1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: qytetarët e Maqedonisë po zgjohen

Zoran Jordanovski18 Maj 2015

Disa dhjetra mijëra demonstrues kërkuan në Shkup dorëheqjen e kryeministrit Gruevski. Për të qeverisja po bëhet gjithnjë e më e vështirë prej qytetarëve, që kanë filluar të çlirohen nga frika, mendon Zoran Jordanovski.

https://p.dw.com/p/1FRNe
Mazedonien Demonstration in Skopje
Fotografi: DW/B. Georgievski

Pamje impresionuese në kryeqytetin maqedonas: pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, për ta penguar demonstratën e madhe të dielën, qytetarët erdhën në masë në Shkup nga të gjitha anët e Maqedonisë. Ata demonstruan në një atmosferë paqësore, pothuajse të gëzueshme. Por mesazhi i tyre ndaj kryeministrit Nikola Gruevski ishte i fortë dhe i qartë: koha jote ka mbarruar, më në fund jep dorëheqjen!

Ky mesazh nuk erdhi vetëm nga opozita socialdemokrate, që kishte bërë thirrje për demonstratën e madhe. Në protestën e së dielës nuk kishte asnjë flamur apo parrullë partiake. Simboli i mëse i qartë dhe i fortë ishin flamujt kombëtar - maqedonas, shqiptar, serb si dhe flamujt e të gjitha minoriteteve të tjera, që jetojnë në Maqedoni. Nuk kishte pra asnjë anëtar partie dhe nuk ishin maqedonas, shqiptarë, serbë, turq apo romë, që demonstruan në Shkup. Ata ishin qytetarët e pakënqaur të Maqedonisë!

Jordanovski Zoran Kommentarbild App
Zoran Jordanovski

Luftë kundër sistemit të korruptuar dhe kriminal

Nga publikimi i protokolleve të përgjimeve ilegalisht të telefonatave shumë qytetarëve janë bërë të vetëdijshëm, se me sa arrogancë, korrupsion e në mënyrë kriminale veprojnë pushtetmbajtësit aktualë. E se si ata i shkelin me këmbë të drejtat themelore të qytetarëve. E kjo nuk i ka nxjerrë njerëzit vetëm dje në rrugë, - jo, prej ditësh në Maqedoni demonstrohet në mbarë vendin.

Pavarësisht se edhe për sa kohë kryeministri Gruevski, do të vazhdojë ta mbajë postin - qeverisja për të po bëhet gjithnjë e më e vështirë, asgjë nuk është më si më parë. Të ndërgjegjësuar tashmë dhe të çliruar prek frikës paralizuese, qytetarët gjithnjë e më me këmbëngulje po luftojnë për të drejtën e tyre, për të jetuar në një demokraci të vërtetë dhe jo fiktive. Ndër demondstruesit shumica dërmuese janë të rinj. Kjo është e logjikshme, sepse kryesisht e përditshmja e tyre karakterizohet nga papunësia dhe mungesa e perspektivës. Tani ata luftojnë për të ardhmen e shtetit, e kësisoj edhe për të ardhmen e tyre. Ata kanë deklaruar, se do të qendrojnë në sheshin përpara selisë së qeverisë, derisa Nikola Gruevski të japë dorëheqjen.

Shprehur me gjuhën e sportit: qytetarët e pakënaqur tani janë në avantazh. Vetëm se kjo ende nuk është një fitore. Tani është shpallur edhe një kundërdemonstratë. Qeveria do të bëjë gjithçka për të mbledhur sa më shumë simpatizantë që të jetë e mundur. Edhe "mbështetës" të paguar me shpenzimet e shtetit do të sillen në Shkup. Me këtë synohet të tregohet, se sa e gjerë dhe e madhe vazhdon të jetë mbështetja në popull për qeverinë Gruevski. E natyrisht me këtë pozicioni i Gruevskit duhet të forcohet - në radhë të parë për bisedimet të martën me udhëheqësin e opozitës Zoran Zaev të ndërmjetësuara nga tre europarlamentarë në Strazburg. Por natyrisht edhe kundrejt kërkesave për dorëhqje, që tani po shtohen gjithnjë e më shumë edhe nga bota e jashtme.

BE-ja duhet të bëjë më shumë për Maqedoninë

Konflikti do të vazhdojë, shenja për fundin e tij ende nuk po duken, trazira të tjera janë të programuara. Maqedonia mbetet në kërkimin e mundmshëm të vetvetes, të së ardhmes së saj dhe të rrugës më të mirë drejt saj. Si për paradoks të dyja palët formalisht bëjnë fjalë për të njëjtin objektiv: antarësimin në BE dhe në NATO. Por për njërën palë - qeverinë aktuale - nuk është e qartë, nëse ajo vërtetë e synon këtë objektiv. Ndërsa për palën tjetër, opozitën, që pretendon se me siguri e synon këtë, ka një pengesë të pakapërcyeshme: vetoja greke kundër antarësimit të Maqedonisë, për aq kohë sa republika mban emrin e kontestuar prej Greqisë. BE-ja në të kundërt angazhohet me shumë vonesë, për ta kthyer Maqedoninë në rrugën e afrimit dhe të antarësimit. Rezultati mbetet gjysmak dhe BE-ja ndërmerr shumë pak për ta shmangur pengesën vendimtare.