koordinoi bashkëpunimin me Hizbollahun libanez dhe gjithashtu thuhet, se ka luajtur një rol udhëheqës në mbështetjen e kryengritësve jemenitas Huthi. Pra, një njeri njëqind për qind i regjimit të Teheranit.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, shumë iranianë ndjenin simpati dhe admirim për njeriun nga populli, megjithëse ai e profilizoi veten shumë "në interes të kombit". Ky këndvështrim kishte të bënte të paktën pjesërisht me politikat zyrtare të informacionit dhe propagandës. Nga ana tjetër, një pjesë e këtij admirimi për Soleimanin ishte e justifikuar: ai mbeti modest kur shfaqej, shkonte shpesh te trupat e tij dhe luftonte gjoja për një "kauzë të drejtë". Sidomos në rastin e Shtetit Islamik: Soleimani shkoi aq larg sa që në ditët e para të Shtetit Islamik në Irak ai e koordinoi indirekt qasjen e tij me atë të Shteteve të Bashkuara. Për sa kohë që Soleimani ishte në aksion kundër IS, shumica e iranianëve e konsideronin atë si mbrojtës të kombit, sepse IS (sunit) është një armik i shpallur i Iranit shiit.

Iran Teheran | Iranische Studenten demonstrieren nach Trauerfeier für die Opfer des Flugzeugabsturzes
Fotografi: Rouzbeh Fouladi/ZUMA/dpa/picture-alliance

Prandaj për udhëheqjen politike në Teheran, ditët nga vrasja e gjeneralit deri në varrosjen e tij qenë një mundësi e mirëpritur për ta përdorur këtë simpati për Soleimanin në popull dhe për ta kthyer atë në një deklaratë solidariteti për qeverinë. Vërshimi i turmave të zisë në të gjithë Iranin ishte tepër i madh. Por politikanët u gabuan po të kenë menduar se pakënaqësia e popullit ndaj politikanëve të tyre u zhvendos dhe do t'i linte vend shprehjeve të reja të urrejtjes ndaj Shteteve të Bashkuara.

Tani demonstruesit kritikojnë përsëri qeverinë

Dhe kjo po del tani në pah në mënyrë dramatike, sepse demonstruesit po dalin në rrugë për t'i akuzuar politikanët për dështim apo edhe paaftësi, dhe në njëfarë mënyre edhe për një ndjenjë përçmimi për popullin e vet. Pasi instancat zyrtare e paraqitën për ditë të tëra rrëzimin e avionit ukrains si defekt teknik, rezultoi që avioni ishte qëlluar nga raketat e Gardës Revolucionare.

Peter Philipp
Peter PhilippFotografi: DW

176 njerëz të vrarë në bord, shumica e tyre iranianë ose me nënshtetësi të dyfishtë iraniane - ky është bilanci që bëjnë qarqe të gjera në popullin iranian. Atje nuk kanë mirëkuptim, që Teherani fillimisht u përpoq ta mbulonte shkakun e vërtetë të aksidentit dhe tani kërkojnë një sqarim të plotë të proceseve dhe masa kundër përgjegjësve. Gjë me të cilën nuk mbahet parasysh kryesisht njeriu, shtypja e butonit prej të cilit shkaktoi goditjen vdekjeprurëse. Por mbahen parasysh ata që në situatën shpërthyese të atyre orëve nuk morën ndonjë masë paraprake sigurie  - për shembull ndalimin përkohësisht të transportit ajror civil.

Demonstratat e reja janë shumë më të vogla se ato të mëparshme, por ato mund të zgjerohen lehtë. Dhe tani vjen Donald Trumpi dhe u ofron mbrojtje dhe mbështetje demonstruesve. Por ata nuk kanë nevojë dhe nuk i duan ato. Ata janë të preokupuar që 40 dekada pas revolucionit në Iran të vendoset më në fund ligji dhe rendi.