1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Raund i ri pokeri për të ardhmen e Greqisë

Sabine Kinkartz5 Janar 2015

Nëse grekët nuk duan ta hedhin më vallen sipas shpëtimtarëve të Euros, atëherë nga këndvështrimi gjerman dalja nga Eurozona është e mundshme. Një raund i ri pokeri është hapur, mendon Sabine Kinkartz.

https://p.dw.com/p/1EFGA
Symbolbild Börse Kurs Dax Euro Griechenland 2014
Fotografi: picture alliance/Boris Roessler

Politika është një biznes i vështirë. Bëhet fjalë për pushtet, avantazhe, interesa e natyrisht për para. Pas çdo shtrëngimi duarsh, pas çdo buzëqeshjeje fshihet një kalkulim. Kjo vlen edhe brenda Bashkimit Europian. Kushdo që beson diçka tjetër, ka vetëm iluzione. Greqia prej kohësh llogariste, se atë do ta mbështesin. Jo për hir të simpatisë e miqësisë, por sepse dëmi që kërcënonte pjesën tjetër të bashkësisë ishte i paparashikueshëm. Mbetja e Athinës në Eurozpnë është pa alternativë, shprehej kancelarja sipas logjikës së atëhershme ekonomike.

Për shumë arsye kjo tashmë ka ndryshuar. Për vite të tëra partnerët europianë, e kryesisht Berlini, e kanë mbajtur Athinën brenda radhëve. Greqia ka marrë nga donatorët ndërkombëtarë që nga viti 2010 dy programe ndihme në vlerën gjithsej mbi 240 miliardë Euro. Kjo s'ka ndihmuar shumë. Diktati i vendosur për kursimet dhe reformat e rënoi vendin. Rendimenti ekonomik ka rënë me mbi 25 %, borxhi shtetëror është rritur me gati 180% të produktit bruto në vend. Një në katër grekë është i papunë, papunësia tek të rinjtë është mbi 50%.

Situatë e re nga zgjedhjet e reja

Në Bruksel, por edhe në Berlin, ndonëse ka dijeni për këtë situatë, ajo nuk tematizohet. Në vend të kësaj tërhiqet vëmendja për përparimet që ka bërë Greqia. Rritja ekonomike është pozitive, gjendja e buxhetit është stabilizuar. Asnjë fjalë nuk thuhet, se sa minimale janë përmirësimet në krahasim me gjendjen faktike dhe se sa vjet do të vazhdojnë masat e shtrëngimit për grekët. Llogaria politike madje dukej se do të dilte. Greqia kohët e fundit nuk ishte më në fokusin e kryeartikujve, gjendja dukej të ishte qetësuar.

Kommentarfoto Sabine Kinkartz Hauptstadtstudio
Sabine KinkartzFotografi: DW/S. Eichberg

Me zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen pas tri javësh, situata ndryshoi papritur kryekëput. Një fitore e partisë populiste të majtë Syriza duket e mundshme e kësisoj kartat mund të përzihen nga e para. Kryetari i partisë Alexis Tsipras u premton zgjedhësve, se do t'i japë fund politikës së kursimeve dhe synon të arrijë një falje të mëtejshme të borxheve.

Në Berlin ranë sirenat e alarmit. T'i bëhen lëshime të mëdha një qeverie të re të majtë do të thotë të shkosh në kudnërshtim me linjën e deritanishme. Nuk ka asnjë alternativë ndaj kursit të rreptë të reformave, theksoi së fundi ministri i Financave Wolfgang Schäuble. Nëse Greqia zgjedh një rrugë tjetër, atëherë do të jetë e vështirë. Se çfarë do të thotë kjo, tashmë po bëhet e qartë përmes komandimit me destinacion të caktuar prej Berlinit. Gjermanëve u ka humbur durimi - e atyre nuk u duhet që të vazhdojnë ta kenë këtë durim për një kohë edhe më të gjatë.

Alternativa të reja

Gjendja në Eurozonë është stabilizuar dhe mekanizmi i shpëtimit për vende të tjerë që eventualisht mund të preken prej pasojave të krizës është përpunuar dhe është pajisur financiarisht më mirë se në vitin 2010 dhe 2012. Një efekt domino në Eurozonë konsiderohet gjithnjë e më pak i mundshëm. Mbetja e Greqisë në Eurozonë si rrjedhojë nuk duket të jetë më pa alternativë. Përkundrazi. Një kurs më i rreptë ndaj grekëve mund të kuptohet si një sinjal paralajmërues për vendet si Italia e Franca, që nuk kanë vullnetin e duhur për reformat. Sipas motos pa shihni këtu, ne mund të veprojmë edhe ndryshe.

Zyrtarisht askush në Berlin nuk thotë, se në zyrën e kancelares apo në Ministrinë e Financave po mendohet për një "Grexit", pra një dalje të Greqisë nga Eurozona. Por kjo as nuk është përgënjeshtruar. Në vend të kësaj brenda qeverisë po bëhet ndarja e punës. Politikanët e unionit konservator insistojnë, që në asnjë mënyrë të mos i bëhen lëshime Greqisë. Politikanët socialdemokratë tërheqin vëmendjen, se një dalje nga Eurozona mund t'i kushtonte më së shumti Gjermanisë. Kësisoj është hapur vetëm raundi i parë i shumë raundeve të tjerë të mundshëm të pokerit lidhur me të ardhmen e Greqisë. Politika është një biznes i vështirë, e në kohë krize madje ai bëhet edhe më i vështirë.