1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një rilindje e shtyrë për më vonë

Michael Knigge3 Shkurt 2014

Rindërtimi i besimit midis Evropës dhe SHBA, pas aferës së NSA-së nuk ndodhi në Mynih. Evropianët duhet të ndjekin tani një rrugë të re, për ta nxitur Uashingtonin që ta reformojë NSA, thotë Michael Knigge i DW.

https://p.dw.com/p/1B1dF

Në thelb, Konferenca e Sigurisë në Mynih është një arenë transatlantike për dialog politik dhe për shkëmbimin e ideve. Megjithëse konferenca e ka zgjeruar në mënyrë dramatike fokusin e saj me kalimin e viteve, ky fakt mbetet i vërtetë edhe 50 vjet më vonë.

Ndaj cili forum mund të ishte më i përshtatshëm për të adresuar krisjen transatlantike që është përvijuar si pasojë e përgjimeve të NSA-së? Shumë vëzhgues gjermanë, në veçanti, shpresuan se ky do të ishte vendi, në të cilin Berlini do të merrte sinjalin e qartë të kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga Uashingtoni, që kur doli në pah se NSA po përgjon qytetarët gjermanë dhe madje edhe celularin e kancelares Angela Merkel.

Ata u zhgënjyen. Për të qenë të saktë, me sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, John Kerry dhe Chuck Hagel dhe një delegacion të gjerë kongresmenësh, SHBA dërguan pesha të rënda politike në Mynih. Por numri i admirueshëm i anëtarëve të delegacionit nuk ishte në të njëjtin nivel me përmbajtjen e dy prej anëtarëve të tij më të rëndësishëm.

Në fjalët e tyre, Kerry dhe Hagel e anashkaluan thuajse krejtësisht debatin për NSA-në. Ata nuk e përmendën asnjëherë agjencinë e përgjimit. Kerry u shpreh për një "rilindje transatlantike", duke lënë vetëm të kuptohet për çështjen më delikate që i rëndon marrëdhëniet.

Ai tërhoqi vëmendjen se Presidenti Barack Obama ka urdhëruar një rishikim të praktikave të zbulimit dhe se demokracia e SHBA ka qenë gjithmonë në gjendje të riparojë gjëra që duhen riparuar. Në një kohë kur kërkimi zyrtar i faljes, të cilin e shpresonin disa, nuk u shfaq asnjëherë, miqësia e thellë transatlantike, së cilës iu referuan në mënyrë të përsëritur në fjalimet e tyre Kerry dhe Hageli meritonte më shumë se mori.

Për evropianët e preokupuar për përgjimet masive të SHBA, heshtja e Kerryt gjatë udhëtimit në Mynih do të thotë dy gjëra. Së pari, shanset për një reformë të gjerë të NSA-së nga administrata e Obamas janë të pakta, për të mos thwnë zero. Mesazhi që Kerry u dërgoi partnerëve të tij evropianë ishte:" Le të ecim përpara, ne tani i kuptojmë shqetësimet tuaja dhe do t'i trajtojmë ato bashkë." Kjo do të thotë edhe se projekti i preferuar i qeverisë gjermane, për të hartuar një marrëveshje ligjore bilaterale antispiunim, është gjithçka tjetër por jo ekzistent.

Së dyti, duke pasur parasysh faktin që administrata e Obamas nuk duket se ka gjasa të bëjë më shumë për këtë në një kohë të afërt, evropianët duhet të ndjekin një rrugë tjetër. Në vend që të fokusohen tek Shtëpia e Bardhë, Evropa duhet ta hedhë vështrimin nga Kongresi. Çdo reformë serioze e NSA-së me shumë gjasa nuk do të vijë nga administrata e Obamas, por nga ligjvënësit e SHBA. Tani në Kongres është një koalicion i gjerë republikanësh dhe demokratësh, që po bëjnë presion për t'i orientuar te ligji aktivitetet e NSA-së, p.sh. me Aktin e Lirisë.