1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rreziku nga terrori në Kiev

Bern Johann1 Shtator 2015

Nacionalistët duan ta minojnë procesin paqësor në Ukrainë. Por shteti duhet të veprojë me të gjitha mjetet. Kush hedh granata kundër policëve, është terrorist, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1GOvQ
Proteste vor dem Parlament in Kiew
Fotografi: DW/A. Sawitski

Petro Poroshenko gjeti fjalë shumë të qarta pas incidenteve të përgjakshme para parlamentit në Kiev. Ai dënoi dhunën e nacionalistëve ukrainas, e cila u drejtua para së gjithash kundër focave të rendit. Ky ishte një aksion "anti-ukrainas", tha ai. Protestat para parlamentit, ku u votua për reformat e domosdoshme kushtetuese janë "thikë pas shpine" për Ukrainën. Aktorët e dhunës dhe organizatorët e protestave duhet të nxirren para gjykatave, kërkoi presidenti.

Poroshenko nuk e përdori fajlën "terror". Po çfarë ishte kjo dhunë pra? Pikërisht në qendër të kryeqytetit militantët nacionalistë hodhën bomba dhe lëndë shpërthyese kundër pjesëtarëve të gardës kombëtare dhe policisë. Fuqia e shpërthimit ishte aq e fortë sa që u plagosën më shumë se 100 vetë. Dy të rinj, pjestarë të gardës kombëtare, humbën jetën. Rruga para parlamentit i ngjante një fushëbeteje, që të kujton luftimet në Donbas.

Mjaft më me eufemizma

A ka mbërritur lufta e Donbasit edhe në Kiev? Politikanët ukrainas, ndër të cilët edhe Poroshenko, vazhdojnë të mos përdorin fjalën "luftë", kur bëhet fjalë për luftimet kundër seperatistëve në Lindje të Ukrainës të mbështetur nga Rusia. Në vend të kësaj ata flasin për "terrorin" kundër ushtrisë dhe shoqatave të vullnetarëve, ku bëjnë pjesë edhe nacionalistët, si dhe për aksione anti-terroriste.

Me fjalën "terror", zbutet në Ukrainë lufta, e cila deri tani ka shkaktuar gati 7000 viktima. Ky lloj eufemizmi i politikanëve nuk ndihmoi që të evitohet gjakderdhja para parlametit. Nacionalistët nuk janë mjaftohen me përfundimin e kësaj lufte vetëm me kompromise dhe me mjete politike.

Johann Bernd Kommentarbild App
Bernd Johann

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme

Ky ishte edhe qëllimi i ndryshimeve kushtetuese, të bëra ditën e hënë. Ato janë ndër kërkesat kryesore të marrëveshjes së paqes të Minskut që duhet t'u japin më shumë pushtet organeve lokale në Ukrainë. Kjo vlen edhe për zonën e okupuar nga seperatistët në Donbas. Por decentralizimi duhet të bëhet sipas kushtetutës së Ukrainës. Kritikat se autonomia do të çojë deri në shkatërrimin e Ukrainës nuk qëndron. Kështu thekson pa u lodhur presidenti Poroshenko.

Të gabuara janë edhe kritikat se parlamenti dhe presidneti po u nënshtrohen presioneve të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, si Gjermania apo Franca. Parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike në Ukrainë është ai që duhet të vendosë për ndryshimet kushtetuese. Është plotësisht e pakuptueshme që pikërisht nacionalistët ukrainas hedhin granata kundër policëve dhe kështu pengojnë parlamentin në marrjen e vendimeve. Kjo është në fakt tradhëti e interesave kombëtare, sepse shumica parlamentare e politikanëve ukrainas po përpiqet t'i japë fund luftës në lindje të Ukrainës dhe të bëj ndryshime kushtetuese.

Demokracia në vend të dhunës

Edhe grupi proevrpian në Kiev e ka kritikuar marrëveshjen. Por pikërisht politikanët e grupit ekstrem djathtist "Svododa" si dhe "Partia Radikale" pohojnë se konflikti në lindje të Ukrainës mund të fitohet me luftë. Simpatizantët e tyre janë involvuar në incidentet para parlamentit. Edhe simpatizantët e "Sektorit të Djathtë" kanë qenë të përfshirë.

Kundër radikalëve ekstremistë në Ukrainë tani do të veprojë drejtësia me gjithë ashpërsinë e saj. Ndërkohë që si pasojë e luftës në Ukrainë ka shumë armë në qarkullim. Ky lloj militarizimi krahas luftës në lindje është rreziku më i madh për Ukrainën. Shteti mund të humbasë pushtetin nëse nuk u jep fund akteve të dhunës. Ukrainasit zgjodhën vitin e kaluar me mjete demokratike presidentin, parlamentin dhe në këtë mënyrë edhe qeverinë e tyre. Ato duhet të veprojnë me mjete demokratike. Kush i sulmon ato me mjete të dhunshme është terrorist.